Çfarë do bëjnë kur të mbarojë nafta?
Çfarë do të ndodhë me sauditët dhe kuvajtianët kur të mbarojë nafta? Një fjalë kyçe për këtë çështje ka nisur që të qarkullojë në rrjetet sociale nga arabët dhe është përdorur miliona herë
Në fillim të kësaj jave, një fjalë kyçe në arabisht, që përkthehet “Puna juaj pasi të mbarojë nafta”, nisi të përhapet me shpejtësi kryesisht në Arabinë Saudite, por edhe në Kuvajt.
Qytetarët e këtyre vendeve e përdorën fillimisht për të bërë shaka, por më vonë pati edhe meditime serioze për të ardhmen pa pasurinë e tyre të bollshme, naftën.
Disa sauditë thonë se do i rikthehen një stili më të thjeshtë jetese dhe ndoshta do bëhen barinj.
Të tjerë janë më pesimistë për të ardhmen e vendit të tyre.
“Unë jam i papunë dhe si unë janë miliona të tjerë, kështu që sa keq do bëhet kur nafta të mbarojë,” komenton një person në Twitter.
Pavarësisht se është prodhuesi më i madh i naftës në rajon, Arabia Saudite ka pasur probleme prej kohësh me papunësinë.
Suaditët janë të pasigurt pasi çmimet e naftës kanë arritur në nivelin më të ulët të katër viteve të fundit.
Kjo nuk do të thotë gjë në lidhje me rezervat e naftës- në fakt kur ajo të shkojë drejt mbarimit, çmimet do të rriten- por në vitin 2011, një raport i Citigroup paralajmëronte se sauditët mund të mbarojnë naftën për eksport në vitin 2030.
Brenda vendit, shumë besojnë se mbretëria nuk është gati për një të ardhme pa naftë.
Një saudit shkruan në Twitter: “Druhem se do themi që e kemi shpenzuar naftën në luks dhe teprim dhe nuk e kemi përdorur për avancime shkencore, nga të cilat do përfitonim ne dhe gjeneratat që vijnë”.
Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka bërë thirrje së fundmi qeverisë saudite që të shpenzojë më pak dhe të përdorë paratë më mirë për një periudhë kur nafta të mbarojë.
Gjatë viteve të fundit, Arabia Saudite ka shpenzuar më shumë në mirëqenie dhe tani po realizon projekte të mëdha infrastrukturore. Por disa komente online janë kritikë ndaj bujarisë së qeverisë me ndihmën e huaj.
“Do e merrja mbrapsht ndihmën financiare që u kemi dhënë vendeve të ndryshme… ne kemi më shumë të drejta mbi ato para,” shkruan një nga të paktat femra online.
Pavarësisht rezervave të naftës, njerëzit e zakonshëm në Arabi kanë shprehur ankthin e tyre në lidhje me ekonominë.
Në korrik, njerëzit përdorën fjalën kyçe “rroga nuk më plotëson nevojat” dhe diskutuan për problemet financiare me të cilat po përballen njerëzit në një nga vendet më të pasura në botë.
Frika e erës post- naftë është shtrirë edhe në Kuvajtin fqinj, edhe pse me një popullsi më të vogël.
Kuvajtianët janë bërë aktivë në këtë diskutim me të njëjtat shqetësime.
Një kuvajtian komenton: “I lutem Zotit që të mos i shoh këto ditë, për shkak se kjo gjeneratë nuk mund të jetë e vetëmjaftueshme”.