Çfarë do të bëjnë Rama dhe Basha me Tiranën?

Nga Henri Çili

Ata të dy e njohin mirë Tiranën. Ndaj nuk kanë asnjë justifikim për zgjedhjet e gabuara potenciale që mund të bëjnë, për arsyen e thjeshtë se kanë qenë apo janë aktualisht kryetarë të Bashkisë së Tiranës. Dilemat e javëve të fundit që bëhen më të intensifikuara këtë javë, në fakt i vënë dy liderët kryesorë politikë në një provë me rëndësi.

Së pari kryeministri Rama, i cili këto zgjedhje veç të tjerash ka rastin apo përgjegjësinë për të testuar strukturimin e “pushtetit të ri lokal”, pasi Rama është vetë ai autori i ndarjes së re elektorale, aq të domosdoshme që ai bëri me shumë kosto politike, por e bëri: tanimë kemi vetëm 60 bashki plus një superbashki: atë të Tiranës. Një bashki e tillë si Tirana do të jetë edhe më shumë, edhe pse gjithnjë ka qenë, vitrinë e modelit politik në bazë për çdo forcë që qeveris. Ndaj para Ramës shtrohen së paku katër dilema dhe nga mënyra sesi ai do t’u përgjigjet atyre në fakt do të varet shumë, mjaft shumë, për të mos thënë fatalisht e ardhmja e modelit të tij qeverisës si kryeministër: modernizimi e reformimi i shoqërisë shqiptare në këtë gjysmë të dytë të dekadës së tretë të demokracisë së re shqiptare.

Dilema e parë, që ai ka fuqinë ta zgjidhë në një drejtim apo tjetrin është kjo: a do jetë Rama të paktën në nivelin e Fatos Nanos, në vitin 1998 apo 2000, kur i dha shansin një të riu ambicioz e premtues, Edi Ramës vetë pra, për të sjellë një erë të re në pushtetin lokal të Tiranës, që deri atëherë ishte një inerci e komitetit ekzekutiv? Nano e bëri me të 15 vjet më parë dhe në këtë kontekst, a do të bjerë Rama më poshtë se Nano një dekadë e gjysmë më parë?

Dilema e dytë është vesi apo prirja e të gjithë liderëve të fuqishëm apo të superfuqishëm në një moment politik, sikurse është dhe Rama sot, për të qenë arbitrarë. Duke shijuar kënaqësinë që kjo i sjell. Kaligula për shembull çonte në vendin e vet në senat kalin e tij! Pra, praktikisht Rama ka luksin këtë moment të “emërojë” këdo kandidat, këdo anonim të partisë së tij apo që mund ta gjejë në rrugë, për ta vënë kryetar bashkie, i bindur se koniuktura elektorale e vë pak ose aspak në rrezik, edhe pse elektorati nuk është kurrë i sigurt. Do t’i jepet Rama këtij vesi a trilli të njerëzve super të fuqishëm në një moment që, meqë kanë mundësinë të jenë arbitrarë mund ta bëjnë, për të na bërë pajë në garën e Tiranës “zotin apo zonjën GJITHKUSH”? Kështu Tirana si garë e piacës së lartë politike nga zgjedhjet e vitit 2000, me kandidatë si Mustafaj, Ngjela, Olldashi e Basha, do të kthehej në një rutinë politike si shumë të tjera.

Dilema e tretë e Ramës është sjellja që do të adoptojë ndaj njëfarë tensioni, apo një tensioni real brenda degës së Tiranës dhe partisë së vjetër socialiste, të cilët mund të gjejnë rastin për kandidatin e Tiranës të artikulojnë një presion a rezistencë dhe të imponojnë ndonjë nga “radhët e tyre”, ndonjë senator apo ndonjë socialist tabani të tipit Majko? A do të “përtojë” Rama të përballet më kundërshtimin e “bazës” apo “socialistëve të tabanit” dhe do të lërë për momentin frymën e tij reformuese të sendërtuar jo thjesht tek aksioni i vet, por dhe te disa profile të spikatura zonjash e zotërinjsh në kabinetin e tij? Apo do ta finalizojë me Tiranën frymën e vet dhe stilin qeverisës duke e multiplifikuar modelin e vet me një zotëri apo zonjë të “stilit të tij”?

