Bota e mori vesh. Çfarë do të bëjë politika jonë pas tërheqjes së Trump?

Nga Frrok Çupi –

Presidenti Donald Trump, në orën e njoftuar prej tij, dje në 2 p. m (sipas orës lokale) njoftoi se do ta tërheqë Amerikën nga Marrëveshja nukleare me Iranin. Gjithë sytë e botës ishin drejtuar nga tryeza e punës e Donald Trump ku shpallej vendimi. Presidenti i Shteteve të Bashkuara që doli nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, i betuar në doktrinën e tij “America First”, iu dha amerikanëve edhe një dhuratë tjetër të çmuar të premtuar qysh gjatë fushatës elektorale dhe që shkon në dobi të amerikanëve. Presidenti Trump, disa orë para se të nënshkruante tërheqjen nga Marrëveshja “e kalbur’, siç e quajti, deklaroi se qeveria amerikane ka marrë të gjitha masat që të mos pësojë asgjë nga tërheqja prej Marrëveshjes. Ai korrigjoi edhe një nga pikat e errëta të qeverisjes së presidentit Obama që krijoji dyshime të mëdha mbi fuqinë reale të Shteteve të Bashkuara. Gjatë fushatës presidenciale, Trump kishte deklaruar se Amerika “drejtohet nga liderë budallenj”, duke nënkuptuar akte të mbrapshta në dëm të Amerikës, siç ishte edhe marrëveshja me Iranin në korrik të vitit 2015.

Zoti Trump e mori vendimin e tij në një moment kur aleatët Europianë nuk pajtoheshin me ‘tërheqjen “e Amerikës, duke predikuar “pasoja të rrezikshme”, deri edhe fillimin e luftës me Iranin. Presidenti i Francës, Macron dhe ministri i Jashtëm i Britanisë, Johnson, udhëtuan me emergjencë drejt Shteteve të Bashkuara, në takime me qeverinë, me plane “B” në duar, duke kërkuar që Amerika të mos tërhiqej nga marrëveshja. Vetë presidenti i Iranit Hassan Rouhani, menjëherë pas fjalimit të Trump i zbuti tonet duke thënë para popullit se “do të kalojmë përmes këtij vendimi”.

Por presidenti Trump vendosi në dobi të Amerikës dhe të një bote të epokës së re. Marrëveshja bërthamore me Iranin e nënshkruar në Vjenë në vitin 2015, nën kujdesin e Obamës, limitonte mundësitë e Iranit për prodhimin e armëve bërthamore. Por nuk e detyronte Iranin që të hiqte dorë nga prodhimi i armës bërthamore. Ndërkohë gjithë bota perëndimore ishte e informuar se Irani gënjente kur thoshte se ‘nuk po prodhoj më’ edhe pas Marrëveshjes. Marrëveshja e nënshkruar nga 5+1 shtete të fuqishëm ( Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania), sanksiononte heqjen e sanksioneve ndaj qeverisë së Iranit si kompensim të fjalëve që tha Irani  se “nuk prodhoj më armë bërthamore”…

Por kjo lloj marrëveshje ishte një ‘telash’ për qeverinë e Trump dhe në dëm të interesave kombëtare. Gjithashtu ajo i bënte dëm edhe vetë lirisë e demokracisë së popullit të Iranit dhe në Lindjen e Mesme.

 

Në pak minuta pasi Trump u tërhoq nga Marrëveshja, shumë ‘alarme’ që ishin ngritur nga aleatët, nisën të bien. Vetë zoti Boris Johnson shkroi në Twitter se “nëse Trump realizon tërheqjen nga Irani dhe çarmatimin e Koresë, atëherë meriton çmimin Nobel për Paqe”. Kryeministri i Izraelit, Netanyahu deklaroi se “e mbështet plotësisht’ tërheqjen.

Media perëndimore, sidomos britanike, ka komentuar se “Marrëveshja nuk është aq bardhë e zi sa po e bëjnë”…

Po të afrohemi në politikën e vendit tonë: Çfarë do të bëjë kjo sonte, pas aktit të fuqishëm që tronditi Botën? A do të bien të flenë politikanët tanë? Apo do të zihen me njëri tjetrin “e lagu, kush e lagu?!”. Apo mund të ndodhë më e mira: Që pas këtij vendimi kaq të fuqishëm, këta të kuptojnë se nuk janë për asgjë në raport me interesat e kombit- dhe të nisin të mbledhin plaçkat? Qeveria shqiptare është instaluar kundër Amerikës së Trump në vendimin e saj të Dhjetorit 2017 në OKB. A do të bëjë të njëjtën gjë kësaj here?. Qeveria ka dhënë shenja se është pranë qeverisë së Erdogan në Turqi, dhe lakmon qeverinë e Putin në Rusi. A do të jetë ky një rast për t’u afruar më shumë me Rusinë dhe Turqinë që janë kundër tërheqjes së Trump nga Marrëveshja me Iranin?.

Po Opozita, vallë po fle edhe sonte? Opozita PD është vetë konsideruar si ‘konservatore’, dmth., në krah të Trump, por asnjëherë nuk ka dëshmuar se është konservatore. Përkundrazi, liderët e PD janë thuajse të gjithë “pjellë e Soros” që është armiku më i madh i reformave të Trump. Edhe sot shoqëria e Soros u shpall kundër Trump në vendimin që mori.

Atëherë pyesim: Çfarë do të bëjë politika jonë sonte? Do të bjerë në gjumë? Apo do të marrë drejtimin e gabuar? Nesër do të jetë shumë vonë… Vendimi i Trump përcakton kufirin mes politikës së kalbur dhe nisjen e politikës së re në botë.

Kush do të jetë më i vonuari?…

Veritas.com.al

SHKARKO APP