Bisedë e munguar me ministrin Saimir Tahiri
Një shtyp me të vërtetë i lirë nuk ka asnjë detyrim të mbrojë politikën e shtetit, siç nuk ka edhe asnjë detyrim që të ngurrojë kur vjen rasti për ta mbrojtur atë”, Jerry ter Horst ish-sekretar i shtypit për Presidentin Gerald Ford.
Kjo shprehje e një prej ikonave të medias amerikane, por dhe njohësve më të mirë të marrëdhënieve që zyrat e shtypit krijojnë me mediat do ishte shumë aktuale për qasjen që unë personalisht dhe media ku punoj kemi me institucionet publike.
Zoti ministër, gjatë karrierës time modeste në gazetari, por edhe parimeve të mësuar si gjatë fazës akademike, por edhe në median ku jam aktualisht, përgjithësisht kam zgjedhur që me drejtuesit e ministrive, drejtorive të policisë apo organeve të tjera ligjzbatuese (edhe kur ju ishit në opozitë), të kem marrëdhënie kundërshtare dhe jo servile apo konformiste për favore personale apo interesa të tjera jashtë profesionit.
Në asnjë rast media ku punoj dhe as unë personalisht, as ndonjë gazetar tjetër i redaksisë së “News24″ nuk kemi kërkuar të favorizohemi apo të trajtohemi selektivisht në dhënien e informacioneve zyrtare ana juaj. Por gjithmonë me shumë kortezi ju kemi kërkuar barazi dhe trajtim transparent për informacionin zyrtar.
Ata gazetarë që kanë pasur mundësinë të punojnë me ju e njohin fare mirë metodën tuaj të joshjes: “Po ta nis ty të parit, por mos i thuaj njeriu se ta dhashë unë” (për këtë ka edhe prova ). Në këmbim duhet që të mos publikosh asgjë që mund të prish imazhin e ministrisë dhe Policisë së Shtetit.
Vazhdimisht si media ju kemi shprehur shqetësimin për trajtimin e diferencuar në përcjelljen informacionit zyrtar nga Ministria e Brendshme si dhe drejtoritë e policive në qarqe. Shqetësim ky, që në dijeni time iu ka ardhur edhe nga disa media të tjera.
Respekti dhe vlerësimi është maksimal për punën, përkushtimin, devotshmërinë e gazetarëve të mediave konkurrente, për të gjitha sakrificat që ata kanë bërë për të përcjellë informacione, qofshin dhe këto ekskluzive që vijnë si rezultat i punës së tyre hulumtuese në funksion të shqetësimit publik.
Por nuk mund të rrimë gojëkyçur kur shohim se si ju në mënyrë permanente vijoni që prej 1 viti e gjysmë të influenconi me informacionin zyrtar në tregun mediatik.
Vazhdimisht keni kërkuar që mediat të publikojnë vetëm informacion të komunikatave zyrtare që ju shpërndani dhe asnjë lajm tjetër, këtë e bëtë edhe në takimin e parë informal me gazetarët e “kronikës së zezë”, dy javë pasi kishit marrë detyrën. Kërkesë kjo, që u refuzua nga pjesa dërrmuese e gazetarëve që njohin më së miri rolin e tyre në shoqëri.
Në rast se ju dëshironi të arrini standardin për qëllime praktike, ku si lajme të transmetohen vetëm komunikatat që dërgoni zyrtarisht, atëherë nuk kemi pse të flasim për lirinë e medias, as për demokraci, por të flasim për sistemin e kontrollit të centralizuar dhe media shtetërore dhe si rrjedhojë i nderuar z.ministër propozoni ndryshimin e Kushtetutës dhe të gjitha ligjeve të tjera që i japin medias lirinë për të shprehur informacion që “shqetëson publikun”.
