Buxheti 2019, sfida e zhvillimit të qëndrueshëm të Tiranës
Nga Aldrin Dalipi*
Viti 2019 shënoi një rekord të ri historik për buxhetin e bashkisë Tiranë. Ky buxhet, 12% më i lartë se një vit më parë, përkthehet me një zhvillim të mëtejshem të projekteve më prioritare të bashkisë. Që në nisje të vitit, projekti për Tiranën policentrike, me 5 qendra të reja, merr startin me konkursin për Laprakën, Kombinatin dhe Kinostudion. Kontributi i partnerëve ndërkombëtarë, si “Harvard University”, mbetet një prej vlerave të patjetërsueshme të besueshmërisë së këtyre projekteve, të cilat do të shndërrojnë secilën prej qendrave në kryqëzime të rëndësishme të investimeve publike dhe private. Me jetësimin e Tiranës policentrike, qytetarët do të marrin shërbime të standardeve më të larta, pavarësisht se në cilën pjesë të kryeqytetit kanë zgjedhur të jetojnë. Ndërkohë, pritet që kjo të ndikojë në rritjen e vlerës së pronës në këto zona si dhe në ekonomi.
E nisa, jo rastësisht, me projektin e Tiranës me shumë qendra. Mund të flitej me të njëjtin optimizëm për secilin prej prioriteve të bashkisë, të cilat kanë nisur të realizohen apo janë në krye të axhendës së këtij institucioni. Si ndërtimi i Bulevardit Verior të Tiranës, për të cilin ka përfunduar në 2018 hartimi i Planit të Detajuar Vendor. Ndërtimi i Bulevardit të Kasharit, gjithashtu, që do t’i japë hov të ri ekonomik dhe social një komuniteti prej 70 mijë banorësh. Apo iniciativa e ndërtimit të shkollave të reja për nxënësit e kryeqytetit, që në 2019, marrin edhe garancinë financiare për t’u jetësuar si investime konkrete, të cilat më shumë se gjithçka i përkasin një të ardhmeje më të mirë për Tiranën. Objektiv i parashikuar në Strategjinë e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Bashkisë Tiranë 2018- 2022, është edhe përmirësimi i kushteve të konvikteve në Qytetin Studenti. Një punë e nisur tashmë, me konviktet e studentëve të Mjekësisë dhe Inxhinierisë, si pjesë e një projekti të madh për transformimin e çdo qendre studentore, që ka kaluar në administrim të Bashkisë së Tiranës.
Në më shumë se tre vite punë, është ecur me hapa të sigurt në drejtim të zgjidhjes së problemeve më primare, duke nisur nga cilësia e ajrit dhe deri te trafiku, apo përmirësimi i infrastrukturës ekzistuese dhe investimeve të reja brenda blloqeve të banimit. Nisma për mbjelljen e pemëve të reja, që sot numërohen mbi 150 mijë, tregoi se çdo qytetar i Tiranës beson se përmes punës, përkushtimit dhe vullnetarizmit, mund të bëjmë jo vetëm ndryshimin, por edhe më të mirën e mundshme për bashkëjetesën në një metropol, që jo vetëm gjeografikisht i përket Europës. Nuk duhet harruar nisma “Adopto një çerdhe”, e cila padyshim shënoi sukses në rikonstruksionin e shumë kopshteve dhe çerdheve në kryeqytet.
Tirana qëndron sot, me krenari, në stendën e kartolinave më të bukura, për shqiptarët, që e kanë për model punën e bashkisë së kryeqytetit. Por edhe për vizitorët e huaj, që nuk largohen, pa ndaluar në destinacionet më të reja turistike, apo edhe pa shëtitur me biçikleta në korsitë e sigurta dhe të shtuara nëpër Tiranë. Këtë vit, edhe 11 kilometra të tjera do të vihen në dispozicion të përdoruesve të biçikletave, falë projektit të bashkisë. Askush nuk mund të mohojë se qyteti sot merr frymë më lirshëm, për shkak të lehtësimit të trafikut me projektin e parkimeve, terminaleve dhe shtimit të korsive të biçikletave. Falë projekteve të tilla, Tirana është bërë një model frymëzimi në skenën europiane dhe botërore.
Padyshim që, në vijim të procesit të rëndësishëm të decentralizimit, Qeveria shqiptare ka qenë agresive në funksionimin e të gjithë mekanizmave të nivelit qendror për të inkurajuar projekte madhore në kryeqytet.
Duke sjellë në vëmendje moton e kryebashkiakut Veliaj, që “është bërë shumë por ka akoma shumë për të bërë”, dua të vlerësoj më së pari si qytetar por edhe si drejtues i Këshillit Bashkiak, atë që ne si këshilltarë, e shohim si fillim në letra dhe pastaj të marrë formën e një investimi real, në qendër apo periferi, kudo ku qytetarët besojnë dhe bëhen pjesë e këtij ndryshimi fantastik.
Për vitin që sapo nisëm, ka edhe një lajm tjetër të mirë për banorët e Tiranës. Vijmë me një buxhet të rritur, plotësisht në shërbim të përmirësimit të jetesës në kryeqytet, por mbi të gjitha, pa asnjë barrë shtesë për qytetarët.
Buxheti i miratuar në Këshill Bashkiak, në fund të dhjetorit të kaluar, garanton të tjera realizime të suksesshme, ashtu si në këto tre vjet ku çdo premtim është kthyer në kantier pune. Besoj se vizioni nuk është thjesht një sfidë apo parashikim, përderisa sot po jetojmë këtë ndryshim të paimagjinueshëm.
Të gjithë qytetarët që u bënë pjesë e konsultave publike, por edhe kushdo që çdo ditë kontribuon për zhvillimin e Tiranës, është padyshim “aksioner” i një qyteti në progres të pakthyeshëm, rritjes së cilësisë së jetesës, shtimin e vlerës së pronës dhe forcimin e ekonomisë lokale.
Një sfidë që nuk ndalet dhe që garanton një zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen.
*Kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës