Çfarë do presim nga qeveria e re, Rama-2!
Nga Ben Andoni
Nga ajo që u parashtrua nga kryeministri Rama, vetëm pakëz më parë dhe nga kundërshtimi patetik i Opozitës nëpërmjet kryetarit të saj Basha, kupton se Shqipëria edhe këtë mandat nuk mund të ketë kurrsesi një model ekonomik, që të ketë qasje të madhe dhe mirëkuptim nga palët.
Megjithëse Ekzekutivi është shkurtuar duke bërë një reformë të vërtetë institucionale pritshmëritë duken shumë larg. Në të ardhmen dhe me tendencën e deritanishme duket se burimet e rritjes së GDP-së të Shqipërisë do të vazhdojnë të kërkohen dhe do jipen prej fushës së turizmit, eksportet, remitancat, investimet e huaja, pa mohuar askurrë trafiqet edhe aktivitetet e jashtëligjshme, që duhet thënë se po marrin dënime të merituara e që megjithatë janë ende larg fashitjes!
Në një argument, që nuk lidhet aq shumë me ekonominë, njerëzit janë të lodhur, por më shumë të paqartë me ndryshimet e vazhdueshme institucionale në vend. Shqipëria i ngjan një karuseli që nuk ndalet. Çdo Ekzekutiv bën ndryshime radikale, duke zëvendësuar strategji dhe ndërtuar e prishur plane të paraardhësve. Mungesa e vazhdimësisë dhe gjetja e konkluzioneve të duhura për funksionimin e ndryshimeve, që kanë bërë qeveritë shqiptare, shpesh duke anatemuar njëra-tjetrën e bën publikun t’i presë skeptik edhe ndryshimet e reja të Rama-2.
Ndërkohë që edhe premtimi për rritjen ekonomike prej 5% nuk është se do të thotë shumë për Shqipërinë dhe zbutjen e varfërisë skajore në vend. Kur i shtohen edhe shifrat e azilkërkuesve dhe dëshirën për ikje kjo jep ushqim për argumentin tonë, që njerëzit nuk kanë më besim te institucionet dhe premtimet, sado të justifikuara të jenë ato. Vetë kryeministrit Rama, paçka kritikave të formës sesi u realizuan “dëgjesat publike”, ato tubime i kanë mjaftuar të shikojë në terren funksionalizimin e dobët të shtetit shqiptar dhe të gjithë hallkave të veta, krijuar prej tij.
Ku çalon? Duket se ndërhyrja e politikës në çdo segment të administratës dhe ndërfutja e saj është e pamundur të ç’bëhet. Teksa, dora e ashpër e pretenduar e Rama-2, megjithë pretendimin nuk mund të penetrojë kurrë dot në strukturën e madhe të korrupsionit, por më shumë në traditën e madhe të ryshfetit që e mban të rrënjosur thellë logjika e administratës dhe mbi të gjitha pasigurinë e saj. Frika është se ndryshimet e premtuara dhe të proklamuara do ndikojnë realisht edhe në këtë administratë, që duhet thënë se megjithë gabimet ka filluar të punojë me një logjikë më moderne.
Kuptohet se cilësia e shërbimeve publike që ofrohen prej kësaj administrate lënë ende për të dëshiruar, por nuk mund të mohohet se segmente të tjera të saj janë të frikësuar në çdo moment prej rekrutimeve të padrejta, me shitblerjen e vazhdueshme të vendeve të punës dhe me rrëmbimin e posteve prej militantëve. Mjafton të afrojë sezonin i zgjedhjeve dhe pragmatizmi i politikës i mbyt premtimet e përmirësimit të performancës institucionale. Vetë Rama do të theksonte dhe e pranonte, pak javë më parë, se shumë drejtues kishin formime që nuk përshtateshin fare me punën e tyre.
Ndaj, para se të flitet për reformime duhej realisht folur për gabimet jo të pakta deri më tani, që vinë qysh prej procedurave të rekrutimit, por edhe kërcënimin e vazhdueshëm të ikjes nga puna, mungesën e sistemit të karrierës dhe motivimin. Rama do të ishte shumë më i besuar kur të tregonte sedo t’i qasej një modeli ekonomik me këtë administratë dhe kapacitetin e saj, duke sjellë teknikisht edhe mënyrën sesi do e ndihë e gjithë kjo trashëgimi zhvillimin e vendit.
Ndërkohë që me ligjërimin e gjatë të Ramës, Shqipëria duket se edhe pas katër vitesh do të jetë në të njëjtin qerthull, me të vetmin ndryshim, sepse armik nuk do jetë më opozita apo burokracia dhe militantët e partive, por do të shpiket sërish ndonjë gjë e re. E njerëzit do rrinë dhe do të sodisin sërish, në pritje të modelit që e mbështesin të gjithë, e që është ende larg ndihjes për ta zhvilluar vendin tonë. (Javanews)