Bukëpjekësit e akademisë
Nga Ledi Shamku
Akademikët vijojnë të zgjedhin e të zgjidhen nëpër komisione reformash. Ndonëse nuk kam shpresë se do ta gjejnë rrugën e duhur drejt konceptit të shkencës koherente dhe funksionale, prapë shpresoj te shpresa që vdes e fundit.
Një komision i tillë reforme u zgjodh edhe sot. Kryetarin e tij e dëgjova të deklaronte për mediat se (dhe po e citoj): “Nuk ka vend për alarmizëm. Qeveria nuk mund të na kërkojë 20 kg bukë kur na jep vetëm 1 kg miell”.
Pyes veten deri kur do të vijojë kjo mendësi kaq komuniste mbi shkencën dhe netëorkun shkencor?! Sipas përfytyrimit të reformatorit të sapozgjedhur, qeveria duhet t’i shkojë, përvecse me rroga po se po se ato ua jep, po duhet t’i trokasë vetë në derë Akademisë, me një torbë të mirë me pare të thata, t’ia vendosë vetë mbi tryezat e heshtura, dhe t’u thotë: miellin (lekët) ua solla. Ujë po keni se keni. Tani bëni bukët që mendoni ju, sipas shijes suaj, c’rëndësi ka çfarë shijeje, vetëm piqini ca!
Të dashur “reformatorë” të pjekjes së bukëve, po mirë, a nuk e keni menduar se qeveria (e madje taksapaguesit më saktë) u kanë dhënë shumë pare për shkencë së paku qysh nga vitin 2014, kur nënshkruam me Europën programin Horizon 2020, për të cilin shteti ynë pagoi një mal me lekë madje me euro si kuotë për të marrë pjesë? Dhe se shteti dhe nënshtetasit, ne të gjithë, presim që ky mal me euro të na i kthehet gurë-gurë buxhetit tonë, përmes financimeve europiane mbi projekte të kërkimit shkencor?
Eurot janë aty. Po projektet tuaja ku janë?! Sa konsorciume me Akademitë e tjera, apo qendrat kerkimore europiane a së paku ballkanike keni ngritur në këto vite, të dashur bukëpjekës? Sa?!
Se sigurisht nocioni që bota ka për shkencën është ai i integruari rajonal, me dobi e funksion për vendin tonë si pjesë e një treve europiane. Bota nuk e di se ju mendoni e punoni ende si në rrethim, pra doni miellin tuaj “kesh” në dorë për të gatuar bukën e midesë suaj.
Shkoni e merrini ato euro! Keni miell (financim) aty jo për 20 bukë po për 2 milion bukë po deshët e po qetë të zotë, shkencëtarë konkurrues, europianisht bashkëpunues.
E bëni dot? Shkoni e aplikoni! Përndryshe të dashur Akademikë, ju nuk po kërkoni financime për shkencë, por paluze për stomakë të lodhur që nuk bluajnë dot ushqim si gjithë të tjerët.