Cameron – Papës: Po gabon, askush s’ka të drejtë të hakmerret

Kryeministri britanik, David Cameron ka deklaruar se Papa Françesku gabon në qëndrimin e tij se njerëzit që përqeshin islamin dhe religjionet tjera mund “të presin goditje”, duke theksuar se në shoqëritë e lira askush nuk ka të drejt në hakmarrje ndaj individëve për shkak të fyerjes së fesë.

Papa Françesku ka deklaruar javën e kaluar se provokatorët sikur rasti i karikaturistëve të revistës satirike “Charlie Hebdo” mund të presin goditje të ngjashme. Këto komente të Papës janë parë si shumë të afërta me arsyetimin e sulmeve terroriste në Francë, shkruan “Independent”.

Kryeministri britanik në një intervistë për rrjetin amerikan CBS, ka thënë se e drejta për fyerje është pjesë e shoqërisë së lirë.

“Mendoj se në shoqëritë e lira ekziston e drejta që dikush ta lëndojë dikë për shkak të religjionit. Unë jam krishterë: nëse dikush thotë diçka fyese për Jezu Krishtin, mund ta marrë këtë si fyerje, por në shoqëritë e lira nuk kemi të drejt që të hakmerremi”, ka thënë Cameron.

“Duhet ta pranojmë se gazetat, revistat, mund të publikojnë gjëra që për dikë janë fyese, e gjitha kjo derisa është në kuadër të ligjit. Kjo është ajo që duhet mbrojtur”, ka shtuar Cameron.

SHKARKO APP