“Bomba” e radhës e Vasilit
Paqja e vendosur me intervista mes Ramës dhe Metës dhe qëndrimet se marrëdhëniet PS-LSI janë normale, nuk janë marrë seriozisht as nga vetë përfaqësuesit e dy kampeve. Prej tre ditësh, eksponentë dytësorë të PS-së dhe LSI-së kanë hedhur akuza me shumë “helm” ndaj njëri-tjetrit.
Fillimisht, ish-kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi pranoi të komentonte atë që është quajtur “Pazar i Roskovecit”, por që në 21 qershor u hap në Pogradec. Drejtuesit e LSI-së kanë thënë se në këtë bashki është bërë marrëveshje mes PS-së dhe PD-së për të sjellë humbjen e kandidates së LSI-së. Për Artan Shkëmbin, humbja nuk erdhi nga PS-ja, por nga kandidatja e LSI-së. Një akuzë kjo që i bëhet personalisht kreut të Kuvendit dhe LSI-së, Ilir Meta, i cili zgjodhi emrat e kandidatëve dhe mori edhe miratimin e Ramës. Por ish-kandidatja e LSI-së, Diana Mile nuk e ka vonuar në përgjigjen e saj. Në një intervistë për “Panorama”, e ka shtuar dhe më shumë dozën e akuzave, duke etiketuar pikërisht Artan Shkëmbin si pjesë të pazareve që u bënë për humbjen e saj në këtë qytet.
Kur dukej se çështja e Pogradecit ishte një debat mes ish-kryetarit dhe ish-kandidates së majtë, një sinjal tjetër i fortë ka ardhur nga Lezha, aty ku duket se i dhemb dhe më shumë humbja LSI-së. Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka, më shumë se analizë të humbjes, ka bërë akuza. Sipas tij, humbja erdhi për shkak të drejtorëve të LSI-së në Lezhë, që krijuan distancë me elektoratin e PS-së dhe si pasojë e kandidaturës së Viktor Tushës, i cili garonte për një mandat të tretë. Ndoka, një emër relativisht i ri në Partinë Socialiste, duket se nuk ka thënë vetëm mendimin e tij, por edhe të ministrave dhe koordinatorëve të PS-së që morën pjesë në fushatën e Lezhës.
Në këtë batare akuzash me armë të lehta, duke parë emrat e PS-së që kanë nisur sulmin, LSI-ja ka vendosur të përdorë artilerinë e rëndë. E më mirë se Petrit Vasili, kryetar i Grupit Parlamentar të LSI-së dhe nënkryetar i partisë, nuk ka se kush t’u përgjigjej sulmeve mbi LSI-në. E në stilin e komunikimit publik të LSI-së, shpeshherë Vasili parathotë atë që ka në mendje Meta. Në një intervistë për “Ora News”, Vasili është treguar i kujdesshëm të mos bëhet pjesë e replikave me Shkëmbin dhe Ndokën. Kritikat i ka injoruar, duke thënë se nuk ka lexuar intervistat. Por duke lënë pas cic-micet, Vasili nuk merret me debatet, por me thelbin e qeverisjes. Ai thotë se politikat fiskale të qeverisë duhen rishikuar. Sipas tij, politikat fiskale që nuk kanë sjellë rritje ekonomike duhen rishikuar. Një sinjal se për paketën fiskale që do të diskutohet në Kuvend, LSI-ja mund të vendosë kushtet e saj ndaj kryeministrit Rama.
Një sinjal të qartë, Vasli ka dhënë edhe për ligjin e kthyer nga Presidenti Bujar Nishani për Turizmin. Ai ka deklaruar se do të lexohen argumentet e Presidentit dhe duhet respektuar Kushtetuta. Në fakt, kreu i shtetit me dekretin për kthimin e ligjit deklaronte pikërisht këtë gjë, mazhoranca ka shkelur Kushtetutën. Vasili nuk sulmoi kreun e shtetit, siç ka bërë PS-ja prej dy javësh, por pranoi se mund të ketë diçka që duhet rregulluar në këtë ligj. Pra, një qëndrim ndryshe nga Partia Socialiste.
Së fundi, por e para si çështje e ditës janë ndryshimet në qeveri. Vasili tha se për këtë çështje duhet pyetur Kryeministri. Por nga ana tjetër, ka deklaruar se Kryeministri është në detyrë dhe se parlamenti është ai që kontrollon punën e Kryeministrit. Rama ka thënë se nuk ka ndryshime në qeveri, por Vasili i ka kujtuar se është Parlamenti ai që vlerëson punën e Qeverisë. Një mesazh që Rama duhet ta marrë në konsideratë. Qëndrimet e numrit dy të LSI-së edhe theksimi se marrëdhëniet Meta-Rama janë të mira, nuk heqin dyshimet se koalicioni PS-LSI nuk e ka më entuziazmin e ditëve të para. Ndryshimi është se nga faqet e shtypit, deklaratat mund të kthehen në qëndrime konkrete në Parlament me nisjen e sesionit parlamentar.