Çfarë fshihet në katet e ulta të Kuvendit dhe stalla e kuajve mbretërorë
Nga Lorenc Vangjeli
Ministrja e shtetit Ermonela Felaj ka paralajmëruar dje në ekranin e Channel One përballë Roland Qafokut një lëvizje të jashtëzakonshme në politikë. Një ditë më pas mediat janë marrë fare pak me të, ndoshta sepse nuk është kuptuar thelbi i asaj që është thënë. Por deklarimi i ministres ka një peshë vërtet të veçantë dhe të jashtëzakonshme, aq më tepër që ajo nuk ishte thjesht një një ide e saj, por një projekt që ka kaluar edhe nga vetë zyra e kryeministrit. Çka e bën atë shumë më serioze dhe paralajmëron ndryshime dramatike në politikë. “Sigurisht që ligji (i dekriminalizimit) do të ketë efekte prapavepruese”, thotë Felaj duke bërë të qartë se kjo nuk është ideja e saj. Ajo thotë se për këtë pikë është diskutuar gjatë me haruesit e ligjit italian, referenca edhe për versionin shqiptar të dekriminalizimit të politikës. “Kemi pasur fatin që bashkë me kryeministrin të …kemi marrë përgjigje për të gjitha shqetësimet tona”, thotë ajo duke nënvizuar se lëvizja e personave të padëshiruar “…nuk është e lidhur vetëm me ata që kryejnë detyra të larta shtetërore, por në të gjithë kapilarët e shtetit”. Pra, praktikisht një tërmet që nis në Parlament me të gjithë ata që kanë pasur një të shkuar kriminale dhe vazhdon edhe me ata që janë në pushtet lokal si të zgjedhur dhe për të mos u mbyllur me nëpunës civilë që ndodhen në armatën prej dhjetëra mijëra vetësh të borderove të shtetit. Që nga financierë e infermierë e deri tek police e policë, punonjës arkivi apo dhe oficerë të Forcave të Armatosura.
Nëse një akt i tillë realizohet atëherë në Shqipëri, së paku Kuvendi do të ketë praktikisht një fytyrë tjetër nga ajo që është votuar në qershorin e dy viteve më parë. Fillimisht, me një inisiativë të kryeministrit, mandati i ministrit u bë “i papajtueshëm” me atë të deputetit. Dhe pothuaj të gjithë ministrat, deri në fund të trekatër muajve të parë të qeverisjes, njëri pas tjetrit hoqën dorë nga mandati i marrë në 23 qershor. Përjashtim bën ende ministri i financave Shpëtim Cani. Në vend të tyre në Kuvend erdhën fytyra të reja, përgjithësisht ata që vetë Rama i kishte vendosur në katet e ulta të preferencës së tij. Përgjithësisht të panjohur dhe pa të shkuar të mirëfilltë politike dhe gra në shumicë. Tani duket se e njëjta situatë, por në rrethana të tjera dhe për motive të tjera, do të bëjë sërish “bis”: nëse paralajmërimi i Felajt do të jetë realist, një numër tjetër deputetësh të shumicës dhe të pakicës do të detyrohen të lenë mandatin. Dhe ata do të zëvendësohen nga numra edhe më thellë listave partiake të ngurtësuara që në 23 qershor. Sipas një logjike normale me një “bjerrje cilësish politike dhe intelektuale” meqë hierarkinë e vlerave të tilla e kanë vendosur hartuesit e listave.
Duke lënë mënjanë shumë e shumë debate dhe hamendje, kryesisht për mënyrën e prapavëeprimit të një ligji, cilido qoftë ai, për ndeshjen që ndalimi i presupozuar kushtetues për t’u zgjedhur i dikujt që ka pasur të shkuar kriminale ka me të drejtat universale të njeriut, një gjë është e qartë: fytyra e re e Kuvendit të nesërm, sipas Ramës tashmë, (cituar nga Felaj), do të jetë e ndryshme me atë që është votuar me një milion vota pro dhe disa qindra mijë vota të tjera kundër dy vjet më parë. Normalisht është vullneti i qytetarëve që përcakton ngjyrën e qeverisjes në një vend demokratik. Ai vullnet duhet të jetë dhe filtri i vetëm që ndalon hyrjen në politikë të njerëzve që nuk i lidh asgjë me këtë profesion. Në Shqipëri ky është një vullnet i deformuar prej shumë vjetësh tashmë. Sepse, sa për të marrë një shembull, si do të vepronte ky filtër në rastin e Lulzim Bashës, kryetar i opozitës që është akuzuar zyrtarisht për humbjen e nja 220 milion eurove dhe më keq se kaq, ka qenë ministër kur janë ekzekutuar pa gjyq katër qytetarë, dhe më keq akoma, ka firmosur për tjetërsim territori të Republikës së Shqipërisë? Këtë dilemë përpara vullnetit të individëve shqiptarëve, të majtë e të djathtë, nuk ka filtër që e merr përsipër ta zgjidhë. Dikur e kishte bërë Herkuli me hauret e një mbreti. Stallat e kuajve mbretërorë të Avgjisë, Herkuli i pastroi duke devijuar në ta ujin e lumit, por në Tiranë as nuk ka Herkul dhe mes saj rrjedh vetëm Lana që ka nevojë të pastrohet vetë. (Javanews.al)