Çfarë fshihet pas zhurmës së videos në Shkodër?

 

Nga Mero Baze/

Ka dy ditë që Sali Berisha qarkullon në Facebook një regjistrim të Edi Ramës me strukturat lokale të Partisë Socialiste në Shkodër, ku flitet për drejtorë që duhet t’i përkushtohen fushatës zgjedhore me përgjegjësi. Ka dy versione që interpretojnë fjalën “drejtor”. i pari është i Berishës, që duke shtuar dhe fantazinë e tij thotë që “drejtorët janë urdhëruar të rrëmbejnë kutitë e votimit”, ku nuk thuhet askund dhe një version i Partisë Socialiste që thotë se bëhet fjalë për “drejtorë” të fushatave elektorale, një detyrë kjo e fiksuar në stukturat elektorale të Partisë Socialiste qysh më 23 Prill.

Unë kam qejf të jem me versionin e Berishës, që këta nuk janë drejtorë fushate siç thotë Partia Socialiste, por drejtorë të emëruar në Shkodër. Nëse e marrim kështu, pjesa tjetër e fjalimit të Edi Ramës flet për përgjegjësitë që këta duhet të kenë për një rezultat pozitiv në Shkodër. Nuk flitet as për rrëmbim votash, as për dhunë, as për blerje votash dhe as për përdorim pushteti, por për përgjegjësi elektorale.

Nuk duhet të bëjm stucin në këtë rast dhe të bëjmë sikur drejtorët e emëruar politikisht nuk përfshihen në fushatë elektorale. Përfshihen, biles janë në krye të saj. Drejtorët e Bashkisë së Tiranës së Lulzim Bashës, jo vetëm pas pune por gjatë ditës së punës janë në fushatë, majde dhe në protesta. Ata janë shefa shtabesh të Halim Kosovës dhe askujt nuk i bën përshtypje. E kemi pranuar këtë realitet. Nuk ka bërë përshtypje as dje, kur Berisha ishte në pushtet dhe merrte mungesat dhe në kuadratet e mitingjeve në Sheshin Skënderbej për nëpunës të thjeshtë dhe ata civil që realisht duhen mbajtur larg nga politika.

Justifikimi i socialistëve se ata janë drejtor të fushatave elektorale nuk vlen edhe sikur të jetë i vërtetë. Drejtorët e emëruar nga pushteti në krye të ndërrmarrjeve janë drejtor politik. Ata nuk janë nëpunës civil dhe a s’kanë statusin e nënpunësit civil. E rëndësishme është që ata të mos lënë punë të bëjnë fushatë, por pas pune ata janë njerëz politik. Edhe nëse nuk është politikisht korrekte, kjo do të ishte e keqja më e vogël e fushatës elektorale nëse nuk do të kishte të këqija të tjera.

Por pas kësaj zhurme më duket se fshihet një shqetësim tjetër real i Berishës për Shkodrën. Është e qartë se Partia Socialiste në Shkodër pas ikjes së Tom Doshit ka shumë drejtorë të emëruar prej tij. Pra brenda fushatës së socialistëve ka një strukturë politike që shikohet me skepticizëm për atë që mund të bëjnë në fushatë, nga vet drejtuesit e Partisë Socialiste.

Videoja që ka “rrjedhur” prej tyre , duket më shumë një shfajësim i tyre tek Doshi dhe Berisha, që “nuk kemi çfarë të bëjmë, se na kërcënoi kryeministri”, sesa ndonjë problem i fjalorit të kryeministrit.

Alarmi, me të cilën Berisha shpërndan një video për të cilën Berisha do ishte krenar po të ishte për të, më duket më shumë alarm elektoral sesa politik. Gjëja që mund të ketë tronditur Berishën dhe njerëzit e Doshit të mbetur në PS, është pikërisht fakti që ata kanë qenë të detyruar si Durim Bami t’i thonë “s’kemi ç’ti bëjmë, shiko si na kërcënoi”.

Përtej kësaj nuk më duket se ia vlen të bëjmë debat për një standard, i cili në Shqipëri, por dhe në vende të tjera është vështirë të realizohet. Njerëzit politik të partive, jashtë orarit të punës janë njerëz politik, pasi ajo është karriera reale e tyre. Jo etike do ishte përdorimi i pushtetit për të blerë vota, për të trembur njerëz, për të ushtruar dhunë dhe për të prodhuar vota përmes parave të buxhetit të shtetit. Që drejtorët, qofshin këta drejtorë fushatash, qofshin drejtor të shtetit, pas orarit të punës do bëjnë fushatë, ky realitet do të vazhdojë dhe nja 50 vjet. Dhe duke qenë drejtorë politik, ata kanë përgjegjësi apriori për çdo rezultat. Ata duhen në rast humbje, qoftë dhe për imazh. Për këtë arsye janë njerëz politik dhe jo nëpunës me status të nëpunësit civil.

Berishën nuk e tremb kjo, se ai ka një traditë shumë më të zezë në këtë drejtim. Berishën mesa duket e tremb humbja e garancisë që ka pasur brenda PS-së në Shkodër. Kjo është më interesante sesa videoja.

Gazeta "Tema'

SHKARKO APP