Çarja e madhe e PD dhe Berisha që rri e vështron…

Askush akoma nuk beson më në asgjë të sigurtë. Askush nuk ka një bindje se, nën mbulesën e kësaj situate, ka patur dhe ka një “marrëveshje 2”, Rama-Basha, që vijon të funksionojë, nën përkujdesjen e duhur dhe me një partiturë të qartë. Jemi në nivelet e një teorie konspirative? Ndoshta po, por ndoshta jo…

Nga Artur Zheji

Nuk ka pajtim dhe kjo deri tani duket qartë. Patozi dhe Topalli kanë intensifikuar sulmin politik ndaj Bashës. Arben Imami apo Edit Harxhi dhe të tjerë janë të acaruar dhe sulmues gjithashtu. Emrat e njohur të Partisë Demokratike, kritikë deri në papajtueshmëri me kryetarin nuk mbarojnë dhe janë veçse në fillimet e tyre.

Duket sikur Basha po luan mençurisht me durimin e tyre, që ata të vetlargohen nga PD dhe të vetëorganizohen diku tjetër dhe nën një sigël tjetër. Që pasta ai, të drejtojë gishtin ndaj tyre dhe të thotë: “Ja ata tanimë janë një parti tjetër…” e të tjera si këto. Situata duket e turbullt, por në të vërtetë është shumë e qartë, nga ana e Bashës dhe e mbështetësve të tij në kupolën e re të PD, nuk ka asnjë përpjekje për të bërë “paqe” me “grupin e kritikëve” dhe për ti integruar përsëri në një betejë të përbashkët politike.

Nga ana tjetër, pas intervistës së vet më të fundit, Berisha, që bëri një analizë të rreptë të situatës, por e “goditi” me pupël Bashën, duket krejt i pafuqishëm apo i pamotivuar për të ndërhyrë. “Këshilltarët e Bashës ishin mizerabël” ishte ndoshta kritika e tij më e ashpër, si edhe nënvizimi se Basha, Kryetari pasardhës i PD, “nuk e mirëqeverisi marrëveshjen e 18 Majit”, apo “Qepallimin” me Ramën, që dha si pasojë totale minus 200.000 vota të masakruara për PD.

Porse duket që Berisha, as nuk shkon dot, nuk mundet apo dhe nuk do, të shkojë përtej këtij kriticizmi, që ngjan më së shumti me një përkëdhelje të ashpër prej malësori dhe vetëm kaq. Linja politike e re e Bashës, linja e pas 18 Majit, përjashtimi nga listat e deputetëve, të të gjithë atyre që dukshëm në këto 4 vite mbajtën qëndrime anti-Basha, është dukshëm një linjë e miratuar në heshtje dhe në mënyrë jo publike nga vetë Berisha.

Një linjë që 25 Qershori, e vulosi në mënyrë dramatike për PD, si një strategji humbëse të thellë, në vota dhe deputetë, duke i dhënë Ramës, në mënyrë direktë apo indirekte, një fitore të papritur në këto përmasa. Rrjedhja e 3 votave në votimin kuvendor, për Ruçin si kryetar Kuvendi, i vunë kapak kësaj situate deprimuese për shëndetin e Partisë më të madhe opozitare.

Askush akoma nuk beson më në asgjë të sigurtë. Askush nuk ka një bindje se, nën mbulesën e kësaj situate, ka patur dhe ka një “marrëveshje 2”, Rama-Basha, që vijon të funksionojë, nën përkujdesjen e duhur dhe me një partiturë të qartë. Jemi në nivelet e një teorie konspirative? Ndoshta po, por ndoshta jo.

Në mungesë të një përgënjeshtrimi aktesh politike dhe jo llafesh kazani politik, teoria konspirative, reziston si një e vërtetë e thellë e këtyre “Çudirave”, që shkojnë njera pas tjetrës në favor të Ramës, përfshi këtu edhe “Reformën zgjedhore maxhoritare të pastër”. Që dhuron në të vërtetë në tavolinë, mandatin e tretë qeverisës për kryeministrin e sotëm dhe të nesërm. /360grade.al/

SHKARKO APP