Çfarë do të ndodhë tani me Britaninë në Europë?

 

Nga Giles Mirrett*

Rezultati surprizë i zgjedhjeve të përgjithshme në Mbretërinë e bashkuar, i cili do t’i japë kryeministrit David Cameron dhe Partisë Konservatore një mandat të ri pushteti për pesë vjet, sugjeron se votuesit parapëlqejnë të keqen që ata njohin në vend të të keqes që nuk e njohin. Kjo mund të jetë e vlefshme, shpresojnë disa, edhe për çështjen e anëtarësisë në Bashkimin Europian. Në të vërtetë, fitorja e madhe e Cameron i ka ulur gjasat që Britania të dalë nga Bashkimi Europian, megjithëse kjo mbetet një mundësi e konsiderueshme.

Çështja mbi të ardhmen e Britanisë së Madhe brenda BE-së është parë gjerësisht në Europën kontinentale si çështja më e rëndësishme e këtyre zgjedhjeve, por pavarësisht kësaj, kjo qe tema që nuk tërhoqi ndonjë vëmendje të madhe si problem zgjedhjesh. Ajo krijonte shumë telashe për partitë politike, të cilat e lanë mënjanë për t’u përqendruar në problemet e brendshme ekonomike dhe shoqërore.

Mesazhi kryesor i rezultatit të zgjedhjeve është që votuesit britanikë nuk e pëlqejnë fragmentarizimin e sistemit politik dhe ngritjen e partive të reja që po hap një epokë të re qeverisjesh me koalicione.

Megjithëse debati mbi kalimin te ndonjë formë e përfaqësimit proporcional nuk ka përfunduar, rezultati sugjeron se elektorati britanik e vlerëson stabilitetin e sistemit të vet tradicional “i pari merr postin” (maxhoritar i pastër), i cili favorizon partitë konservatore dhe laburistë.

Humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve është partia anti-Europiane Independence Party. Pasi fitoi popullaritet mbresëlënës brenda pak viteve, UKIP kërcënonte të ndryshonte panoramën politike britanike. Pavarësisht se fitoi 12-13 për qind të votave të përgjithshme, përfaqësimi i saj në Dhomën e Ulët është përgjysmuar – në vetëm një anëtar. Niger Farage, udhëheqësi karizmatik i UKIP, nuk mori dot post deputeti të cilën e ëndërroi dëshpërimisht dhe marka e partisë duket se po dobësohet e ndoshta ka filluar rënien. Për më tepër, Farage tashmë ka dhënë dorëheqjen nga posti në partinë e tij.

Asgjë nga këto nuk duhet të na shtyjë të mendojmë se kërcënimi për “Brexit” ka përfunduar. Testi i ardhshëm i madh politik për Cameron do të jetë në referendumin “brenda apo jashtë” BE-së, për të cilin ka premtuar se do ta zhvillojë në vitin 2017. Numri i votave të hedhura për kandidatët e UKIP sërish tregon vështirësitë e qeverisë së Britanisë në luftën për ta mbajtur Britaninë brenda BE-së.

Reagimi fillestar i Cameron ndaj sondazheve të ditës zgjedhore, të cilat sugjeronin se Konservatorët mund të qeverisnin pa partner në koalicion qe që të bënte thirrje për rikthim te politikat “Një Komb” – duke theksuar reduktimin e pabarazive ekonomike dhe shoqërore – të cilat qenë politikat simbol të partisë së tij pesëdhjetë vjet më parë. Problemi më i madh, gjithsesi, është nëse Torët do të përqafojnë apo jo politikën “Një Europë”.

Cameron ka këmbëngulur prej kohësh se ai dhe qeveria e tij do të bëjnë fushatë për të mbetur në BE në referendumin e premtuar. Por deputetët e rangut të dytë të Torëve duken gjithnjë e më shumë Euroskeptikë ku së paku 60 nga 300 deputetët konservatorë në Dhomën e Ulët tashmë njihen si anti-Europianë të vijës së ashpër.

Arithmetika parlamentare sugjeron se ndërsa statura personale dhe autoriteti i Cameron mund të ketë marrë një ngritje të fuqishme, ai do të jetë shumë i dobët përballë presionit nga vetë deputetët e tij. Në rast se ai nuk pranon të lëshojë nga qëndrimi pro-BE-së i qeverisë së tij të re, argumentohet se ai mund të vuajë një rebelim madje edhe kolaps të maxhorancës së vet.

Për shkak se anëtarësia në BE është shfaqur shumë pak në fushatën elektorale të Britanisë, është e vështirë të nuhasësh ndjenjat e vendit mbi këtë çështje. Udhëheqësit e biznesit kanë ndërhyrë me vendosmëri në debat duke paralajmëruar për pasoja të rënda ekonomike nga Brexit, por qëllimet e votuesve – siç dallohet edhe në këto zgjedhje – janë të palexueshme.

Cameron e sheh veten si një ndërkombëtarist i cili është në konflikt me “Anglezët e Vegjël” brenda partisë së tij. Politika e tij më e mirë tashmë do të jetë të kapitalizojë fitoren e tij surprizë dhe të përcaktojë një datë sa më të afërt për referendumin. Ai është këshilluar në mënyrë të përsëritur se premtimi i tij për “rinegocim” të anëtarësisë së Britanisë në BE nuk mund të sjellë asnjë rezultat thelbësor; kështu që ai duhet të zgjedhë zhvillimin e referendumit para fundit të këtij viti, rrjedhimisht duke shmangur ndonjë poshtërim nga refuzimi i pritshëm i kërkesave të Britanisë nga pothuajse të gjitha qeveritë e tjera të BE-së.

Për votuesit britanikë, këto zgjedhje qenë vetëm për Britaninë. Pyetja kryesore qe nëse sakrificat e përjetuara nga masat e kursimeve tashmë po shpërblehen nga rritja ekonomike e cila është më e lartë se sa ajo e Eurozonës. Rezultati ka konfirmuar këndvështrimin e qeverisë së Cameron se masat e kursimit ia vlenin. Por edhe mendimi i shumë politikanëve dhe komentatorëve Europianë, të cilët thonin se zgjedhjet qenë për shumë më tepër se sa vetë Britaninë është gjithashtu e vërtetë.

BE-ja mund të marrë frymë e lehtësuar për faktin që anëtarësia e Britanisë nuk do të jetë një top për t’u luajtur mes koalicioneve të paqëndrueshme dhe se votuesit Britanikë duket se mbështesin status quo-në më shumë se sa të panjohurën. Por Cameron do të përballet ende me një luftë të ashpër mbi të ardhmen e Britanisë në BE.

*Project Syndicate-BIRN

SHKARKO APP