Bulmet politik tek brima e çelësit

Nga Enkel Demi

Zhurmnajë të këtillë për një filmim, qyteti nuk kishte ndjerë qysh kur u hap fjala se “dyshi jugosllavit” do të japë “Tango e fundit në Paris”. Edhe në at’botë njerëzit pëshpërisnin vesh më vesh që Marlon Brando bën do gjëra të pacipa me një vajzë të njomë. Njerëzit ju sulën çative të banesave, sistemuan antenat, i sofistikuan ato, blenë “grupe” për televizorët bardh’ e zi, u mblodhën tufa-tufa nëpër shtëpi me ndonjë faqore raki, përzunë fëmijët në gjumë, mbyllën gratë nëpër oda dhe panë. Të nesërmen kishte nga ata që uronin të ishte margarinë bulmeti, sepse gjalpi me tollona nuk harxhohet për kësi gjërash.

Sot, po presim filmimin e një kryetari bashkie, i cili thuhet se është gjetur në pozicionin alla Klinton, por edhe një ministër, i cili diku në Amerikë Latine bën qejf me një gjysëm burrë-grua. Zhurmnaja është e njëjtë, ethet e kësaj kërshërie ngjajnë me kohët e vdekura të kryeqytetit, por kësaj here burimi i thashethemit është opozita, faqet pranë saj, makina e propagandës që vjen nga segmente të ndryshme të aleancës qeveritare. Tani, që Marlon Brando e Maria Schneider na kanë lënë, ndoshta duhen kuptuar do gjëra që shkojnë përtej kërshërisë së filmimeve porno.

Qeveria nuk bie, nëse ministri është pervers. Ai do ishte mirë të kapej duke bërë korrupsion, por jo në një hotel latin. Kjo është punë e tij. Tek e fundit mund t’i hypë ballëlart dyrrotakut e të bëjë shëtitje me Kristin, kur ky ka ditën e pranverës. Kryetari i Bashkisë në pozitën alla Klinton mund të përdorë të njëjtën strategji komunikimi dhe ndoshta ia hedh, por edhe nëse ngec në kurvërimin e tij, nuk e gjeti gjë Peshkopinë se mbeti pa Shukri. Në një farë mënyre të tërë ata që janë përfshirë në këtë thashethemnajë, janë ndoshta pa ndërgjegje bashkëpunëtorë të atyre që kanë vënë gjobë që këto filma të dalin ose jo në qarkullim.

Nuk mund të merret pushteti me punë brekësh dhe ofshamash dhe këtë e kanë thënë shumë të tjerë para meje. Opozita ka rrugë të tjera për ngjitur shkallaren e lodhshme drejt pushtetit, ndaj dëshpërimi i saj nuk mbulohet me video-sexy.

Një vit para zgjedhjeve Partia Demokratike është më e shkalafitur se kurrë. Degët e saj janë bërë lesh arapi, askush nuk i bindet askujt. Kryetari i PD-së nuk kontrollon grupin parlamentar, nuk prodhon politikë, por llogje Kavaje. Është arsyeja e vetme e shëndetshme që Edi Rama është në qeveri. Lulzim Basha del me orë të tëra në televizor, grin sallatë dhe në fund nuk i mban mend asgjë. Është shterpë ideologjikisht, shtërpë politikisht, thjesht rren. Gënjen njësoj si Bamir Topin që bëri sikur e afroi, si doktorin, si ambasadorët, si Johannes Hahn e deri tek Osmani i Durrësit. Megjithëse kanë nja tre vjet do gazetarë që duan ta bëjnë udhëheqës, ai nuk ka gjasë të shndërrohet. Më lehtë e bën hidraulik, po ta fusësh tek shkollat profesionale të Blendi Klosit, sesa njeri politik. Edhe kosi për t’u zënë ka nevojë për farë. Ky ka për borxh të prishet si qumësht dhe kos mos të bëhet kurrë, sepse nuk ka tharm. Doktori që e vuri, duhet të marrë guximin ta heqë dhe jo të bëjë si i pingosur me të. Të rihapë garën dhe të fitojë kush të dojë. Demokrat ka për të qenë dhe ka për të patur çertifikatën më të mirë për të marrë pushtetin, atë morale, të zgjedhur me vullnet të lirë. Nuk ka si e merr qeverinë njëri që ka thyer kutitë për të marrë partinë.

Kjo është një e vërtetë që e dinë dhe ata që do sulen për të sharë, edhe Ed’ Halimi që të hënën e mallkon, të martën i bën furçe në facebook.

Ndaj sido që të dalin ministrat, krerët e bashkive të Rilindjes zhurmnaja të nesërmen mbyllet me diskutimin në ishte margarinë apo gjalpë.

27.al

SHKARKO APP