Çfarë ka nevojë Amerika që të bëjë Trump
Fitorja trullosëse e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA ka bërë një gjë shumë të qartë: shumë tepër amerikanë – veçanërisht të bardhit meshkuj – ndjehen se janë lënë pas. Për fat të keq, ai ka pak gjasa se do të ndjekë axhendën e politikave për të cilat votuesit e tij kanë nevojë.
Nga Joseph E. Stiglitz
Fitorja trullosëse e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA ka bërë një gjë shumë të qartë: shumë tepër Amerikanë – veçanërisht të bardhit meshkuj – ndjehen se janë lënë pas. Kjo nuk është se thjeshtë ata ndjehen; shumë Amerikanë në të vërtetë janëlënë pas. Kjo mund të shihet në të dhënat statistikore po aq qartë sa edhe në zemërimin e tyre të shprehur. Dhe, siç unë kam argumentuar më parë, një sistem ekonomik që nuk “shpërndan” për pjesën më të madhe të popullsisë është në fakt një sistem ekonomik i dështuar. Pra çfarë duhet të bëjë Presidenti i Zgjedhur Trump për këtë situatë?
Përgjatë një të tretës të shekullit të fundit, sundimtarët e sistemit ekonomik amerikan i kanë rishkruar rregullat në mënyrë që ato t’i shërbejnë njerëzve në majë, ndërsa kanë dëmtuar ekonominë në tërësi dhe në veçanti, kanë dëmtuar të 80 për qind të popullsisë poshtë. Ironia e fitores së Trump është që qe pikërisht Partia Republikane të cilën ai e udhëheq që e ka shtyrë globalizimin drejt ekstremit dhe ka punuar kundër politikave që mund të kishin pakësuar traumën e shkaktuar nga globalizimi. Por historia me të vërtetë ka rëndësi: Kina dhe India tashmë janë të integruara në ekonominë botërore. Për më tepër, teknologjia ka përparuar kaq shpejt sa numri i vendeve të punës në manifakturë në shkallë botërore ka qenë duke rënë.
Komplikimi i krijuar është që nuk ka ndonjë mënyrë në të cilën Trump mund të sjellë pas në SHBA një numër të lartë vendesh pune të mirëpaguara në manifakturë. Ai mund të rikthejë manifakturën, ose manifakturë të përparuar, por aty do të jenë shumë pak vende pune. Dhe po, ai mund të rikthejë vende pune, por ato do të jenë me paga të ulëta, jo si vendet e punës me paga të larta të viteve 1950.
Nëse Trump është serioz në premtimin për të luftuar pabarazinë, ai duhet të rishkruajë rregullat edhe një herë, në mënyrë që ato rregulla t’i shërbejnë të gjithë shoqërisë dhe jo vetëm njerëzve të ngjashëm me të.
Gjëja e parë e rëndësishme është nxitja e investimeve, gjë që do të duhet të rikthejë rritjen e shëndetshme afatgjatë. Në mënyrë speficike, Trump duket t’i japë rëndësi shpenzimeve në infrastrukturë dhe zhvillim. Ajo që është tronditëse për një vend, suksesi ekonomik i të cilit varet nga inovacioni teknologjik, është se investimi si përqindje e PBB0së në kërkim bazë është më i ulët sot nga sa ka qenë një gjysmë shekulli më parë.
Infrastruktura e përmirësuar mund të fuqizojë normat e kthimit nga investimet private, të cilat kanë qenë të dobëta. Sigurimi i aksesit më të lartë në financa për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, përfshirë sipërmarrjet e drejtuara nga gratë, mund të stimulojë gjithashtu investimet private. Një taksë mbi karbonin mund të ofrojë një trifekta për mirëqënien shoqërore: rritje më të madhe për shkak se firmat riformatohen për të reflektuar koston e rritur të shkaktuar n ga taksa për emetimet e dioksidit të karbonit; një mjedis më i pastër; dhe të ardhura shtesë që mund të përdoren për të financuar infrastrukturën apo përpjekjet e drejtpërdrejta për të ngushtuar ndasinë ekonomike të Amerikës. Por nëse shohim pozicionin e Trump si mohues të shkencës së ndryshimeve klimaterike, ai ka pak gjasa se do të ecë përpara në këtë drejtim (gjë që mund të nxisë vende të tjera të botës të fillojnë të vendosin tarifa kundër produkteve amerikane të prodhuara në mënyra të tilla që dhunojnë rregullat botërore të luftës kundër ndryshimeve klimaterike).
Një përqasje tërësore nevojitet gjithashtu për të përmirësuar shpërndarjen e të ardhurave të Amerikës, shpërndarje që është nga më të këqijat mes të gjitha ekonomive të përparuara. Ndërsa Trump ka premtuar se do të rrisë pagën minimale, ai ka pak gjasa të ndërmarrë ndryshimet më të rëndësishme, të tilla si fuqizimi i të drejtave të negocimit të përbashkët nga ana e punëtorëve dhe shtimi i fuqisë së tyre negociuese si dhe kufizimit të skemave të kompensimit të drejtorëve ekzekutiv.
Reforma rregullatore duhet të lëvizë përtej kufizimit të dëmeve që sektori financiar mund të shkaktojë në mënyrë që të garantohet që ky sektor t’i shërbejë shoqërisë në mënyrë të sinqertë.
Në prull, Këshilli i Këshilltarëve Ekonomikë të Presidentit Barack Obama publikoi një informacion që tregonte një rritje të përqendrimit të tregjeve në shumë sektorë. Kjo do të thotë se më pak konkurrencë dhe çmime më të larta vijnë nga ky fenomen – gjëra që shkaktojnë gjithashtu të ardhura reale më të ulëta si dhe ulje të drejtpërdrejtë të pagave. SHBA ka nevojë ta luftojë përqendrimin e fuqisë së tregut, përfshirë manifestimet më të teja të të ashtuquajturës ekonomi të përbashkët.
