Big Brother si BBC-ja!

 

Nga Arben Manaj

Nuk jam fans i “Big Brother” as këtu në Angli edhe pse do herë i kam parë ndër vite shkarazi episodet e “Big Brother” në Shqipëri.

Kjo e shtunë në mbrëmje më trazoi me skenat e dhunës skandaloze në një reality show.

M’u desh të prisja deri në fund kur u nxor “me shkelma” nga ky show ai djali nga Kosova, i cili më tronditi kur e shikoja aq sa edhe më erdhi keq, pasi nuk mendoja se ai ishte aktor, sesa një njeri që ka nevojë për kujdes mjekësor me tërë atë tërbim çnjerëzor dhe shfrenim kafshëror e dhunë ndaj një femre.

Një bravo për “Top Channel” dhe drejtuesit e “Big Brother” që arritën të tejkalojnë televotimin popullor të shqiptarëve që vërtet kanë probleme me konceptimin e qëndrimin ndaj dhunës dhe duket se nuk u ka bërë edhe aq shumë përshtypja dhuna ndaj një femre.

Kjo është simptomatike e shumë sjelljeve të dënueshme penalisht të shumë shqiptarëve që sillen me gratë me një dhunë të pashembullt dhe shpesh me rezultate tragjike.

Vendimi për dëbimin e konkurrentit Kika që “kicked” majtas e djathtas, është një rreze shprese se pjesa më avangarde e shoqërisë nuk pajtohet dhe i dënon me neveri skena të tilla.

Televizioni im do të duhej ta mbante një qëndrim të tillë dinjitoz dhe në këtë drejtim veproi me atë dinjitet që veproi edhe ish-punëdhënësi im, korporata e madhe britanike BBC, me “dëbimin” e moderatorit të emisionit më popullor të saj dhe me një audiencë të paprecedentë botërore Top Gear Jeremy Clarkson, pas sulmit fizik ndaj një producenti, edhe pse kostoja financiare e BBC është shumë e madhe dhe personaliteti dhe klasi gazetaresk i tij është ai që është.

Padyshim një media duhet të argëtojë, por edhe të informojë dhe edukojë. Kjo sjellje e “Big Brother” meriton ovacion për qëndrimin e adoptuar ndaj një pjesëmarrësi që do duhet realisht të merret Policia për atë dhunë, pavarësisht nga ambienti ku ndodhi dhuna edhe në rast se ajo goca që u dhunua publikisht nuk do të pranojë ta denoncojë.

Ai banor i shtëpisë së “Big Brother” e meriton ndjekjen penale, pasi në termat e konkurrimit nuk parashikohet dhuna edhe pse një reality show.

Me femrën nuk luhet as “për lojë” në një show për një çmim financiar e aq më tepër që dhuna ta justifikojë fitimin e atij çmimi.

Një dhunë e atillë fatkeqësisht është simptomatike e një të riu atipik në aparencë që ka nevojë për kujdes mjekësor aq sa ka nevojë edhe mentaliteti violent i jo pak shqiptarëve në relacion me seksin femër dhe “Big Brother” e “Top Channel” tregoi se u ngrit mbi nivelin e jo pak shqiptarëve pro dhe indiferentë ndaj asaj që ngjau live dhe në nivelin e pritshëm të dinjitetit dhe standardit editorial avangardist perëndimor.

(Gazeta Shqip

SHKARKO APP