“Bossi” përballë fondeve publike…protestat dhe Reforma në Arsim

Nga Aranit Muraçi

Përfaqësues të Universitetit Publik dhe disa studentë, (këta të fundit ndoshta nuk e dinë as vetë se përse protestojnë dhe ç’kërkojnë), kanë zhvilluar kohët e fundit disa protesta mbi reformën në Arsimin e Lartë. Janë ndezur gjithashtu diskutime në oborrin akademik, mbi mënyrën sesi do të shpërndahen fondet publike. Por pyetja shtrohet se çfarë e shtyn Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, ashtu edhe qeverinë, për të miratuar një projektligj, që sipas tyre ka për qëllim thjesht të rrisë cilësinë.  E nëse qeveria ka të drejtën e saj morale të ndërhyjë për të reformuar sistemin arsimor, sepse është e votuar për një gjë të tillë nga elektorati, (ndryshe nga të zgjedhurit në universitete), më tepër këtë projektligj e sheh si mënyrë të mos ndëshkohet rëndë në zgjedhjet e ardhshme nëse nuk vë dorë. Por nga ana tjetër “akademikët, profesorët dhe pedagogët e zgjedhur dhe të preferuarit historikë të politikës”, po e ngrenë zërin si tepër të shqetësuar, vetëm për shpërndarjen e fondeve. Dhe pyetja tjetër që ngre dilema mbi kërkesat e tyre të pre-supozuara të drejta, është se përse nga këta të fundit nuk kanë protestuar deri tani asnjëherë për mungesën e theksuar të studimeve shkencore. Dhe përse nuk ngrihen studentët bashkë me përfaqësuesit e ndershëm të oborrit akademik, që padyshim ka edhe të tillë, si më të shqetësuar, për të pasur një sistem arsimor sa më drejtë, dhe të pa-korruptuar, përderisa konsiderohet gjerësisht nga të dhënat, arsimi renditet si ndër më të korruptuarit në vend. E përmbledhur, të protestojnë dhe të thonë sesi mund të ngrihet një sistem tjetër arsimor, që të afrojë më tepër dije, garë, dhe  të jetë sa më i besueshëm për publikun.                 

Megjithatë, Kapitulli 12 i projektligjit për Arsimin e Lartë në Shqipëri ka ngjallur debate mes Universitetit të Tiranes dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.

Disa nga akademikët kërkojnë që kjo pjesë e projektligjit të  mos miratohet.

Sipas tyre fondet publike nuk mund të përdoren për të financuar universitetet private.  Por krejt ndryshe mendon Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, e cila thotë se universitetet fitojnë më tepër pavarësi për të rritur të ardhurat e tyre dhe më kryesorja për cilësinë, për të cilën për të cilën përfaqësuesit e oborrit akademik as janë shqetësuar ndonjëherë.

Por megjithatë ndryshimet që i janë bërë nenit 117  në këndvështrimin e akademikeve lejojnë institucionet e Arsimit të Lartë privat të përfitojnë fonde nga publiku, pa hequr dorë nga asetet e tyre. Senati i Universitetit të Tiranes këtë e sheh të parakohshëm dhe që lë vend për abuzime. Por ministria mbron argumentin se këto institucione mund të funksionojnë vetëm si fondacione jo-fitimprurëse. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca, thotë se Universiteti i Tiranës i ka konfirmuar ministrisë se është pro reformës së ndërmarrë nga qeveria. Ndreca pretendon se kreu i Universitetit të Tiranës, ka konfirmuar se ligji është shume i mirë dhe në asnjë rast nuk është formuluar nga Rektori Kule, që ai është antikushtetues.

Sekretari i Përgjithshëm e cilëson këtë si një qëndrim të ri që vjen pas miratimit të projektligjit në qeveri, por sipas tij pa baza, pasi Ndreca thekson se asnjë dispozite nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën. Nga 24 vërejtje që Senati i Universitetit të Tiranës i ka paraqitur Ministrisë, sipas Sekretarit të Përgjithshëm, 19 prej tyre janë marrë në konsideratë nga komisioni dhe janë reflektuar në projektligj.

Debati i fundit për Arsimin e Lartë, mund të quhet ndryshe, shumë “zhurmë për asgjë”. Të rinjtë studiojnë vitet e fundit edhe në universitetet publike dhe në ato private. Por ndryshe nga drejtuesit e universitetit publik  studentët nuk pyeten kurrë, për asgjë. Nuk përfshihen në asnjë proces vendimmarrje dhe shumë prej tyre mendojnë se edhe sot e kësaj dite ecet me praktika, sipas mësimeve të partisë së para viteve ‘90, kohë kur edhe shumë prej tyre janë diplomuar “si nxënës të shkëlqyer dhe shembullorë të shokut Enver”.  Shumica prej përfaqësuesve të universiteteve publike karrierën e kanë të ndërtuar në bazë të preferencave politike, e jo nëpërmjet ndonjë gare me kolegët e tyre mbi dijen, personalitetin, apo për hir të studimeve shkencore. Edhe universiteti privat në fund të fundit, kërkon kujdesen e shtetit, kjo mbase nga mënyra se ku ka degraduar ai publik. Studentët duan cilësi në mësimdhënie, një diplomë që të ketë sa më tepër vlerë dhe më pas kur të dalin në tregun e punës në Shqipëri, që të mos tallet kush me ta apo t’i nëpërkëmbë për gjithçka kanë gatuar “përfaqësues të oborrit akademik”.

Të rinjtë duan të studiojnë në Shqipëri dhe të trajtohen si çdo student tjetër evropian, të konsiderohen të tillë. Dhe të mos detyrohen të paguajnë për një notë kaluese, për të blerë kartonë pa vlerë, apo edhe më tej, për të siguruar një vend pune, “me miq e para”. Nuk duan shumica prej tyre, që e ardhmja të varen nga këto praktika korrupsioni, praktika që i shërbejnë një pjese  të caktuar të shoqërisë që i nuk jep asgjë vendit, veçse “i vjedh një rrogë”.  Mbi këto praktika pa asnjë të ardhme për vendin, çuditërisht askush nga oborri akademik nuk flet dhe as nuk është shqetësuar ndonjëherë. Biri i një politikani në Itali, (Bossi) pa qenë asnjë ditë në Shqipëri, arriti të diplomohej në një nga universitetet private pak kohë më parë. A nuk ishte kjo shfaqja më e shëmtuar e diplomimit dhe prishje flagrante e garës në universitetet publike dhe në ato  private shqiptare. Por pse nuk u ngrit askush nga oborri akademik publik, në protestë?

Shpërndarja e fondeve publike, kush të përfitojë më tepër para nga taksapaguesit e gjerë, mbetet shqetësimi i tyre kryesor dhe i vetëm siç duket, dhe atëherë kur ky shqetësim të marrë fund, ndoshta nis një epokë tjetër, me më tepër shpresë për të rinjtë dhe arsimin në Shqipëri.  E sigurtë është se këtyre të fundit, nuk iu intereson aspak debati i fundit mbi arsimin.               

SHKARKO APP