Çështja “Beccheti” dhe “becchetët” shqiptarë
Nga Mero Baze
Francesco Beccheti, është modeli i një biznesmeni perëndimor në një vend të Lindjes, që ka përfituar më shumë nga tentativat për të bërë biznes, sesa nga vet biznesi. Ai ka hedhur rrënjë në Shqipëri prej vitit 1996, duke pretenduar të ndërtojë një hidrocentral mbi lumin Vjosë, në Kalivaç, të cilin as e ka filluar as e ka mbaruar, por prej tij ka fituar më shumë sesa do të fitonte sikur ta kishte vënë në punë dhe t’ia kishin falur. Historia e tij është e pangjashme, pikërisht për shkakun se ai është i ekspozuar në publik me biznese që humbasin ose nuk përfundojnë dhe ndërkohë ka bërë miliarda me manovra të padukshme. Prokuroria ka kërkuar sot ekzekutimin e disa urdhër arresteve për pastrim parash, të cilat kanë në qendër kompanitë e tij. Historia nis me hidrocentralin e Kalivaçit, ku 19 vjet më vonë, Francesco Beccheti, nuk e ka mbaruar hidrocentralin, madje as ka nisur të marrë formë, por ka mundur të përfitojë miliona nga procese gjyqësore ndaj një banke gjermane për kontratë të prishur, ndaj kompanisë italiane të energjisë ENEL dhe ka ndërtuar një rrjet kompanish, që sipas prokurorisë pastronin para dhe fshihnin taksa për fitimet e tyre.
Në vitin 2004 Francesco Beccheti, u bë personazh i njohur pasi për shkak të lidhjeve të forta me kryeministrin Fatos Nano, tentoi një projekt për importin e plehrave në Shqipëri dhe ndërtimin e impianteve për pastrimin e tyre këtu. Projekti u kundërshtua ashpër nga shoqëria civile, në krye të së cilës u vendos lëvizja “Mjaft” dhe qeveria u tërhoq.
Pas ardhjes së Berishës në pushtet, ai vendosi kontakte të reja me administratën e tij, falë disa lidhjeve me miq të Berishës tek Aleanca Nacionale, të cilët u investuan personalisht në këtë afrim.
Edhe pse konçesioni i hidrocentralit mbi Vjosë kishte tejkaluar çdo limit kohor nuk u prek, përkundrazi qeveria në atë kohë i ofroi ndihmë për të ristrukturuar planin e investimeve dhe i dha sigurinë e duhur, të përfshihej në marrëdhënie kontraktuale me një bankë gjermane për marrjen e një kredie të madhe.
Francesco Beccheti, duket se përfitoi më shumë nga tentativat për të bërë biznes me hidrocentralin sesa nga vet hidrocentrali, i cili është i pandërtuar, i pashpresë dhe i paqartë në fatin e tij final.
Dy vjet më parë, në periudhën kur pushteti po ndryshonte, Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës në atë kohë, bëri një raport mbi gjendjen e kësaj marrëveshjeje konçesionare dhe rekomandoi prishjen e saj. Francesco Beccheti u alarmua, por qetësia erdhi shpejt, pasi LSI-ja doli nga koalicioni dhe Haxhinasto që kishte firmosur prishjen e marrëveshjes nuk ishte më ministër.
Hobi i tij i ri u bë televizioni dhe ideja për të ngritur një media të fuqishme në Shqipëri. Investimi në Agon Channel është marramendës. Asnjë media shqiptare, por as në rajon nuk ka mundur të ketë studio kaq luksoze, paga kaq të larta dhe një eufori për të ardhmen e vet, sa ata. Blen në treg emra të njohur të gazetarisë politike, spektakleve dhe shoëman, por nuk ngjitën dot në opinionin publik. Ndikimi i tyre në tregun e medias në Shqipëri është më pak sesa një faqe modeste online, edhe pse brendia e tyre nuk është për tu nënvlerësuar. Beçheti kishte ngatërruar faktin, se të blesh njerëz të rëndësishëm nuk bëhesh automatikisht i rëndësishëm.
Pas dështimit të parë dhe milionave të harxhuara për paga paraprake gazetarësh, Francesco Beccheti, nisi aventurën e televizionit me kosto të ulët për Italinë, duke tentuar të prodhojë emisione në Shqipëri për t’i shitur në tregun italian. Emra të njohur të gazetarisë italiane të ngelur pa punë atje, zbarkuan në Tiranë me rroga të majme, si një fat i papritur në perëndim të karrierës së tyre. Askush nuk e kishte më të qartë se çfarë ishte duke bërë Francesco Beccheti. Ai ishte gjithmonë optimist, i qeshur dhe bindës se kishte në mendje diçka që nuk e dinim.
Prokuroria thotë sot, se ajo që ne nuk dinim ishte pastrimi i parave. Milioneri italian, i dashuruar me një fshat të Tepelenës, ia kishte dalë sipas prokurorisë të ndërtonte një skemë pastrimi parash me disa kompani zinxhirë, në një prej të cilave, kishte fshehur dhe të ardhurat që duhet të taksoheshin, duke i lënë tatimeve një borxh prej 700 milionë lekësh (të reja).
Francesco Beccheti është në kërkim për tu arrestuar, por ai është larguar nga Shqipëria. Natyrisht nuk është problem arrestimi i tij, sesa serioziteti i këtij hetimi. Prokuroria shqiptare ka pasur raste të ngjashme dhe biznesmenë shqiptarë që janë akuzuar për pastrim parash, por i ka mbyllur hetimet. Rastet kanë qenë po kaq flagrante, madje dhe më të forta, të denoncuara nga vet shteti shqiptar.
Dyshimet janë se Francesco Beccheti po çohet para drejtësisë, se e ka kërkuar drejtësia italiane dhe ndoshta zyrtarë perëndimorë, me të cilët ai është ndeshur në betejat e tij plotë marifete ligjore, për të fituar para nga gjyqet kundër bankave dhe kompanive shtetërore italiane. Nëse është kështu, nuk është një lajm që duhet të na bëjë optimist, pasi Prokuroria po çon para drejtësisë, dikë që nuk i duhet këtu askujt, edhe pse u përpoq të bëhej i rëndësishëm me median e tij, duke blerë emra të rëndësishëm të gazetarisë. Kjo vlen si një qokë e radhës e prokurorisë sonë, në rastin konkret qokë pozitive, për zyrtarë të Perëndimit.
Prokuroria jonë do të na bëjë krenare kur të çoj para drejtësisë, “becchetët” shqiptarë. Ata që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë një histori të pistë mediash dhe biznesi në vend, por që në fund nuk i prek askush.
Tema