Çelësat e kashtës grave
Nga Gjergj Erebara*
Në vitin 1967, Shqipëria komuniste nisi një fushatë për “emancipimin e gruas”. Nisma e ndërmarrë nga shoku Enver, sugjeronte që gratë të arsimoheshin, të dilnin nga shtëpitë për të punuar nëpër fabrika, si dhe, të merrnin poste drejtuese.
Duket sikur Shqipëria u bë një parajsë për gratë. Por ne e dimë tashmë se gratë u bënë të barabarta në vuajtje, jo të barabarta në liri me burrat.
Një dosje në Arkivin e Shtetit, e zbuluar para ca vitesh, hedh dritë mbi këtë liri të dhënë nga partia për gratë shqiptare. Dosja kishte titullin mbresëlënës “Imoraliteti në familje” dhe përmblidhte letërkëmbimet që gra dhe vajza të ndryshme në të gjithë Shqipërinë i kishin dërguar shokut Enver, ku shumë prej letrave nisnin me fjalët: “Marr guximin t’ju shkruaj pas fjalimit mbi emancipimin e grave.”
Kushdo që ka interes për këtë temë, mund të lexojë numrin 32-33 të revistës Përpjekja.
Dosja në fjalë sugjeron se në fakt, gratë u bënë të barabarta në vuajtje, por kurrsesi të barabarta në përfitime, apo në liri, apo në mënyrën se si trajtoheshin nga shoqëria apo partia shtet. Ato qenë të barabarta për të punuar por nuk qenë të barabarta për gjëra të tjera të rëndësishme si p.sh, për të bërë seks. Kur, fjala vjen, ndonjëra prej tyre bënte seks, apo tregonte sjellje të “pamoralshme” ndëshkohej disproporcionalisht më rëndë se sa burrat.
Megjithatë, nëse sheh statistikat, gratë qenë teorikisht më të barabarta se sa janë sot në poste drejtuese. Në kohën e Komunizmit u shënua kulmi i pranisë së grave në parlament, megjithëse vendi nuk kishte një parlament ashtu siç e njohim ne sot. Nga zgjedhjet e 6 tetorit 1974, p.sh, Shqipëria zgjodhi 250 deputetë, nga të cilët, 83 ose gati 34 për qind, qenë gra. Që të gjitha qenë kandidate të Frontit Demokratik, që të gjitha morën 100 për qind të votave.
Për më tepër, fakti qe që gratë nuk dolën për të marrë të drejtat që u takonin. Emancipimi iu dha nga burrat, për interes të burrave, me limitet e imponuara nga burrat dhe… në fund, iu hoq sërish nga burrat.
Javën e kaluar, burrat e parlamentit, në fakt pak syresh krerë partish, vendosën të plotësojnë një kërkesë të hedhur nga tre gra deputete, të cilat janë zgjedhur në këtë pozicion pikërisht nga këto burra me të gjitha kufizimet e përcaktuara prej tyre, për të mbushur 50 për qind të listave të kandidatëve për këshilla bashkiake me gra në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor.
Çështja e parë që vlen për të diskutuar është nëse këto këshilla bashkiake kanë pushtet real, nëse ky emancipim me kërkesë nga poshtë dhe miratim nga lart u jep me të vërtetë grave pushtet. Pyetja e dytë, që ngushtësisht lidhet me të parë, është nëse a do të munden gratë e zgjedhura në këshillat vendorë me anë të ligjit të ri të bëjnë seks politik, d.m.th, ta përdorin votën e tyre si t’u teket dhe kur t’u teket. Për fat të keq, në të dyja rastet, përgjigjja është jo.
Gratë, ashtu si edhe burrat në këshillat bashkiake kanë pak ose aspak pushtet real. Mjafton të themi se ndër të vetmet raste kur këshilli bashkiak del në lajme është kur në një bashki miratohet buxheti. Dhe jo thjeshtë në çdo bashki, vetëm në ato të mëdhatë si Tiranë apo Durrës. Për këshillat e bashkive të tjera nuk kujtohet askush. Nëse ndokush që banon në Tiranë i shtron pyetjen vetes se sa nga anëtarët e këshillit bashkiak njeh, përgjigjja ka gjasa që është zero. Dhe kur njeh ndokënd, mund ta njohësh nga funksione të tjera, jo si anëtar i Këshillit Bashkiak.
