Ç’është jeta?
Ç’ËSHTË JETA …?
Reflektim personal me rastin e ditëlindjes
Nga Agron Shabani
Në këtë rrëfim personal, autori rikthehet në stacionet e jetës së tij -, nga lindja, në një kohë muresh e robërie, te mërgimi i gjatë e sfidat e tij, nga përballjet me padrejtësitë, racizmin e dhunën – deri tek filozofia e jetës, të cilen e ka ngritur mbi përvojat e veta. Një udhëtim introspektiv për emrin, fatin, betejat, plagët dhe kuptimin e jetës.
Teksti i plotë
Thonë se njeriun në jetë e shoqërojnë dy emra të ndryshëm: Emri, të cilin ia kanë vënë prindërit ose familjarët e tij kur ka lindur dhe ky emri tjetër, të cilin njeriu (personi ose individi) ia vë vetes me sjelljet, veprën, shëmbëlltyrën ose personalitetin e tij.
Nuk po di …?
Gjatë tërë jetës sime jam përkushtuar t‘a ruaj me mburrje dhe xhelozi të hapur edhe emrin e parë, edhe këtë tjetrin. Ndonëse me rënie, ngritje, ulje ose tatëpjetëza të ndryshme, të cilat -, dorën në zemër – nuk i zgjodha vetë, por valët e jetës dhe fati ters m‘i përcaktuan dhe më bënë të lëkundem, të luhatem dhe të përplasem shpesh nga njëri breg në tjetrin.
Të gjithë ne, në një formë a tjetër, sikur kemi ardhur nga drejtime dhe përcaktime të njëjta antropologjike, epistemologjike, gnoseologjike, gjenealogjike e të tjera, por valët, murlanët, furtunat dhe stuhitë e jetës na kanë hedhur dhe përplasur shpesh nëpër brigje, kodra, kreshta, thepe dhe lugje të ndryshme. Nejse!
Po, mirë, atëherë ç’është jeta në përkufizimin, perceptimin ose paramendimin tim?
Për mua; jeta e njeriut është një tabelë e madhe shumëzimi, pjesëtimi, zbritjeje dhe barazimi … një ekuacion i madh me shumë të panjohura dhe papritura në sfond … një refren i shkurtër, një melodi, një impresion, një vokal, tundim, monolog, dekalog, turravrap, merak dhe testament i papërfunduar … një rimë, rutinë, metaforë, apori, alegori, dituram, një segment dhe … një pentagram i dyshimtë, i sinkronizuar, insubordinues dhe dubioz ndërmjet ligjeve të larta hyjnore ose profetike dhe ligjeve natyrore ose gjenealogjike.
Lëkura e njeriut me kalimin e viteve trashet, rrudhet, tkurret, bymehet; fytyra plaket (vjetërohet), vyshket dhe stërkeqet, trupi dhe shpirti i tij gjymtohen, sytë nuk kanë më pigmente, rudimente ose ndriçime të mjaftueshme dhe nuk shohin e nuk dallojnë objektet, figurat dhe fotografitë e ndryshme si dikur.
Edhe trurit i mungojnë freskia, kimia, fizika dhe metafizika e dikurshme. Në ballë shtohen rrudhat, poret dhe një tis i thellë gjaku mbi vetulla dhe qerpikë. Njeriu kthehet përsëri aty ku ka qenë dikur; në fetus ose embrion … bëhet si fëmijë, si kalama djepi.
U mor vesh se ne sëmuremi, sepse plakemi -, plakemi – sepse duhet të shuhemi ose vdesim patjetër një ditë për t’ua lënë jetën ose ardhmërinë në duar brezave ose gjeneratave të reja – atyre që erdhën nga ne dhe që do të vijnë pas nesh.
Pa vdekje nuk ka lindje, pa shpërbërje nuk ka ribërje, pa mbarim nuk ka fillim, pa fillim nuk ka mbarim. Kur ne kemi lindur dhe mbërritur në këtë jetë, në këtë botë të mrekullueshme dhe infinitive, nuk na ka pyetur askush. E njëjta do të vlejë edhe atë ditë kur ne do të ikim nga kjo botë, për të kaluar në atë jetën ose botën tjetër.
E kundërta e saj, është metafora ose mitologjia mbi Sizifin mitik të Homerit, i cili thuhet se iu kërkoi leje profetëve ose perëndive për të zbritur në Had; ku njerëzit – përtej asaj “anës tjetër” të “jetës së pasosur përtej vdekjes” – bëheshin të “përjetshëm”, ose “moshatarë të Profetëve dhe Perëndive”.
Por ja që, gjatë tërë asaj rruge poshtë e përpjetë kodrës së madhe të Golgotës, Sizifit iu desh të mbante gurin e rëndë mbi shpatullat e tij, sepse ashtu e kishin urdhëruar profetët ose perënditë, për t’i larë ose paguar veprat e liga dhe mëkatet e ndryshme para se të futej në Had, respektivisht në parajsën e madhe të “jetës së pasosur përtej vdekjes”.