Besoj se kanë kaluar jo pak vite që nga dita kur u ndamë me sistemin e vjetër dhe ku media bënte “Gazetari tufe” si rezultat i imponimit të sistemit totalitar, por kjo do të ishte e dëmshme pasi do sillte interpretime të përbashkëta të gabuara dhe përtaci kolektive për të mos renditur të meta të tjera, që do ishin rrënim i plotë për një qeverisje të shëndetshme në shërbim të mirëqenies së qytetarëve të saj.
Kjo mund të sillte domosdoshmërinë jetike të qytetarëve për media të tjera, për kanale të tjera komunikimi të së vërtetës.
Në rast se media në bllok zgjedh të bëhet palë me qeverinë dhe të transmetojë vetëm atë çka ju doni, atëherë pyetja që shtrohet është “mos vallë kur të plasin skandale korrupsioni, apo abuzime të tjera, publiku do e akuzojë median për fshehje të së vërtetës apo do të vlerësojë ‘aftësinë’ e qeverisë për t’i mbyllur medias zërin?”
Gjithë shqetësimi juaj ka të bëjë me shumë dokumente të brendshme të policisë dhe Ministrisë së Brendshme të publikuara gjatë kohës që ju drejtoni Ministrinë e Brendshme.
Ka pasur shumë raste kur media dhe reporterët kanë mbajtur të pabotuara disa informacione që në rast se do publikoheshin, mund të shkaktonin dëme për sigurinë kombëtare. Ju vetë jeni dëshmitar i një materiali të klasifikuar sekret, që media “News24″ nuk e botoi në mesin e muajit shtator. Duke iu vënë në dijeni edhe ju, bashkërisht arsyetuam se nëse do botohej, mund të cenohej siguria dhe imazhi i vendit tonë.
Por nuk mund të konsiderohet sekret një shkresë e brendshme e Policisë së Shtetit në të cilën publikoheshin fakte dhe të dhëna se si një strukturë e tërë e policisë së Tiranës kishte dështuar, ishte treguar e paftë, nuk kishte vepruar për kapjen e autorëve të një prej vrasjeve më të bujshme të 24 viteve të fundit. Vrasja e bankierit Artan Santo, ngjarje kjo që sot e kësaj dite vijon të jetë pa autor.
Në lartësinë e shërbimit dhe informimit për një shqetësim të komunitetit që kishte të bënte me garantimin e rendit dhe sigurisë e publikuam shkresën 1 muaj pas vrasjes, me qëllim që përtej propagandës suaj politike, qytetarët të kuptonin se çfarë nuk kishte funksionuar vërtet në punën e policisë dhe se cilat vijonin të ishin dobësitë e policisë për të reaguar me efektivitet ndaj krimit të organizuar dhe vrasjeve mafioze.
Sa për rikujtesë, por edhe për një diskutim që jo zyrtarisht nuk keni dashur dhe as nuk doni ta bëni, në muajin nëntor publikuam një shkresë me nivelin e klasifikimit “I kufizuar”, që shpaloste para syve të qytetarëve se policia kishte dijeni se “në lokale nate, tallava përdorej kokainë, heroinë dhe femra të kamufluara në pamje të parë si balerina, këngëtare apo banakiere, që më pas shfrytëzoheshin për prostitucion”. Gjithashtu, në të njëjtën shkresë, të firmosur 5 muaj para se të ndodhte tragjedia me katër viktima në një tallava, thuhej se “Informacionet flasin se një pjesë e tyre mbrohen nga punonjës dhe të strukturës së policisë ose informohen prej tyre në raste kontrollesh nga policia, çka bën të nevojshme investimin e punës në këtë drejtim për verifikimin e këtyre të dhënave dhe parandalimin e goditjen e këtij fenomeni”.
Për pesë muaj policia nuk bëri asgjë, madje sipas informacioneve që ju dispononi edhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, shefa komisariatesh apo drejtues të tjerë policorë paguheshin “nën dorë” për të bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh për problematikat e evidentuara.
