Budallallëku është gjithmonë argument

 

Nga Lorenc Vangjeli

Në Shqipëri konsumohet shumë më shumë histori dhe historira sesa mund të mbajë shpina dhe durimi i shqiptarëve. Historira, por jo politikë. Politikë është fjala e madhe dhe tërësisht e papërshtatshme për të përshkruar hilet e vogla, prapaskenat qesharake apo skemat e kafeneve për skenën shqiptare. Gjithçka varet nga pika e referimit: e parë nga Ndroqi, Tirana ngjan shumë moderne dhe jashtëzakonisht e komplikuar, por parë, fjala vjen nga Brukseli, për kokën e të cilit betohen kryeqytetasit e politikës, gjithçka është shumë provinciale, e trishtuar dhe një portret interesash meskine, të maskuara pa shumë lezet.

Debati i fortë për CEZ-in ishte një mundësi e artë për të parë deri në thelb sa diletante është politika shqiptare, por njëkohësisht edhe sesa e vështirë është të gjendet argument kundër budallallëkut. Sepse budallallëku është vetë argument në vetvete dhe i pakundërshtueshëm.

Do të kalojnë ditë të tëra dhe një procedurë normale parlamentare deri në momentin që Kuvendi do të vendosë për hetimin ndërkombëtar të skandalit të CEZ-it. Deri atëherë ka disa rrethana që duhen gjykuar dhe ka disa momente që vlejnë për të nënvizuar disa përfundime. Qoftë dhe të pjesshëm dhe të përkohshëm. Kryesisht për rolin që luajtën personazhet më të rëndësishëm të politikëbërjes në Tiranë. Pa përfshirë, natyrisht në këtë listë, ata që luajnë fije nga prapaskena dhe që shpesh janë më të rëndësishëm edhe se vetë vendimmarrja formale politike. Rama e Meta, Basha e Berisha, luajtën me njëri – tjetrin, në afërsi e distancë dhe secili për arsyet e veta, lojën e vet. Mes tyre ka fitues dhe humbës, raportet mes tyre ndryshuan sërish dhe e vetmja gjë e sigurt që mund të pranohet deri tani, është vetëm një marrëveshje e heshtur: hajde të vazhdojmë të luajmë sërish, me tjetër garniturë, por me siguri me të njëjtët personazhe.

Objektivi i parë që synoi të godasë skandali ishte kryetari i Kuvendit. Ilir Meta nuk është ëngjëll. Në 25 vjet ai ka pafund dritëhijet e tij dhe raportin e ndërlikuar edhe me të majtët, edhe me të djathtët, edhe me dashurinë, edhe me urrejtjen reciproke të tyre.

I hyrë në politikë dhe i mbijetuar në xhunglën politike shqiptare pa sponsorizim, shpesh i është dashur të jetë i vetëm në luftë kundër të gjithëve, shpesh i është dashur të luftojë kundër fatit që normalisht paracakton të nesërmen e të gjithëve dhe ndonjëherë edhe ka mundur të fitojë kundër të gjithëve. Jo vetëm për shkak të fatit që e ka trajtuar si të fortë dhe i është dhënë siç i jepet zakonisht të fortit. Padyshim edhe duke humbur shpesh herë. Problemi i tij kryesor ka qenë pikërisht paqja që i jepej herë nga të majtët, e herë nga të djathtët, gjatë të cilës ai bënte kryesisht gabimet e vetëkënaqësisë. Në këtë shtator ishte ndryshe. I projektuar ta mbanin lidhur në syrin e ciklonit, ai e shfrytëzoi rastin që të identifikohet dhe njëherë si personazhin që ndan pushtetin nga opozita në Shqipëri. U identifikua si pragu që e çon dhe e mban të majtën në pushtet dhe si mundësia e vetme, së paku deri më tani, që do t’i jepte fund perizit në opozitë të opozitës.