Hëm …
Njeriu, në instancë të fundit, është simbiozë, një sintezë dhe harmoni e pashoqe dhe tepër komplekse ndërmjet tre botërave të ndryshme: Botës shpirtërore, materiale ose metafizike, botës trupore ose fizike dhe botës koshiente (logjike) ose inteligjente. Në këtë mënyrë, truri e ushqen dhe e freskon shpirtin dhe shpirti e ushqen dhe freskon trurin, trupin dhe organizmin e njeriut.
Unë, personalisht, kam lindur në muajin dhjetor. Në acarin e madh të stinës së ftohtë të dimrit. Kur linda unë, thonë se atëbotë mbante një të ftohtë i madh, me acar, furtunë dhe stuhi, të cilat frynin frikshëm prej ngado. Atëbotë ishte kohë murësh, kufijsh të hekurt, barrikadash dhe fortifikatash … Thonë se të hante (bluante) nata e gjatë e sundimit (robërisë) dhe tiranisë së huaj, e cila nuk dinte të përfundonte.
Ishte koha e murit ose kufirit të hekurt me Shqipërinë-Nënë – ish-murit famëkeq të Berlinit dhe perdes së hekurt ruso-sovjetike. Kohë djalli dhe njerke, si nata e varrit, apo nata e fundit mbi tokë.
Vetëm hënën dhe yjet i kishin në vend të dritave ose të qirinjve në natën e gjatë serbo-jugosllave.
Më kujtohet se kushtet, rrethanat dhe faktorët e ndryshëm determinantë dhe paradigmatikë, më kanë detyruar shpesh, me forcën e pushtetit ose regjimit kullak ose jugokomunist, të bija ose të dorëzohesha në raundin e parë të jetës – por nuk jam dorëzuar, e as frikësuar kurrë nga sfidat dhe sprovat e saj.
I kam parë drejt në sy sfidat dhe provokimet e ndryshme. Nuk jam ruajtur e as fshehur ndonjëherë (nën nofka ose maska të ndryshme) para sfidave, provokimeve, sprovave ose armiqve, të cilët unë i quaj vetëm rivalë ose kundërshtarë.
Thonë se ata që bien ose dështojnë në raundin e parë, gjithmonë shkëlqejnë, vegjetojnë, brilojnë ose celebrojnë në të dytin ose në të tretin. Për mua nuk ishte – nuk doli – ashtu, sepse ashtu kishte vendosur fati im ters.
Në moshën më të mirë të jetës, jeta, gjegjësisht regjimi dhe ish-pushtuesit serbë, më detyruan të merrja botën në sy. U bëra edhe unë pjesë e ngjarjes -, i huaj – i dyerve dhe strehëve të huaja … njeri numër.
Më vjen shpesh të them se; të lindësh është hyjni, të jetosh është luftë, të luftosh është heroizëm dhe sakrificë, të dashurosh është art, ndërsa të jetosh dhe të vdesësh për jetën dhe dashurinë është poezi. Situatat janë gjithmonë konfuze, komike, kaotike dhe tragjikomike, atëherë kur njeriut i shfaqen disa lloje ngjarjesh, ndodhjesh, figurash ose personalitetesh, të cilat i ngjajnë për të keq vazhdimisht njëra-tjetrës ose njëri-tjetrit.
Këta “miqtë” dhe “aleatët tanë natyrorë dhe historikë”, jo vetëm që na trajtuan e na përbuzën më keq se serbi, por edhe na i mbyllën -, si të thuash – të gjitha portat e suksesit, përparimit, jetës normale dhe integrimit. Na mbyllën dhe izoluan në baraka ose strehimore të ndryshme, të humbura në fund të katundeve malore, bashkë me serbë, zezakë ose afrikanë. Kishte edhe të atillë, të cilët vinin natën vonë, për të na djegur ose sulmuar me qen të dresuar e shumë të rrezikshëm.
Si shef të Entit për të Huajt (Ausländerbehörde), për fat edhe më të keq, kishim një “Herr Pokojin” – me origjinë ruse. Ai ishte një nacionalist i egër, ekstremist, racist dhe ultrashovinist i thekur, i cili i urrente për vdekje shqiptarët – të cilin gjermanët, siç duket, e kishin zgjedhur ose emëruar në atë post lokal, vetëm e vetëm për t’i diskriminuar dhe shantazhuar sa më shumë refugjatët ose emigrantët shqiptarë.
Ndërkohë që “Herr Pokoji”, si qen i tërbuar, më kishte vënë syrin pikërisht mua, për të më diskriminuar dhe sanksionuar me aq mundësi dhe kompetencë sa kishte, sepse ishte i informuar nga lobi i fuqishëm ruso-serb dhe rrogëtarët, bedelët ose “ciceronët” e ndryshëm shqipfolës – ose kosovarë – se unë isha i angazhuar dhe i përbetuar të punoja në terren dhe në informacion për Lëvizjen politike dhe patriotike të Dr. Rugovës, Dr. Bukoshit (LDK-së) dhe, kur erdhi koha, edhe të UÇK-së.