Kurse për Bashën dilema është tjetër. Në radhë të parë, në kushtet kur moskandidimi i tij është veprimi i duhur për rrethanat e reja ku e vendosi viti 2013 dhe koherent me fushatën e tij të 2011-s për ndarjen e postit të kryetarit të opozitës me atë të Bashkisë së Tiranës, kryetari i ri i opozitës vendoset në dilema të tjera:

Dilema e parë që duhet të zgjidhë Basha, pasi zgjidhi drejt moskandidimin, është braktisja e çdo strategjie justifikuese nga ai vetë apo nga kandidati i ardhshëm, e poemës së justifikimit për bilancin e vobektë në krye të Tiranës: “…deshëm, po dy vitet e para s’na lanë Financat e Ridvan Bodes dhe dy vjetët e tjera, ato të Shkëlqim Canit”. Nuk ia vlen, pasi politika nuk njeh justifikim. Ajo është kapërcim i pamundësive.

Dilema e dytë e Bashës është modeli si do t’i avitet pushtetit të ri lokal duke nisur nga Tirana. Nënvariantet e kësaj dileme janë; a- një qasje shumë politike, sidomos në kushtet kur ka arritur një fitore neto me dekriminalizimin këto 6 muajt e fundit.

Kjo kërkon nxjerrjen në fushën e lojës të figurave të forta politike, të vjetra dhe të reja, të cilat në të paktën 25 bashkitë kryesore me bilancin e së shkuarës apo me fuqinë politike të opozitës duhet t’i rezistojnë apo ta mundin koalicionin PS- LSI në të gjitha kalatë kryesore.

Pse jo, Bode të marrë bashkinë e re të madhe të Korçës,  Patozi atë të Vlorës, apo Jozefina atë të Shkodrës e kështu me radhë. Kanë patur bilanc, kanë lidhje dhe kontribut afro 20 vjet në ato zona dhe mund të ishte një formulë fituese në kushtet kur tanimë bëhet fjalë për bashki të mëdha edhe më shumë se sa rëndësia e disa ministrive bashkë.

Një variant i dytë do të ishte një seri kandidatësh në të paktën 25 bashkitë e mëdha, pak të politizuar, brenda ose jashtë partive, personalitete të spikatura të komunitetit atje që sigurojnë një aleancë të opozitës me shoqërinë shqiptare, përtej politizimit të betejës lokale ose interesave të oligarkisë politike, në sensin e ngushtë të fjalës.

Kjo aleancë me shoqërinë do ta kthente opozitën mes njerëzve dhe do të ishte një hipotekë e re politike për një opozitë që nuk ka ankth për rikthim të shpejtë në pushtet, por për një opozitë që ndërmjetëson në shkallë të gjerë me shoqërinë dhe komunitetet.

Janë zgjedhje lokale. Është rasti. Një variant i tretë do të ishte një set kandidatësh të rinj, fytyra dhe figura të reja, të ngjashëm me CV apo bartës të energjisë pozitive të Lulzim Bashës si profil politikani në këtë vend. Kandidatët e rinj, të modelit Basha, të ngjashmit të tij, do të përforconin jehonën në rritje, por ende të zbehtë të tipologjisë Basha në politikën tonë.

Ky i fundit është një figurë komplekse, por ka diçka të pamohueshme: udhëhiqet nga energjia pozitive. Për këtë ai ka mbështetje të gjerë si figurë brenda e jashtë vendit tek aktorët lokalë apo ndërkombëtarë. Por fushata e Bashës duhet të ishte një zgjidhje nga këto të tria, pa kundërthënie dhe jo lara–lara. Vetëm kështu ajo do të fitonte sinergji dhe jo kundërthënie si fushatë. Të tria modelet janë legjitime, por përzierja e tyre do të qe amatorizmi i parë i Bashës si kryetar opozite.

Duke ardhur nga pushteti lokal, Rama dhe Basha nuk kanë justifikim për gafa, hezitime apo dhe konjukturë këtë herë që Shqipëria po themelon pushtetin e ri lokal. Duke filluar nga Tirana.

Gazeta "Mapo"
 

SHKARKO APP