Carlo Bollino: Nuk ka arsye për të arrestuar Saimir Tahirin

Nga Carlo Bollino

Në pritje që të shpërthejnë ethet e basteve mbi rezultatet e Botërorit të futbollit, që nga dita e enjte po përhapet basti nëse Saimir Tahiri do të arrestohet nga prokurori apo jo. Analistë, politikanë dhe thashathemenxhi nuk flasin për gjë tjetër. Pasi Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit dhe humbi çdo lloj imuniteti politik, ashtu si çdo qytetar tjetër që do të cilësohej si fajtor për një krim, ai mund të arrestohet pa i marrë leje Parlamentit. Por, edhe në Shqipëri, ashtu si në pjesën me të madhe të shteteve demokratike, nuk është Prokuroria, e cila vendos të arrestohet apo jo dikush, por është Gjykata, ndërkohë që Prokuroria ka të drejtë vetëm të kërkojë arrestimin.

Vetëm se këtu çështja nuk është proceduriale. Hipoteza se ish-ministri i Brendshëm mund të arrestohet bazohet mbi faktin se, që prej gjashtë muajsh, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ta arrestojë duke paraqitur disa dokumenta të ardhura nga Italia dhe një dëshmi të marrë në Shqipëri, por Parlamenti gjykoi se ato ishin prova të pamjaftueshme. Kuvendi nuk pranoi që të arrestohej Tahiri, por autorizoi Prokurorinë të vijonte çdo lloj tjetër hetimi që e gjykonte të domosdoshëm lidhur me të, natyrisht me objektivin që të mblidheshin prova më të shumta. Në këta gjashtë muaj, katër prokurorë kanë hetuar mbi Saimir Tahirin në kërkim të provave që të tregojnë me fakte lidhjet e tij me trafikun e drogës: kontrolluan shtëpinë e tij, morën në pyetje bashkëpunëtorët e tij, përgjuan thirrjet e tij telefonike, kontrolluan gjithë kontaktet e tij dhe dokumentat e nënshkruara prej tij kur ishte ministër, kontrolluan e-mailat e tij personalë, e morën atë vetë në pyetje dhe punuan sëbashku me autoritetet italiane dhe greke.

Pyetja korrekte që duhet të shtrohet sot nuk është nëse Saimir Tahiri do të arrestohet pas dorëzimit prej tij të mandatit parlamentar, por nëse, në këto gjashtë muaj, Prokuroria ka gjetur apo jo prova të reja që të justifikojnë arrestimin e tij. Në rast se janë gjetur, Prokuroria, siç parashikon procedura, do të kishte mundur të paraqiste kërkesë të re në Parlament për arrestimin, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë. Kjo të le të supozosh se nuk ka prova të reja, apo ato nuk jane ende të mjaftueshme për të kërkuar arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm. Kështu që nuk kuptohet pse, vetëm për faktin që tanimë Tahiri nuk ka imunitet, ai tani duhet të arrestohet.

Arrestimi nuk është një hakmarrje politike, por një masë parandaluese, e cila synon të shmangë atë, që i pandehuri të përsërisë krimin, apo të zhdukë provat. Tahiri nuk është më ministër dhe kështu që nuk mund të krijojë lehtësi për asnjë trafikant dhe, pas gjashtë muaj hetimesh, është e vështirë të besosh se ende ekzistojnë diku prova kundër Saimir Tahirit, të cilat ish-ministri mund t’i zhdukte. Me përjashtim të rastit të ndonjë të papriture (pra, në prani të fakteve të reja, apo dëshmive të reja), nuk besojmë se mund të imagjinohet një arrestim i Tahirit, vetëm nëse vendoset që ai të bëhet një kokë turku, për të treguar se tani “drejtësia” funksionon me të vërtetë.

Kjo, natyrisht, nuk do të thotë që Prokuroria, edhe pse nuk e arreston, të mos vendosë ta çojë atë para Gjykatës në gjendje të lirë për ta gjykuar për trafik droge. Në disa aspekte, mund të ishte pikërisht ky, mjeti i verifikimit që vetë Tahiri, nëpërmjet gjestit të tij kurajoz të dorëzimit të mbrojtjes parlamentare, po kërkon, në fund të fundit. Vetëm një çlirim i plotë nga akuzat prej një Gjykate, në të vërtetë, do ta shfajësonte atë publikisht dhe përfundimisht nga akuzat dhe nga insinuatat kundër tij. Por edhe për të filluar një proces kërkohen prova, dhe a janë apo jo këto prova? Ato që gjashtë muaj më parë iu paraqitën Komisionit Parlamentar të Mandateve dhe që përfunduan më pas nëpër media, nuk janë prova që ta mbërthejnë Saimir Tahirin me ndonjë përgjegjësi penale. Fakti që dy trafikantë, edhe pse kushërinj, flasin për të në një përgjim telefonik, nuk është një provë gjyqësore dhe fakti pse i ka shitur makinën kushëririt trafikant dhe që e ka takuar jashtë shtetit kur ishte për pushime me grua e fëmijë nuk e bën atë trafikant droge. Madje, është kaq e pabesueshme që një ministër ta ketë lejuar të përdoret kaq lirisht makina e tij si mbulim për një trafikant, saqë kjo duket më shumë si një provë në favor të besueshmërisë së Tahirit, se sa për të kundërtën.

Dhe këtu nuk ka vlerë teoria e shumë analistëve, të cilët besojnë tek “perceptimi i fajësisë”: vepra penale, ose faktohet me prova të qarta, ose nuk është kryer kurrë. Dhe rreziku më i madh për Saimir Tahirin mund të jetë pikërisht ky: të mbetet përgjithnjë në Limbin e paqartësisë. Pasi, nga akuza penale mund të çlirohesh me një vendim gjykate, por nga insinuatat dhe dyshimet është shumë më e vështirë të dalësh.

shqiptarja.com

SHKARKO APP