Po ju sjell edhe një rast tjetër ilustrues. Në muajin gusht publikuam një komunikim të brendshëm të zv/drejtorit të policisë së Tiranës në atë kohë, që pranonte se “policia e rendit dhe ajo rrugore kishte vendosur me mijëra gjoba abuzive gjatë orëve të natës, në rrugë dytësore dhe pa sinjalistikë të nevojshme”, shto këtu dhe faktin tjetër që “policia ndalonte pa justifikim të arsyeshëm dhe duke mos i raportuar në sallën e koordinimit automjete”.
Tani pyetja etike dhe parimore që shtrohet është “A duhet që ne materialet të mos i publikonim për shkak të kërcënimit për ndjekje penale ose arrestim nga ana juaj, apo të mbështesnim “shqetësimin e qytetarëve” dhe faktet që ju si polici nuk kishit reaguar për një fenomen shqetësues për publikun.
Ne preferuam t’i qëndronim parimit se “Në qoftë se mund të tregohet që ekziston një nivel i lartë i interesit publik në publikimin e dokumenteve dhe se nuk janë veprime me keqdashje, atëherë ekziston një e drejtë më e fuqishme e privilegjit të cilësuar për t’i publikuar ato”.
Më mirë një shkresë me vulë dhe firmë se sa një gazetari të mbështetur në citimet e burimeve të paidentifikuara që bëhet në rastin më të mirë si amatorizëm dhe në rastin më të keq, një gazetari mercenare në funksion të propagandës shtetërore.
E papranueshme është që ju, në funksion të synimit për të mbajtur të centralizuar informacionin, të nisni një fushatë hetimesh dhe ndjekjesh “me iniciativë” siç pëlqeni t’i cilësoni ndaj gazetarëve, madje duke i përndjekur ata në të gjithë aktivitetin e tyre profesional, familjar dhe privat.
Kërcënimet tuaja se keni nisur hetime intensive (për të cilat prokuroria nuk ka dijeni) ndaj gazetarëve, madje shpreheni se mund t’i arrestoni ata apo të bastisni redaksi mediash për publikimin e dokumenteve të brendshme të policisë, nuk do e zbehin vendosmërinë tonë për të vijuar publikimin e çdo materiali që është në funksion të “shqetësimit publik”.
Mund dhe të na arrestoni, në dorë e keni, por një gjë është e sigurt; si dje, sot por edhe nesër kur ju të mos jeni më në pushtet, të drejtën e sanksionuar të medias për t’u dhënë zë shqetësimeve të publikut nuk mund ta ndaloni.
Ndryshe nga ju z.ministër, kemi guxim të jemi transparentë me publikun, t’i themi atij se çfarë shkon mirë dhe çfarë shkon keq në qeverisjen e vendit.
Kur zgjohemi në mëngjes nuk mendojmë se si të ruajmë dokumentet zyrtare, apo sekretet e policisë, por si t’i zbulojmë dhe t’i publikojmë ato dhe si t’i tregojmë besnikërisht publikut atë që bën qeveria. Jemi në këtë profesion sepse kemi bindjen që transparenca është rruga më e mirë për të kontrolluar qeverisjen.
Në shumë raste nuk kemi nguruar, por me bindje të plotë kemi raportuar, ndihmuar që operacione të ndryshme policore të finalizohen me sukses, duke i përcjellë publikut rëndësinë dhe aspektet pozitive që përfiton komuniteti. Për këtë nuk presim as të na falenderoni, as të na përgëzoni sepse ne nuk e bëjmë këtë gjë për hir të ministrit apo drejtorit të policisë, por se besojmë fort se arritja e konsolidimit të institucioneve të shtetit të së drejtës do t’i shërbente shoqërisë.
Në fund për ta mbyllur, ne jemi të njëjtët gazetarë dhe e njëjta media të cilën ju, kur ishit një deputet opozitar, e vlerësonit për kontributin që jepte për nxjerrjen në pah të problematikave dhe shqetësimeve të qytetarëve. I vetmi që ka ndryshuar pozitë dhe këndvështrim të mënyrës se si i shikon qytetarët dhe hallet e tyre jeni ju.