Çfarë e “sëmuri” sot kryetarin e PD-së?
Nga Mero Baze
Lulzim Basha ka shmangur sot përballjen me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike në mëngjes para nisjes së seancës plenare, duke qenë i pafuqishëm të shpjegojë ndryshimin e papritur të qëndrimit mbështetës për dy depuetët e kërkuar nga Prokuroria.
Edhe pse në qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike dy ditë më parë, Basha tha se do të mbështeste heqjen e imunitetit dhe do t’i hapte rrugë hetimit, diçka ka ndodhur në mbrëmjen e së mërkurës dhe Basha nuk ka pasur guxim të ballafaqohet me Grupin Parlamentar për ndryshimin e këtij qëndrimi. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, para seancës parlamentare, Edi Paloka ka njoftuar se kryetari i PD-së mungon për arsye shëndetësore dhe ka propozuar qëndrimin e ri të PD-së, që do të ishte bojkoti nga salla e Kuvendit. Gënjeshtra ishte aq e trashë, sa Lulzim Basha, i cili ishte pa qejf për të shkuar nga shtëpia në SHQUP, afërsisht 800 metra larg, pati fuqi të shkonte nga shtëpia në Kavajë, 50 km larg në mesditë, në një aktivitet politik të PD-së. Kjo tregon se sëmundja që ka mbajtur larg SHQUP-it Bashën, nuk ishte tek Basha, por tek ata që komandojnë realisht SHQUP-in.
E gjithë kjo nuk ka ndonjë rëndësi për procesin që ndodhi në Kuvend, por për rrugën e vendimarrjes dhe qëndrimeve politike në Partinë Demokratike. Kur gjithçka duket sikur është institucionale dhe kur Basha duket se është formalisht në krye të partisë, ai fare papritur bëhet i paqenë nga një veprim i pashpjegueshëm. Në mbrëmjen e së mërkurës diçka ka ndodhur mes tij dhe Berishës dhe ai ka preferuar të mos shfaqet në mbledhjen e grupit, duke lënë Palokën të komunikojë një vendim thellësisht politik dhe me pasoja në biografinë e asaj partie.
Interesant është fakti, se komunikimi i Palokës është pranuar jo për shkak të autoritetit të Palokës, as për shkak të mungesës së Lulit, por për shkak të aprovimit të Berishës në sallë. Edhe zonja Topalli që ka sulmuar Bashën, e ka sulmuar vetëm pse ai nuk ka fytyrë t’i dalë zot partisë dhe Kuvendit, pra të bëj atë që po bëhej pa praninë e tij.
Ky gjest e dobëson ndjeshëm besueshmërinë e Bashës tek vet grupi parlamentar, i cili e kupton se kur Basha nuk është në një vijë me Berishën, autoriteti i tij është i barabartë me atë të Palokës dhe i zëvendësueshëm pa asnjë problem. Po ashtu ky zhvillim rikthen dyshimin tek faktori ndërkombëtar, se kush i merr vendimet në PD, pasi vet Basha kishte premtuar tek ata mbështetje për votimin e dhënies së autorizimit për arrestim. Në rastin konkret, Basha u ka raportuar diplomatëve të rëndësishëm të Perëndimit në Tiranë, se do t’i hapin rrugë vendimit të Prokurorisë dhe ka dëshmuar se nuk e kontrollon dot Partinë Demokratike, duke marrë raport mjekësor si Doshi kur mësoi urdhërin e arrestit.
Lehtësia me të cilin u komunikua një vendim krejt i ndryshëm nga ai që kishte marrë zyrtarisht PD-ja dhe mbi të gjitha pafuqia e Bashës për t’u përballur me këtë vendim jo transparent, rikthejnë problemin se kush u del zot qëndrimeve politike të Partisë Demokratike.
Qëndrimi i sotëm, duket se është pasojë e një vendimi jo transparent, marrë nën presionin e telefonatave të Sali Berishës në mesnatë. Nuk është problemi nëse ky qëndrim është i gabuar apo i drejtë, por që nuk është një vendim i marrë nga kryetari i PD-së dhe forumet e tij, por një vendim i komunikuar dhunshëm, sikur grupi i PD-së të ishte Durim Bami para kamerës së Tomës.
Partia Demokratike është parti në opozitë dhe ajo mund dhe të mos e votonte arrestimin e dy deputetëtve. Asaj i shkonte të bënte dhe atë që bëri një ditë më parë në Këshillin e Mandateve duke e mbrojtur. Ajo mund të rrinte dhe në sallë dhe të votonte kundër arrestimit. Asgjë nga këto nuk është e paligjshme dhe e padrejtë për një parti të opozitës. Një vendim i qartë i opozitës, i mbrojtur mirë do t’i bënte nder opozitës. Kurse ky qëndrim, që nisën të jenë pro arrestimeve, rrugës ndryshon mendje Berisha, shantazhon Bashën, ky nuk shkon në mbledhje nga frika dhe dalin nga salla duke thënë me mendje e zemër jemi me shumicën, është sa qesharak aq dhe dëshpërues për rolin e opozitës në këtë vend.
Doshi dhe Frroku mund të lirohen nga Gjykata e Lartë dhe mund të hetohen të lirë pas dy ditësh, por opozita nuk i ka lënë vend vetes për asnjë fitore, në çfarëdo skenari të mundshëm. Ajo as lirinë e tyre, s’e quan dot më fitore se ka thënë që ka qenë dakord të arrestohen, as arrestimin se quan dot fitore të saj se ka mbrojtur dy deputetët me mungesën e saj dhe avokatinë publike. Thjeshtë ajo është sot një turmë që ka humbur dhe instiktet politike, duke i bërë një dëm të madh shoqërisë, pasi i ka hequr asaj të drejtën të ketë një garanci kundër arbitraritetit të mundshëm në parlament dhe jetën politike në Shqipëri.
Gazeta "Tema"