Bota nuk është sa një top futbolli! Edi Rama, biseda private me Vuçiç
Serbia nuk është armiku ynë dhe ne duhet ta lëmë të kaluarën pas nesh, – i tha Kryeministri shqiptar Edi Rama, pas një takimi privat kryeministrit serb, Aleksander Vuçiç, gjatë vizitës së fundit në Beograd. Mediat serbe kanë zbuluar dialogun mes dy kryeministrave, që duket se pas vizitës së parë, janë pajtuar dhe kanë folur këtë radhë më paqësisht me njëri-tjetrin, ndonëse Rama nuk hoqi sërish dorë nga pretendimet e tij, duke i kërkuar homologut serb, që të njohë sa më shpejt Kosovën, ashtu siç është tani, shtet i pavarur. Ai theksoi se Serbia dhe Shqipëria duhet të punojnë së bashku për të siguruar një të ardhme tjetër, që Bashkimi Evropian të mbështesë sa më fort Ballkanin. – “Marrëdhëniet tona të jenë të tilla, për të shkuar përpara. Unë vendosmërisht besoj se, nëse Serbia heq qafe një “barrë” dhe përballet me realitetin e ri, për të njohur Kosovën, për vetë atë do të jetë më mirë, por të gjithë ne do të jemi më mirë,” – i ka thënë Rama. Më tej ai ka mbajti qëndrim, sesi duhet të jenë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe duket se Rama ndan të njëjtat pikëpamje me Berlinin zyrtar, që po negocion fort për të zbutur marrëdhëniet konfliktuale, mes dy kombeve të Ballkanit Perëndimor. – "Serbia nuk është armiku ynë. Serbia është potencialisht aleati yni më i rëndësishëm, me të cilën, ne popujt, në Serbi, Shqipëri dhe rajon, duhet të bëjmë shumë më tepër se kaq. Kjo është vendimtare, sepse ne kemi një armik të përbashkët: Varfërinë, papunësinë, shumë gjëra që janë trashëgimi e qeverisë së keqe nga e kaluara. Edhe këtu (Beograd), edhe atje (Tiranë). Kombet janë në kërkim të përgjigjeve. Futbolli po bëhet një çështje më e madhe kur probleme të tjera ndodhen pas nesh, si problemet që unë përmenda. Le të japim një të ardhme të begatë për popujt tanë. Le të bëjë që e kaluara të mos ndikojë në një të ardhme më të mirë, dhe së bashku, ne mund të të kemi një të ardhme më të mirë. Unë jam i sigurt për këtë. Le të bëjmë diçka të madhe së bashku. Le të mendojmë për vepra të mëdha. Ne nuk duhet të dukemi aq të vegjël, sa një ndeshje futbolli. Ajo është shumë e vogël. Bota është e madhe, një top futbolli është shumë i vogël, ” – i ka thënë Rama homologut të tij serb, në një takim privat që mediat e Beogradit e kanë publikuar sot, çka tregon vendosmërinë e Kryeministrit Shqiptar, që në takimin e dytë brenda pak kohësh në Beograd, kërkon të bindë humologun e tij për të ndryshuar një herë e mirë marrëdhëniet e ngrira mes dy vendeve. Kur dhe ku do të takohet herën tjetër Rama me Vuçiç, në Tiranë, apo përsëri në Beograd? – “Unë e ftoi atë për të ardhur në Tiranë, ia kam thënë në konferencën për shtyp, por edhe privatisht. Ai mund të vijë e të thotë çfarëdo që dëshiron në Tiranë dhe askush nuk do të ndihet i provokuar, askush nuk do të ndjehet i gabuar. Në të njëjtën kohë, ne duhet të bashkëpunojmë.”