Çfarë nuk të vret, të bën më të fortë dhe Meta doli më i fortë nga një histori skandali që me të kishte të bënte më pak se me këdo tjetër. Gjatë shtatorit u dëshmuan veprimet dhe mosveprimet e tij dhe të njerëzve të tij, në ministrinë e ekonomisë dhe në KESH, të cilat e bënin denoncues të skandalit dhe jo mbartës të tij. Tentativa për ta vrarë atë me paragjykim dhe me një skandal që nuk ishte i tij, e rifuti dhe njëherë në lojën e tij të preferuar, në luftë. Aty ku ai ndjehet më i fortë me instikt përballë hileve sa kohë instikti i tij i promovon rregullat.

Për shkak të detyrës, Edi Rama është padyshim persanzhi kyç, sjellja e të cilit do të shpjegonte shumë habi të shtatorit. Gjatë gjithë muajit, kryeministri ishte një pushkë e varur në mur. Në teatër, një rekuizitë e tillë, duhet të qëllojë padyshim në aktin e fundit. Rama nuk e bëri një gjë të tillë. Heshtja e tij do të ishte një alibi perfekte nëse do të shihej fakti që ai ndodhej mijëra kilometra larg, ndërkohë që në Tiranë luhej drama e rradhës. As ai dhe as socialistët e tij, sidomos as ata që e kishin për detyrë funksionale dhe morale që të flisnin për të vërtetat e tyre nuk folën, por zgjodhën heshtjen në përplasjen mes opozitës dhe një pjese të maxhorancës. Në këtë rol vetjak dhe të detyruar për socialistët e tij, kryeministri është në të drejtën e tij dhe në kushtet e realpolitikës. Eshtë normale që në të gjitha rrethanat ai do ta donte dhe dëshironte me veprime ose mosveprime një tkurrje të aleatit të tij kërcënues. Ai do ta parapëlqente, uronte dhe shpresonte tkurrjen e Metës në nivel elektoral, përkundër trendit që aleati po i dëshmon zgjedhje pas zgjedhjesh. Rama ka pasur të njëjtat arsye si në pranverën e këtij viti, kur në një skenë të ngjashme, ai pa me krahë të kryqëzuar e pothuaj indiferent sërish një ndeshje të Metës me absurdin e atentatit të presupozuar ndaj dy deputetëve. Ose më saktë një front politik opozitar e parapolitik, të bashkuar kundër Metës, por që në fund të fundit, i shtoi po atij ca vota qershori më shumë në llogari.

Pjesa tjetër e historisë së nisur në një vjeshtë tjetër dhe e pa mbyllur as edhe në këtë vjeshtë, për vështrime që hidhen nga përtej gardhit të së majtës, për aleanca fluide dhe të përkohshme brenda dhe jashtë politikës, është diçka që edhe nëse nuk ka ndodhur, i ka të gjitha shanset që të ndodhë. Si diçka që është normale pikërisht se është totalisht anormale e amorale në thelbin e saj. Së paku në një kohë të tillë kur ende, për të kaluar nga zyra e Ramës tek ajo e Metës ose anasjelltas, duhet kaluar bulevardi Dëshmorët e Kombit. Vendi ku u ekzekutuan pa gjyq katër qytetarë shqiptarë. Të cilët u vranë në kur Lulzim Basha ishte ministër i brendshëm dhe Sali Berisha e shihte Bulevardin nga të njëjtat dritare që tani i shërbejnë Ramës për të parë nga brenda jashtë.

Në këto kushte dhe në rrethana të tjera që mund të përsëriten shumë më shpejt sesa mendohet edhe nesër, këshilla më e keqe që Rama do të ndiqte si kryeministër është pikërisht zgjedhja që ai do të bënte mes luftës dhe paqes. Atij i nevojitet pafund paqja, sa kohë ka shpallur luftën e tij plot ambicje që e majta të ndryshojë Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai është i fundit që do të duhej të shpenzonte kohë me meskinitete të vogla. Intelektualisht ai i ka të gjitha mjetet të përbuzë provincializmin me të cilin i janë qasur për t’i dëshmuar dashuri, aleanca apo dhe skema lufte, ndërkohë që atij i duhet të ndërtojë në paqe skemën e premtuar të tij për Shqipërinë e shqiptarët. Lufta thjesht i rrëmben energji. Ajo është totalisht e padobishme për të edhe nëse i siguron alibi për dështime të mundshme e të pjesshme apo dhe tkurrje të votës.

