Ç’do të ndodhë?

Policia e Shtetit garanton sigurinë për protestën e Partisë Demokratike, të lajmëruar për më 12 mars, në orën 11, në sheshin “Skënderbej” (ky është vendgrumbullimi i lajmëruar edhe me një sms të kryetarit Basha për qytetarët). Zv/drejtori i Policisë, Altin Qato tha se, do të bllokohen disa rrugë dhe për këtë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve. Gjithashtu, ai premtoikontrolle të vazhdueshme dhe për këtë kërkoi që qytetarët të mbajnë mjetet e identifikimit me vete.

Ky është lajmërimi normal i policisë, ndërsa histeria ka kapluar mediat e të dy krahëve. Ka nga ato që bëjnë thirrje për pjesmarrje dhe mbështetje të parrullave të opozitës për largimin e Metës e Ramës, ndërsa të tjera (kuptohet nga krahu i kundërt) kujtojnë se PD-ja nuk ka marrë leje, dhe se ka hartuar skenare dhune, me rrethim parlamenti, bllokim të deputetëve brenda, apo plane evakuimi për ta.

Nuk mund të mbetet pa vëmendje, një protest e tillë, e lajmëruar në një çast kulmor të përplasjeve politike, brenda dhe jashtë llojit, port ë habit fakti, se shpesh nxitohet që organizimi i saj, të krahasohet me 21 janarin 2011. Nuk ka vend për të tillë krahasim, në shumë aspekte, ndonëse vetëm rrethana dhe ndonjë emër i caktuar, mund të ta sjellë në kujtesë, si përsjatje.

Ç’do të ndodhë? Përgjigje nuk ka, por dilemat mbeten, deri në atë pikë, sa mbajtja e protestës së opozitës dhe mbarëvajtja e saj, nga policia e forcat e rendit, bënë që edhe ndeshja më e madhe e futbollit për kryeqytetin, derbi Tirana-Partizani, të shtyhet nga e enjte, ora 19.00, në të premte, në të njëjtën orë. Pra, askush nuk mund të parashikojë se çfarë mund të ndodhë.

Edhe politika duket se i ka shërbyer terrenit të pasigurisë, apo ankthit për këtë protest të pritëshme. Ditë më parë, kreu i grupit të deputetëve të PD-së, Paloka deklaroi se, opozita nuk mban përgjegjësi për popullin në protestë, pasi ai mund ta tejkalojë atë, çka u interpretua si thirrje për dhunë. Kjo bëri që Paloka të rikthehej në deklaratë korrigjuese: “Unë jam shprehur se në filozofinë e PD nuk ekziston dhuna. Rama dikur deklaronte lidhur me kontrollin e turmave apo të qytetarëve se në raste të tilla janë qytetarët që drejtojnë dhe është e pamundur t’i kontrollosh”.

Por, ka patur edhe zëra nga shumica, se element të caktuar të opozitës, kërkojnë që ta përdorin protestën, duke nxitur dhunë dhe destabilizim (konkretisht Balla, akuzoi Berishën për organizimin e skenarëve të ngjashëm). Zëra të tillë kanë bërë që të shtohen teoritë se po përgatitet dhunë, se Berisha ka marrë në dorë protestën, duke mënjanuar Bashën, duke kërkuar rrëzimin me çdo kusht të Ilir Metës.

Lidhur me këtë aksion opozitar (flasim për protestën e lajmëruar, jo për mjetet që mund të përdorë) reagoi edhe ministri i jashtëm sllovak, Mirosllav Lajçak, gjatë një vizite në Tiranë: “dua të inkurajoj opozitën të kuptojë se, fushëbeteja është parlamenti, jo rrugët dhe sheshet. Kështu funksionojnë demokracitë europiane”. Kjo tërheqje veshi është bërë në ditët, kur opozita ka rinisur të braktisë punën e komisioneve, duke kërkuar largimin e Metës nga detyra.

Çfarëdo që të ndodhë në protestën e opozitës, faturën e ndonjë incidenti, apo dhune, do ta mbajnë qytetarët e thjeshtë, që kërkojnë të ngrihet zëri për padrejtësitë që denoncohen, por për t’i zgjidhur ato. Eksperiencat e shkuara kanë dëshmuar se, dhunë apo incidente, nëpër protestat popullore, apo opozitaro-popullore, mund të ketë, por duhen parandaluar planet (nëse ka) që bëhen nga ogurzinj, të cilët as që interesohen e merakosen, për shqetësimetg e njerëzve të thjeshtë.

Pol.al

SHKARKO APP