Rrjedhimisht, pesëdhjetë përqindëshi i grave e këshillave vendore vështirë se do t’u japin më shumë pushtet real grave apo burrave jashtë vullnetit të kryetarit mashkull të partisë përkatëse.
Dhe a mundet që këto gra, njësoj si dhe burrat, të bëjnë çfarë të duan me votën e tyre? Jo, ato do të zgjidhen aty jo se janë gra, apo se janë burra, por se i ka përcaktuar kryetari mashkull. Për kryetarin mashkull që ka në dorë të përcaktojë se kush do të jetë në listën e këshilltarëve/eve dhe kush jo, kush apo cila do të jetë në fillim të listës e kush apo cila në fund të saj, nuk ka kurrfarë rëndësie nëse i duhet të zgjedhë gra apo burra. Ai njësoj i ka nën kontroll.
Dhe, sa i përket hipotezës se ligji i kuotave do të japë një gjë pozitive, për shkak se gratë janë qenie njerëzore më normale se sa burrat, apo “më të buta”, apo se gjasat që ndonjë kandidate grua të jetë marrë me trafik prostitutash janë dukshëm më të ulëta se sa ato të burrave, edhe kjo hipotezë sikur nuk bind.
Nga të 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, një minorancë është ajo që ne e njohim si bandë horrash, me të shkuar kriminale të certifikuar apo të dyshuar për të tillë. Pjesa tjetër janë e deputetëve janë po aq “të buta” sa edhe gratë. Mundet që një pjesë e tyre të jenë të paaftë, ose thellësisht të paaftë, por është e sigurt se nuk janë kriminelë. Në këtë kontekst, dekriminalizimi i politikës vështirë se do të fillojë me kuota për gra apo për deputetë “të butë”. Pastaj, ne na duhen gra të forta, jo të forta si Ndoka, Ndreu, Fufi apo Frroku, por të forta për t’i bërë ballë padrejtësive. Na duhen edhe burra të fortë të këtij llojit të dytë, por kurrsesi nuk na hyjnë në punë as burra dhe as gra “të buta”.
Në vitet 1930, e ashtuquajtura paria e kombit, pati tendencën të urdhëronte gratë të hiqnin ferexhenë orientale dhe të përqafonin oksidentalizmin. Natyrisht, ky përqafim i oksidentalizmit përfundonte aty ku burrat e vinin kufirin. Gratë u urdhëruan të heqin ferexhenë, (madje as nuk u pyetën nëse donin ta hiqnin), por kurrsesi asnjëra prej tyre nuk duhej as ta çonte nëpër mend të zgjidhte se çfarë do të bënte me trupin e vet, se me kë donin të martoheshin, nëse donin apo jo të martoheshin etj.
Sot, si pasojë e tendencës oksidentaliste, grave do t’u jepet një karrige nëpër këshillet bashkiake. Por kjo dhënie nuk duket se mbart ndonjë pushtet real, as për burrat dhe as për gratë.
Në një situatë normale, ne do të duhej ta festonim ligjin për kuotat gjinore si një arritje të madhe për demokracinë. Por nuk duket se ka ndonjë entuziazëm të madh për këtë punë. Historia e dekadave të fundit ka ka treguar se kryetarët meshkuj kanë zgjedhur gra (njësoj si edhe meshkuj) si përfaqësues të vet para popullit dhe jo anasjelltas. Ndryshimi i raporteve gra-meshkuj në përzgjedhjet e kryetarëve nuk pritet të sjellë ndonjë përmirësim të dukshëm.
Për fat të keq, kuotat nuk do t’i bëjnë gratë as më të barabarta dhe as më të lira.
*BIRN