Edhe UÇK-ja, në instancë të fundit, ishte një çetë e madhe tigrash dhe luanësh shqiptarë, të cilët kishin dalë në skenë thjesht për të gjuajtur, qëlluar dhe goditur çetnikët ose pushtuesit e egër serbë. Për të çliruar dhe pavarësuar kombin dhe atdheun e kanosur, në një kohë kur Kosovës dhe shqiptarëve iu kishte ardhur thika e serbit në asht dhe laku i robërisë së gjatë deri në fyt.
Kështu që Pokoji dhe punëdhënësit e tij, jo vetëm që nuk më jepnin mundësi për të kryer ndonjë kurs ose kualifikim në gjuhën Gjermane, por nuk kisha as të drejtë pune – përveç punës së detyruar për vetëm 1 DM në orë -, tetë orë në ditë – nga e hëna deri të premten. Në të kundërtën, nuk na jepnin triskat (bonat) e ushqimit.
Kjo “periudhë e mrekullueshme” më zgjati plot 15 vjet me radhë, deri sa unë u futa në moshën e dytë dhe të tretë … derisa fillova të plakesha. Mos të flas këtu për çështje dhe aspekte të tjera … se më kaplojnë mornicat.
I kisha edhe disa vëllezër këtu, por, përveç Arbërit -, jurist, poet, shkrimtar, autor librash, epror i dalluar dhe ish-luftëtar i UÇK-së – të tjerët, po them, nuk kishin kushte ose mundësi (si krejt shqiptarët e shkretë) të bënin gjë për mua. Qebesa as Arbëri, i cili ndante shpesh anash nonjë monedhë nga djersa dhe kafshata e bukës së vet, për ndonjë noter ose avokat të kualifikuar për ne, sepse vazhdimisht na kërcënonin me dëbim ose ekstradim.
Nga përvojat e tjera në mërgim:
Në barakën, ose kontejnerin ku banoja unë me gruan time dhe fëmijët, ishte edhe një çetnik i poshtër serb, Stevo, së bashku me gruan e tij raciste, ksenofobe dhe shoviniste. Aq shumë i pengonin raportet, ose telefonatat e mia me Radio Tiranën dhe televizionin shqiptar, saqë një herë -, pas një raporti tim telefonik me Radio Tiranën, i cili kishte të bënte me jehonën e vizitës së atëhershme të Dr. Rugovës në Tiranë (vjeshtë e vonë e vitit 1993, në mos gaboj) – në diasporën shqiptare në Gjermani, dolën menjëherë si qentë e tërbuar Steva dhe gruaja e tij, duke i thënë njëri-tjetrit në serbokroatisht:
“Pa, jebali mi mater i Rugovi i Beriši! Došao nam je do grla ovaj njihov reporter ili šta je on, sa njihovim svakodnevnim raportima sa Tiranom! Nismo ovdje u Albaniji, nego u Njemačkoj, piçka mu mater!”
Hopa …!!!
Me t’i dëgjuar fjalët e tyre, pa humbur kohë, prita që gruaja e Stevos të futej brenda, që të mos ushtroja dhunë ndaj një femre, dhe fillova të “punoj” shqip me çetnikun serb, të cilin – betohem – se e kam “rregulluar” me shufër hekuri, shqelma dhe grushta. Jam i sigurt, se ai kurrë më nuk do t‘i shajë ose ofendoi shqiptarët aq haptas.
Ndërkaq, me të dëgjuar për konfliktin tim me Stevon, të gjithë “zemljakët” dhe “patriotët” kosovarë -, të cilëve ai përditë ua vinte këmbët mbi tavolinë – u zhdukën nga baraka, duke më thënë:
“Beli vallah, Agron, po shkojna te sebepët, se vijnë çetnikët e na çojnë poshtë!” Ikën si laviret – “trimat” e Kosovës …
Punë e madhe. Të nesërmen, u larguan edhe Stevo me gruan e tij, të vetëdijshëm për vendosmërinë time. Kështu, me ndihmën e Zotit dhe të disa miqve, shpëtova faqebardhë, që të mos më “çonin poshtë çetnikët” e “zemljakëve” nga Kosova.
Erich Fromm-i në një rast thotë: “Shteti dhe shoqëria duhet të ndihen të obliguar dhe përgjegjës jo vetëm për edukimin dhe emancipimin e fëmijëve, por edhe të prindërve dhe edukatorëve të tyre.”
Me fjalë të tjera, disa serbë – e qebesa edhe disa kosovarë shqipfolës – janë për gjynah, për besë. Nëse më lejon redaksia e nderuar e kësaj gazete, në numrat e ardhshëm do të flas me emra, mbiemra dhe fakte konkrete lidhur me disa “intelektualë“, ose “patriotë” me bateria, ose paterica … )))
Kaq për çastin.
Agron Shabani
KOHA JONË SONDAZH

