Çfarë bisedojnë “Berishët” çdo 15 mars?

Nga Mero Baze

15 Marsi është një ditë, që ka ndryshuar rrënjësisht fatin politik dhe njerëzor në Familjen e Sali Berishës. I rikthyer në pushtet pas një ikje dramatike si ajo e vitit 1997, ai bëri shumë kujdes të ishte bindës, si një kalorës i luftës kundër korrupsionit dhe kryeministër i duarve të pastra.

Situata e mirë makroekonomike, në të cilën mori pushtetin dhe disa reforma strukturore në dy vitet e para, po ashtu i dhanë një kuptim ndryshimit të vitit 2005. Gjithçka zgjati deri më 15 mars, kur shpërthimi i Gërdecit la të vdekur baxhanakun e Sali Berishës, punësuar aty nga i biri i tij. Ai ishte një burrë i mirë, i përballur me një jetë të vështirë në emigracion dhe oferta e Shkëlzenit për ta punësuar aty, ishte një zgjidhje. Gjithçka ndodhi më pas tashmë dihet. Familja Berisha u gjend e papërgatitur për tragjedinë tek biznesi i të birit dhe nuk rakorduan dot as me njëri-tjetrin çfarë të thoshin në momentet e para dhe më pas.

15 Marsi nuk ishte një traumë për shkak të tragjedisë në rrethin familjar të Berishës, por për atë çfarë prodhoi në politikën shqiptare. Pas 15 Marsit, Sali Berisha nuk ishte më kryeministër i Shqipërisë, por një gardian i krimeve të djalit të tij dhe më pas vajzës e gruas së tij. Ai ndryshoi qëndrim ndaj institucioneve të shtetit, hyri në luftë me Prokurorinë, Presidentin, median dhe gjithkënd që drejtoi gishtin nga e vërteta.

Dhe duket sikur ia doli. E mbylli me dhunë këtë çështje dhe shmangu hetimin e të birit, duke shpërblyer gjithë dëshmitarët e më pas duke i eleminuar. i vetmi që po përfiton ende është Aldo Bumçi, të cilit iu bë fat ai faksi që firmosi. Mihal Delijorgji ndërkohë, sapo doli nga burgu është i vetmi që rimori leje ndërtimi nga Lulzim Basha dhe kur ato nuk lejoheshin tek Parku i Autobusave dhe filloi ndërtimin qysh më 2012-ën. Me atë nuk bëhet shaka ende, se mund të flasë. Të tjerët tashmë i ka hedhur në rrugë. Por ndërsa betejën e fitoi duke përdorur pushtetin, ai arriti të bind shqiptarët se ishte faktori kryesor për atë që ndodhi dhe e hodhën në rrugë më 23 Qershor.

Tani, natyrisht që do shumë vullnet dhe tjetër drejtësi që ta çojë deri në fund punën e saj. Nuk kam shumë shpresa se këta që kemi nëpër këmbë do ta bëjnë këtë gjë.

Po kam një kuriozitet për Familjen Berisha në këtë datë. Si sillen ata me njëri- tjetrin?

Fjala vjen Liria çohet në mëngjes më 15 Mars dhe natyrisht i kujtohet që në këtë datë motrës i ka vdekur burri, tek puna që ia gjeti djali i saj. A e ngre telefonin Liria të ngushëllojë motrën ose të shkojnë të dyja në Sharrë? Natyrisht jo… Ajo duhet t’i tregojë burrit se njëlloj si Ai, as ajo s’dinte gjë. Pastaj është Argita. Tezes së saj i ka vdekur burri tek puna që i gjeti vëllai i saj. Me siguri që ajo nuk e merr tezen në telefon, por me nënën e saj a bisedon qoftë dhe rastësisht siç bisedojnë shqiptarët me fjali të tipit “Gjynah, tezja ka përvjetorin e burrit sot”. Me siguri që nuk e bën.

Saliu po ashtu është i trazuar këtë ditë. E besoj që nuk ia ndjen fare për baxhanakun, po për faktin se kjo ditë u bë dita e të tatpjetës së tij të fundit në politikë. Prej kësaj dite ai ndryshoi historinë e vet politike dhe doli në origjinën nga ku u nis, hajdut, autoritar, despot për të përdorur shtetin për interesa private dhe në fund humbës legjendar.

Por diçka duhet të thotë dhe ai mëngjesin e çdo 15 Marsi. Fala vjen, kur ulet në mëngjes me gruan dhe nga nervozizmi nuk flasin nja 5 minuta, pasi secilit i kujtohet Gërdeci i tij. Pastaj fare papritur mund tu kujtohet Shkëlzeni, ai që ua bëri këtë gjëmë, por që këtë të dielë ka ikur në Paris me të dashurën të blejnë brekë dhe këpucë të shtrenjta për dyqanin në Bllok. Ai në të vërtetë, duket që e ka kaluar fazën që turpërohet për atë që bën dhe ndoshta as i bie në mendje kjo datë.

Po për fat të keq janë akoma gazetat dhe televizionet që e kujtojnë sa për të të prishur ditën. Përfytyrojeni për një moment Familjen Berisha të mbledhur bashkë, duke parë lajmet e ditës së sotme; Nënë Zamirën me rroba të zeza në Gërdec që mallkon drejtësinë e munguar, Fatmir Mediun e pagjykuar dhe Zenin që është mërzitur pse tallet me vrasjet me pagesë Bes Kallaku dhe ata që s’dinë ç’të flasin me njëri- tjetrin. A mund të jetë njeriu aq hipokrit si ata, sa të bëjnë sikur gënjejnë dhe njëri-tjetrin? E zëmë se ia hodhën drejtësisë, ia hodhën mediave duke u dhënë skenarë të ndryshëm, por sot në tavolinë kur shikojnë lajmet çfarë thonë? Vërtetë mendojnë se ia hodhën?

Gazeta "Tema"

SHKARKO APP