Bie ”miti grek”, Beleri burgoset!

Nga Redjon Shtylla

Drejtësia e re në vend ka folur, dhe dënon me 2 vite burg Fredi Belerin. Ai shpallet fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhjet lokale. Beteja nisi më 12 maj 2023, dhe Beleri u shpall fitues, edhe pse në burg. Porositës i këtij vendimi sipas Belerit është kryeministri Edi Rama. Vendimi është i fortë për politikën, por i drejtë për drejtësinë e lirë. Beleri nuk do të dorëzohet, por tashmë me një kalvar kaq të gjatë procesesh gjyqësore që të fitojë të drejtën e betimit, duket se në Himarën e pret fati i zgjedhje të parakohshme lokale.

Por burgosja e Belerit nuk është edhe kaq e thjeshtë, sepse është kthyer në një kauzë të Greqisë. Përgjatë këtyre muajve, zyrtarë të lartë të qeverisë dhe jo vetëm, zbarkuan dhe kërkuan si në Himarë dhe në Tiranë lirimin e Belerit. Në Parlamentin Europian Greqia punon që të bllokojë Integrimin e Shqipërisë, dhe vota greke lidhet me lirinë e Belerit. Përsa kohë ai do të jetë në burg, e ”burgosur” do të jetë edhe qeveria shqiptare për të bërë vendin anëtare në Bashkimin Europian. Kazani i kësaj kauze arriti pikën e vlimit me një protestë të deputetëve dhe kryebashkiakëve grekë në Himarë.

Burgosja e Belerit është edhe një goditje për opozitën, pasi ai është kandidat i PD-së të udhëhequr nga Sali Berisha, dhe brenda opozitës janë kundër Belerit. Por edhe brenda PD-së së Himarës, pasi nuk pa pasur një kimi me Omonian e Himarën apo PBDNJ-në. Beleri është një njeri i popullit, por jo një njeri me reputacion të pastër politik, por edhe njerëzor.

Burgosja e Belerit është edhe një sinjal pro qeverisë Rama, e cila nuk ka pranuar që të dorëzohet përpara presioneve dhe kërcënimeve nga Greqia zyrtare, duke mos lejuar që të cënohet politika e jashtme e Shqipërisë. Me burgosjen e Belerit, a rrezikon vendi që të ketë një çmim të kripur në hakmarrjen greke? Diplomacia helene, europarlamentarët e saj dhe aktivistët e lobit grek janë vënë në lëvizje për të sensibilizuar institucionet euro atlantike, për të thënë që Beleri po dënohet nga pushteti qeveritar, dhe jo nga drejtësia.

A është burgosja e Belerit, një akuzë anti-greke në Himarë dhe lobim turk për Tiranën zyrtare? Mitimizimi i Fredi Belerit është një zjarr që ende është i ndezur në Himarë, por që diçka duhet theksuar. Vlen të përmendet që për Fredi Belerin, tre shkallë të drejtësisë shqiptare kanë vendosur se duhet të qëndrojë në burg. Pse duhet të ishte privilegj përkatësia e tij etnike, ndërkohë që drejtësia kishte burgosur edhe kryebashkiakë nga partia në pushtet?

Dosja për Fredi Beleri dhe fiksimi i Athinës me të për ta nxjerrë të pastër, tashmë me burgosjen e tij do t’i ndryshojnë gjërat. Por burgosja e Belerit do të nxjerrë në analiza edhe për mëyrën sesi është kapur dhe politizuar drejtësia dhe farsën e zgjedhjeve, gjoja demokratike në këtë vend. Burgosja e Belerit, nuk është individuale, por do të shtojë edhe më tej kauzën që qëndron pas tij, ndoshta deri në rebelime me mbështetje greke, ose Fredi Beleri do të shkojë në burg, dhe do të vuajë dënimin, siç kanë bërë edhe ministrat socialistë.

SHKARKO APP