Bindu e nënshtrohu ose revoltohu e protesto

LUÇIANO BOÇI

 Kjo është sot dilema e kohës. Na duhet të zgjedhim e të mos hezitojmë. Jetojmë në një situatë absurde të sundimit të pabarazisë e të padrejtësisë politike, sociale dhe ekonomike. Demokracia jonë e çalë sot kalamendet e përgjumet nga pafuqia, sokakëve të varfërisë ekstreme dhe përdhunohet çmendurisht brenda pallateve luksoze qeveritare e parlamentare. Vitet e kanë zbehur, mpakur e mplakur, cunguar, zverdhur e shterpëzuar atë.

Mbi shpinën e saj sot lozin, gajasen, qeshen, tallen e majmen dallkaukët, delenxhilerët, karagjozët, aventurierët, kriminelët e piratët modernë politikë. Vështirë ta njohësh sot atë të ëndërruarën e dikurshme.

Aq më shumë kur leksionet për të e funksionimin e saj dalin lumë nga goja e njerëzve, që gishtin e kanë mbajtur tërë jetën në këmbëzën e pistoletës së drejtuar kokës së saj.

E absurdi nuk mbaron këtu.

Demokracinë tonë e drejton ekzekutivisht një kastë mikse politiko-kriminaloekonomike e rregulluar me parime të një organizate mafioze, në krye të kupolës të së cilës qëndron një paranojak manjakodepresiv.

Jetojmë kohën e rënies së ideologjive, e zbrazjes së idealeve e vlerave dhe kohën e triumfit të idiokracisë, arrivizmit banal, të veseve e antivlerave humane e politike.

Në këtë teatër absurd, të qenurit spektator është një vuajtje pa fund, një gjendje sociale statike pa rrugëdalje, e cila qelbet kalbëzim për shkak të kalbësirave, në dorë të të cilëve janë lënë fatet e që rrethojnë e komandojnë sot dëshirën për jetën, të mirën e të vërtetën.

Si për çudi, dërgatat ndërkombëtare japin ende oksigjen pandërprerë për gjendjen në koma të saj dhe për jetën e kastës së regjimit të ri.

“Sakrifica” e tyre e kërkuar për hir të një stabiliteti virtual tingëllon mediokre dhe jashtë kornizës së vlerave, në emër të të cilave ushtrojnë funksionet e tyre.

Më shumë se sakrifica, ato gjykohen në opinion si shina okulte, nga ku individë të caktuar nuk dalin dot dhe që i bën ekzekutorë të urdhrave të zbrazët.

Për të tjerët, për shumicën, ajo që kasta e re në pushtet servir dhe imponon, janë bindja dhe nënshtrimi ndaj autoritetit arbitrar të një pushteti që kërkon të çimentohet me formulat e një sistemi me zgjedhje të blera, me liri tregu të deformuar, me liri fjale të censuruar e liri jete mizerabël.

Gjë që është duke e arritur, nëse nuk reagojmë, nëse ne nuk revoltohemi.

Diku kasta e arrin duke u shfaqur me dhunë, diku me mjerim, diku me interesa, diku me dajak, diku duke demonstruar policë e diku me ligj të hartuar e shpikur enkas.
Diku në emër të shtetit e diku në emër të Europës.
Ndërkohë, shurdhimi me propagandë është frenetik dhe i pamatë.
E në të gjithë këtë tollovi absurde, qytetarit i duhet të zgjedhë.

Midis VETËVRASJES kolektive, nëpërmjet bindjes e nënshtrimit të heshtur dhe REVOLTËS, nëpërmjet protestës e re agimit.
E para i heq tubin e fundit jetëdhënës demokracisë e frymëzon vdekjen. E dyta e
ballafaqon e fuqizon e performon dhe lëviz jetën. Korrigjon e drejtpeshon demokracinë.
Shpëtimi nga çdo e keqe, pra, mbetet Revolta.

Prandaj Albert Kamy, filozofi i absurdit dhe njeriut të revoltuar, jo më kot shkruante
se “arti dhe revolta nuk vdesin veç me njeriun e fundit”.

Dhe ashtu siç mëtonte ai, në kohërat e mjerimit, të pabarazisë, të përbuzjes kolektive të qytetarëve, të një sistemi grabitës, në kushtet e shkeljes së lirisë e të drejtave politike e njerëzore, siç ndodh tek ne, vetëm revolta e pandërprerë mund ta shpëtojë vendin, shoqërinë, demokracinë.

Vetëm revolta sjell ndryshimin e dëshiruar dhe vetëm ajo drejton demokracitë e
përkulura nga korrupsioni, arroganca e abuzimi.

Revolta rrëzon e ka rrëzuar diktatura dhe është ajo që përmirëson demokracitë e
brishta dhe që kanë devijuar, si kjo e jona, drejt regjimeve kleptokrate, të cilat kanë
mburojë fasadat e retorikat.

Situata absurde e jona e kërkon domosdoshmërisht Revoltën.
Dhe në këtë pikë, “djegia” e mandateve ishte akti i një revolte si pikëmbërritje e një
serie zemërimesh politike, kërkesash të pakonsideruara e vrasjesh seriale të dialogëve
nga maxhoranca.
Një revolte megjithatë gandiste. Por kjo për kushtet e Shqipërisë nuk mjafton.
Revolta duhet të kapërcejë stadin gandist, pasi përballë kemi një portë të blinduar që
nuk dëgjon më të thirrura e as vetëm me disa xhama të thyera.
16 dhe 21 shkurti si dufi i duhur qytetar, midis granatave difensive e gazit lotsjellës,
ishin preludi i këtij kapërcimi. Ato dëshmuan se revolta ka nisur dhe nuk ndalet.
Njerëzit e kanë të qartë.

Midis dilemës, sot, pjesa dërmuese e njerëzve kanë zgjedhur të revoltohen e të
protestojnë bashkë me ne. Kjo ndërton shpresën e të ardhmen!

“Revoltohemi, pra, ne ekzistojmë”, do shprehej Kamy

SHKARKO APP