Britma që kërkon të dëgjohet dhe të kuptohet thellë
Nga Ndriçim Kulla
Shumë trandje u kanë ndodhur këto ditët e fundit qytetarëve shqiptarë. Ndoshta në gjithë këtë furi lajmesh që vijnë nga të gjitha anët, nga deputetë, ministra, kryeministra e ish-kryeministra, kryetarë parlamenti, prokuror i përgjithshëm, gazetarë, opinionistë, e listën mund ta zgjasnim pa fund, ai që duket se nuk ka një zë të artikuluar qartë, fort dhe prerë (përveç shfryrjes nëpër rrjetet sociale) është pikërisht qytetari.
Ndoshta ky është fati i tij, të dëgjojë gjëra të padëgjuara, të shohë përplasje të paimagjinuara, të zhbirilojë me vramendje të pamerituar se kush ka të drejtë, në një kohë kur e drejta është vetëm një dhe e dalë tashmë tmerrësisht lakuriq në dritë të diellit: morali i demokracisë sonë parlamentare është rrënuar deri në masën e kalbjes nga kriminalizimi i ligjëratës, marrëdhënieve, e deri dhe të ideve.
Të flasësh për vrasje, për tritol të paplasur për një fije, për takime ministrash e prokurorësh me banditë, të shkëmbesh ato lloj kundërthëniesh në parlament e të heshtësh kur sheh që përreth teje bëhet hataja, duket jo normale, por e kalueshme, duket sajesë apo aktrim, por edhe ky i pranueshëm, duket gjithsesi diçka që mund të pritet në një fazë tranzicioni siç është kjo demokracia jonë. Jo, asgjë nuk duhet të duket kështu, jo, asgjë nuk mund të përligjet kështu, jo, asnjë çudi e madhe nuk mund të përfundojë kështu, është britma e zemrës së çdo qytetari shqiptar, që kërkon të dëgjohet dhe të kuptohet thellë nga i gjithë sistemi ynë vend.
Është pikërisht kjo britmë ajo që sot nuk po përllogaritet nga askush, nga asnjë palë, pasi ato janë duke lëpirë plagët që i kanë hapur vetes me këtë histori apo me menaxhimin e kësaj marrëdhënie. Ndoshta në zgjedhje dikush mendon se i intereson numerikisht kjo histori, ndoshta dikujt tjetri jo, por ajo që në të vërtetë duhet të “përllogaritet” thellë është se çfarë i intereson realisht qytetarit. Atij i intereson të zhduken njëherë e mirë nga televizioni dhe gazetat lajmet që kanë të bëjnë me kriminalizimin e parlamentit dhe të jetës politike, t’i jepet fund sistemit që i polli të gjitha këto lidhje e individë dhe që i ngjiti deri në postin e deputetit njerëz të tillë.
Çdo qytetar e kupton se në sistemin vend përfshihen shumë faktorë e në sisteme që janë të vështirë e të ndërlikuar për t’u reformuar, por kurrsesi nuk mund ta kuptojë që koka e këtij sistemi vend, demokracia parlamentare, të mos kontrollohet e moralizohet urgjentisht. Britma e këtyre ditëve duhet t’u ushtojë në vesh të gjithë kryetarëve të partive dhe vendim-marrësve në caktimin e kandidatëve për deputet apo kryetarë bashkish e komunash, që ta qashtërsojnë dhe liberalizojnë sa më shumë që të jetë e mundur përzgjedhjen.
Është vendimi më i thjeshtë dhe më i verifikueshëm nga çdo qytetar, në çdo rast votimi, por le të jetë që sot e tutje njëri nga kriteret më të rëndësishëm në vendimin se për cilën palë duhet të votojmë. Nuk duam më njerëz jo të inkriminuar, por as edhe të dyshuar nëpër postet e larta. Tek e fundit Shqipëria ka një gjeneratë të tërë teknikësh e intelektualësh që mund t’i mbulojnë fare mirë 140 deputetë, e më pas 61 bashkiakë, e kështu me radhë në postet më të rëndësishme të drejtimit.
Ndoshta është shumë sempliste diçka e tillë, e në të vërtetë ashtu është, por le ta nisim nga gjerat e thjeshta dhe të vogla, se kështu janë edhe të gjitha gjërat e shenjta. Le ta marrim si diçka “të shenjtë” kandidimin për t’i shërbyer popullit e ta shtrijmë këtë frymë morali, dalëngadalë në të gjitha fushat e tjera. Le ta marrin në mënyrë tmerrësisht të përgjegjshme problemin edhe ata që i përzgjedhin e caktojnë këta njerëz, sepse që sot e tutje fytyra, qëllimi dhe garanti i suksesit të çdo fushate të nisë nga emrat e ekipit të propozuar për drejtim.
Nuk është aq sempliste sa duket, sepse në epokën e informacionit dhe rrjeteve sociale, zhbirilimi i karrierës dhe të shkuarës së çdo personazhi, i vlerave dhe antivlerave që ai përfaqëson, dalin në shesh shumë shpejt. E po kështu dalin në shesh edhe hijet apo dyshimet e implikimit apo ndërthurjes së krimit dhe interesave ekonomike me politikën, pushtetin dhe opozitën. Kështu i bëhet një radiografi e menjëhertë edhe mënyrës se si do të funksionojë më vonë ky sistem me këta njerëz, se tek e fundit, siç thotë populli “ç’të mbjellësh do të korrësh”.
Nuk mund të presësh gjëra të ndryshme nga këto që po ndodhin, nga individë, intriga e marrëdhënie që i ke ngrohur më parë apo ke dalë në ballë me ta përkrah. Ka ardhur koha që ndershmëria dhe intelektualizma të bëhet gjaku i ri që duhet të rrjedhë në dejet e politikës dhe demokracisë sonë parlamentare. Ka ardhur koha që ky të jetë morali i ri që duhet të kapilarizohet edhe në të gjitha postet drejtuese, pasi është po kaq tmerrësisht i rëndë shpallja nga ana e prokurorisë e një aksioni që ka zbuluar lidhjet të forta të krimit me vetë administratën tonë publike.
Kjo plagë duhet kuruar pa kompromis dhe ilaçi më i mirë është një themel i fortë kulture dhe morali, madje edhe më shumë se profesionali, në karrierën e çdo kandidati. Natyrshëm me masë dhe pa kaluar në “barbarizmin e teknokracisë” që përmendin studiuesit, por me vendosmërinë se njerëz me një bazë të fortë kulture jo vetëm profesionale, por parësisht humane dhe njerëzore të jenë të privilegjuarit në kandidimet e së ardhmes në vend të të fortëve, të pasurve dhe të komanduarve të së sotmes. Është koha e duhur, është mesazhi i duhur që presin njerëzit, përpara se trandja dhe dëshpërimi i shpirtit të tyre të mos derdhet në antipolitikë.
"Mapo"