Boshllëku artistik si synim politik
Nga Arben Braçe –
Sapo u dëgjuan zërat për prishjen e Teatrit Kombëtar, i revoltuar prej dhunës së ushtruar ndaj artit, në debat me një aktor të mirënjohur i kam sugjeruar me ton kritik : “Përse nuk vendosni në skenë, drama të mirëfillta, që stigmatizojnë diktaturën, sundimin autoritar, korrupsionin, dhunën shtetërore, perversitetin moral politik e të tjera sikur këto ?”
Me një qetësi të admirueshme, mjeshtri i skenës, duke më lëshuar ngadalë shtëllungat e tymit të duhanit para syve më tha: “Ministria e Kulturës dhe drejtori i teatrit i pergatisin me shumë kujdes këto politika, zgjedhin pjesët që do vihen në skenë”, duke më lënë të kuptoj që nuk kishte aspak vend për kundërpërgjigje nëpërmjet artit, dhunës së ushtruar prej qeverisë, si dhe për të zgjuar ndërgjegjen publike nga indiferentizmi.
Natyrisht koha vërtetoi shumë gjëra. Prishja e Teatrit dhe “boshllëku artistik”, që po përjetojmë, provon asgjesimin kulturor si një strategji për të shkëputur njerzit e kulturës dhe të mendimit nga misioni i tyre moralizues.
Urrejtja ndaj artit dhe kulturës dhe lufta për asgjesimin e tyre kishte kohë që kishte filluar, bashkarisht me futjen dhe kontrollin e ekonomisë nga disa duar të vetme si dhe paralel me kapjen dhe përdorimin e sistemit të drejtësisë për interesa të ngushta politike.
Normalisht, të gjithë tiranët dhe armiqtë e fjalës së lirë, përherë janë përpjekur të fusin artin dhe kulturën në kallëpet e ideologjisë, që t’i shërbejë delirit të tyre pafundësisht, ose kanë luftuar ta shndërrojnë atë në shkapërderdhje kotësish, si një argëtim të thjeshtë tej çdo morali.
Mjaft të lexosh “ Mefistotelin” e shkrimtarit Klaus Man dhe nuk të nevoitet fokus tjeter për të parë “kujdesin” e vetë Adolf Hitlerit, karshi teatrit të kohës dhe devizës që ai duhet t’i jepte “kauzës” së tij. Musolini shkroi tre shfaqje, ku me idenë fashiste barazonte, jetën, artin dhe politikën, duke bashkuar mitin me realitetin.
Çezarët totalitarë, ranë në banalitet, duke e perdorur artin dhe kulturën në funksion të ideologjisë për ruajtjen e statukuosë së pushtetit politik.
Gjithsesi edhe në “erën totalitare”, pati një dritare të ngushtë dhe në skenat tona u luajtën mjeshtërisht disa kryevepra të letërsisë e dramaturgjisë botërore sikur “Arturo Ui”, “Nata e 12”, “Shumë zhurmë për asgjë”, “Intrigë dhe dashuri”, “Revizori” e shumë të tjera.
Në kundërshtim me gjithçka që është bërë më parë, në të gjithë historinë tonë artistike, për herë të parë KM, po e shtyn artin dhe kulturën tonë në “epokën e boshllëkut artistik”
Me shëmbjen e “shtëpisë së artistëve”, me mbytjen e frymës së tyre me dhunë përligjet ajo që thoshte me të drejtë Hajdeger se: “Mendimi përllogaritës”, është ai që e ka futur “Mendimin përsiatës”, kulturën e thellë, nën këmbët e tij”
Oligarkia financiare që ka futur gjithë vendin në duar, nuk i intereson kurrsesi arti, kultura, mendimi i lirë, sepse njerzit e artit e kulturës e kanë luftuar përherë tiraninë e mendimit përllogaritës, duke e quajtur marrëzi.
Artisti ka qënë perherë në luftë me filistinin që ka një botë të ngushtë kulturore dhe asnjeherë nuk është përulur karshi vullnetit të pushtetit.
Për ne shqiptarët, që u shkëputëm me shume vështirësi nga “mazohizmi moralizues” i diktaturës, rënia në “boshllëkun artistik” ku e ka çuar artin “Rilindja”, është një tjetër marrëzi, është një përpjekje për të përgatitur nje brez të mpirë dhe të alienuar, që nuk reagon karshi dhunës shtetërore dhe padrejtësive.
Për të rivendikuar edhe një herë, pozitat e shenjta të artit dhe kulturës, padyshim që veprimi i parë që do t’i duhet të bëjë, atij që do të marrë votën e vërtetë të sovranit, larg vjedhjeve dhe manipulimeve duhet te jetë: “vënia në skenë, në shtëpinë e artistëve, qoftë edhe në rrënojat e teatrit tē një vepre që stigmatizon lirinë dhe luftën per demokracinë, si një promovim i kultures dhe i mendimit përsiatës, si vlera e vetme që do të
sjellë lirinë, pa të cilën e ardhmja është pa kuptim.
https://www.facebook.com/arben.brace/posts/10217490846076313