Sistemi regresiv i taksimit në Amerikë – i cili ushqen pabarazinë duke ndihmuar të pasurit (dhe askënd tjetër) që të bëhen më të pasur – duhet gjithashtu të reformohet. Një objektiv i dukshëm duhet të jetë që të eliminohen trajtimet favorizuese për fitimet kapitale dhe nga dividentët. Një tjetër është që të sigurohen se kompanitë i paguajnë taksat – ndoshta duke e ulur normën e tatimit mbi fitimin e korporatave për kompanitë që investojnë dhe krijojnë vedne pune në Amerikë dhe duke i rritur për ato që nuk investojnë. Por për shkak se Trump është një nga përfituesit e mëdhenj të këtij sistemi, premtimet e tij për të zbatuar reforma në përfitim të amerikanëve të zakonshëm nuk janë të besueshme; siç ndodh zakonisht me republikanët, ndryshimet e tyre në taksa janë vetëm në përfitim të disa të pasurve.
Trump ndoshta nuk do të punojë për fuqizimin e barazisë në mundësi. Sigurimi i arsimit parashkollor për të gjithë përmes investimeve më të larta në shkollat publike është me rëndësi thelbësore në rast se SHBA dëshiron të mos bëhet një vend neo-feudal ku avantazhet dhe disavantazhet kalohen nga një gjeneratë te tjetra. Por Trump ka qenë praktikisht i heshtur mbi këtë temë.
Restuaurimi i mirëqenies së përbashkët kërkon politika që e zgjerojnë aksesin në shtëpitë me çmime të ulëta dhe në kujdesin shëndetësor të përballueshëm, sigurojnë pension me një theks te dinjiteti dhe lejojnë çdo amerikan, pavarësisht nivelit ekonomik të familjes, të përballojnë një arsim universitar në përputhje me aftësitë dhe interesat e atij apo asaj. Por ndërsa unë mund ta imagjinoj Trump, – një manjat pronash të paluajtëshme, – duke mbështetur një program masiv strehimi (në të cilin shumica e përfitimeve i shkojnë zhvilluesve si ai vetë), premtimi i tij për anulimin e Aktit të Kujdesit Shëndetësor të Lirë (Obamacare), mund të lërë miliona amerikanë pa sigurim shëndetësor. (Shpejt pas zgjedhjeve, ai sugjeroi se do të veprojë më me kujdes në këtë fushë.)
Problemet e krijuara nga amerikanët e pakënaqur – të cilët vuajnë nga dekada neglizhence – nuk do të zgjidhen shpejt apo me mjete konvencionale. Një strategji efektive do të duhet të marrë parasysh nevojën për zgjidhje më pak konvencionale, ku interesat korporativë të republikanëve nuk duhet të jenë prioritet. Për shembull, individët mund të lejohet të rrisin sigurinë e tyre në pension përmes rritjes së kontributit të tyre në llogaritë e Sigurimeve Shoqërore, me rritje të krahasueshme në përfitimet nga pensioni. Dhe politika më gjithëpërfshirëse për leje për çështje familjare dhe për sëmundje mund të ndihmojnë amerikanët të realizojnë një balancë mes punës dhe jetës më pak stresuese se sa tani.
Në mënyrë të ngjashme, një opsion publik për financimin e strehimit mund t’i japë të drejtë çdokujt që ka paguar taksat në mënyrë të rregullt të marrë një kredi me kolateral me këst fillestar në masën 20 për qind, kredi që duhet të jetë në raport me aftësinë e tyre për ta shlyer atë, me një normë interesi pak më të lartë se sa kostoja me të cilën qeveria mund të marrë hua dhe të shërbejë borxhin e vet. Pagesat mund të bëhen përmes përdorimit të sistemit të taksës mbi të ardhurat.
Shumë gjëra kanë ndryshuar që kur Presidenti Ronald Reagan filloi të hollojë shtresën e mesme dhe të anonte përfitimet e rritjes ekonomike nga ata që janë në majë dhe politikat e SHBA-së dhe institucioneve të vendit nuk kanë vepruar për të kundërbalancuar këtë. Nga roli i grave në tregun e punës te rritja e internetit dhe rritja e larmishmërisë kulturore, Amerika e shekullit të njëzet e një është në themel e ndryshme nga Amerika e viteve 1980.
Nëse Trump me të vërtetë dëshiron të ndihmojë ata që janë lënë pas, ai duhet të shkojë përtej betejave ideologjike të së shkuarës. Axhenda që unë hartova këtu nuk lidhet vetëm me ekonominë: ajo synon gjithashtu të ushqejë një shoqëri dinamike, të hapur dhe të drejtë që ndihmon në realizimin e vlerave më të lavdëruara të Amerikës. Por megjithëse kjo skemë është, në një farë mënyrë, relativisht në përputhje me premtimet elektorale të Trump, në shumë mënyra të tjera ajo është antiteza e tyre.
Orba ime shumë e turbullt tregon se rregullat duhet të rishkruhen, por jo që të korrigjohen gabimet e rënda të revolucionit të Reagan, një gur kilometrik në udhëtimin e neveritshëm që la kaq shumë njerëz pas. Përkundrazi, rregullat e reja mund t’i bëjnë gjërat edhe më keq, duke lënë edhe më shumë njerëz jashtë ëndrrës amerikane.
Project Syndicate-BIRN