Lulzim Basha është një tjetër personazh mjaft i rëndësishëm i këtij shtatori të trazuar. Në politikë, pritja është një art i rrallë. Por pakkush e njeh dhe pakkush e tenton sepse është një art që kërkon sakrificë dhe pikërisht sakrifica i ka munguar njeriut që sot është formalisht në krye të opozitës. Me vetëm gjashtë muaj opozitë në CV, janar 2005 – qershor 2005, Basha u katapultua në majat e pushtetit si ministër disa herë dhe ju dhurua edhe bashkia e Tiranës e më pas edhe partia, për arsyen e vetme se nuk mendohej se mund të thoshte “Jo” tek njeriu që i ndante këto funksione. Me vetëm dy muaj vere opozitë tjetër që nga dita që e nxorrën nga Bashkia e Tiranës, Basha ende nuk ka as nervin, as tharmin dhe as karizmën e opozitarit të ndershëm që mund të ngjallë ndershmërisht opozitë. Arti i të shkelurit të syrit nga përtej gardhit mund të jetë kulisë, por kulisat jo gjithmonë prodhojnë politikë.

Në të vetmin rast publik – skandali i CEZ-it – që Basha kuptoi, kujtoi dhe e mësuan të marrë shënjestër, se me një plumb mund të vriste dhe Metën edhe Berishën, ai e nisi gjithçka si kryqëzatë dhe e përfundoi duke mbetur vetë në kryq.

U vetëgënjye apo e gënjyen, kjo tashmë ka pak rëndësi.

E rëndësishme është që opozita nuk e meritonte këtë shpallje lufte që ishte e humbur pa nisur. Sepse ishte e pandershme. Sepse ishte e padrejtë. Sepse kishte shijen e një supe bajate me të njëjtën garuzhde me benzine brenda.

Sipërfaqësor, llogaritës i keq i mundësive, i paduruar si fëmijët përpara një vitrine me lodra, ai u bë lodra e atyre që dinë më shumë se ai.

Basha e shndërroi gjithë partinë e tij në lodrën e atyre që shohin më shumë se ai, që dinë më shumë se ai dhe që kanë shumë më pak për të humbur në krahasim me të.

Bashës i duhet të kuptojë se duhet të sakrifikojë shumë më shumë për të mbërritur tek lodra e preferuar e shqiptarëve, pushteti politik. Dhe se për të fituar, ndonëse të gjitha hilet dhe meskinitetet janë normale në një mjedis anormal e amoral si politika shqiptare, beteja për pushtet kërkon gjithashtu moral dhe nuk duron dot ambientin e gënjeshtërt dhe gënjeshtrën e vazhdueshme.

Basha tentoi të fitojë rifaktorizimin e tij me hile dhe humbi. Tani duhet të fitojë atë që nuk e ka pasur kurrë: nevojën për t’u parë seriozisht në Tiranë, për t’u parë seriozisht përballë Ramës, Metës, Berishës apo edhe vartësve të tij. Qoftë vartësve që trashëgoi nga koha e Doktorit, qoftë atyre që i importoi në PD nga modeli i tij bashkiak. Strategji të gabuara dhe taktika gjithëherë të gabuara janë një ushqim jo i rrallë në politikë. Dhe kanë edhe justifikimet e tyre. por i pari dhe më kryesori është vetëm një: budallallëku është gjithmonë një argument!

I fundit në rradhë, por jo i fundit në rëndësi, është natyrisht Berisha. Në thelb Doktori është frika. Ai është roja i paepur i vreshtit të tij luftarak edhe pse ka lënë pas vetëm pak rrush, që sillen si rrusha, por jo në kuptimin që i japin kësaj fjale në baret e bllokut në Tiranë.

Doktori duhet të përjetojë dramë të madhe dhe reale. Zhgënjimi është sëmundje që nuk ka kurë e shërim. Sidomos kur sheh që e mundin ndershëm në një fushë ku ai vetë shkëlqente gjithmonë në artin e hiles. Dhe ai nuk mundi dot të trashëgojë në parti, as një trimëri të vetme dhe as një qind hilet e nevojshme për sukses.

SHKARKO APP