Çfarë mund t’iu mësojë Norvegjia vendeve të tjera?
Kuzhina e tij është vazhdimisht e mbushur me fëmijë të lumtur, të uritur dhe kureshtarë.
“Kemi mjaft hapësirë, ku ata mund të ulen për kohë të gjatë dhe të shijojnë ushqimin. Përpiqem të marr kafshë të tëra, peshq, gaforre të gjalla, në mënyrë që ata të shohin se kafshët që hamë nuk janë vetëm paketa në dyqane.Fëmijët janë shumë kuriozë dhe të interesuar për të parë gjëra të reja”, thotë Midtoy.
Edhe në Norvegji, vendin e katërt në botë sa i përket prodhimit bruto të brendshëm, një kopsht me ushqime të tilla është i pazakonshëm.
Por, në një vend ku 80 për qind e shpenzimeve të kopshtit subvencionohen nga shteti, shtesa prej 116 dollarësh në muaj, që prindërit paguajnë për këtë kuzhinë të pasur, është e përballueshme për secilin – sidomos, pasi pagat në Norvegji, që nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, janë 50 për qind më të larta se mesatarja në BE.
Që Norvegjia është kaq e pasur, nuk është befasi. Ajo është eksportuesja e pestë më e madhe në botë e naftës. Të ardhurat e saj vjetore të naftës janë rreth 40 miliardë dollarë, ndërsa ekonomia e gjallë dhe e larmishme përhap prosperitet gjerësisht brenda shoqërisë.
Në anketat për jobarazinë e të ardhurave, Norvegjia gjithmonë radhitet si një nga vendet me më së paku dallime në të ardhura, në mes të qytetarëve të saj.
Kjo është ajo që e dallon prej shumë vendeve të tjera që prodhojnë naftë, sidomos prej atyre në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Lindjen e Mesme. Nafta e tyre gjeneron të ardhura që i bëjnë elitat qeveritare jashtëzakonisht të pasura, ndërsa pjesa tjetër e qytetarëve varet nga lëmosha e liderëve të tyre.
Menaxhimi i Norvegjisë me naftën mund të ofrojë mësime të vlefshme për vendet e tilla. Për të mësuar se si Norvegjia ka qenë kaq e suksesshme, është e lehtë. Rreth 50 minuta fluturim larg Oslos ndodhet qyteti Stavanger, qendër e industrisë naftës.
Derisa nuk është zbuluar nafta më 1969, Stavanger ka qenë qytet i peshkimit. Por, nafta ka ndryshuar gjithçka.
“Në vitin 1960, standardi i jetesës në Norvegji ka qenë rreth 30 ose 40 për qind më i ulët se në Suedi apo Danimarkë. Tani, ky standard në Norvegji është ndjeshëm më i lartë se në këto dy vende”, thotë Bruno Gerard, ekonomist në Shkollën Norvegjeze të Biznesit në Oslo.
Nafta ka bërë që Stavanger të rritet nga një qytet me 90,000 banorë në vitet 1960, në një rajon me afro 204,000 banorë sot.
Megjithatë, nuk ka qenë e sigurt nga fillimi se nafta do ta pasurojë popullsinë 5-milionëshe të Norvegjisë. Shumë vende të tjera kanë zbuluar se nafta mund të bëjë kërdi në ekonomitë e tyre, duke krijuar një sektor të pasur të eksportit të energjisë, por duke shkatërruar sektorët e tjerë.
Fenomeni është i njohur si “sëmundja holandeze”, sipas asaj që ka ndodhur në Holandë, kur vendi ka zbuluar depozita të mëdha të gazit natyror në Detin Verior, në vitet 1960.
Në Stavanger jeton një person, i cili ka parë historinë e naftës në Norvegji që nga fillimet e saj.
Ai është Farouk al-Kasim, i lindur në Irak, i cili ka nisur karrierën e tij si gjeolog i naftës në Basra, por është transferuar në Norvegji në moshën 30-vjeçare, së bashku me gruan norvegjeze, për të trajtuar shëndetin e djalit të tyre.
Kasim kujton se kur ka nisur të rrjedhë nafta e parë, reagimi i norvegjezëve ka qenë si në çdo vend tjetër ku papritmas zbulohet ari i zi. Paratë kanë nisur të derdhen direkt në buxhetin e qeverisë dhe shpenzimet publike të rriten. Por, në vitin 1972, ekonomia ka qenë në telashe të mëdha.
“Norvegjia ka pasur katër vjet sëmundjen holandeze. Pagat janë rritur, fabrikat kanë humbur njerëzit e tyre që kanë dalë në industrinë e naftës dhe të huajt që vinin për të investuar në vend, kanë çuar vlerën e monedhës aq lart saqë konsumatorët në vendet e tjera nuk mund të përballonin eksportet e tjera të Norvegjisë”, thotë Kasim.
“Fillimisht, qeveria ka reaguar me shpërndarjen e subvencioneve, por jemi futur edhe më thellë në baltë”, shton ai.
Më 1976, Kasim thotë se Norvegjia ka vendosur të bëjë atë që Iraku dhe shumë vende të tjera që prodhojnë naftë, nuk e kanë bërë kurrë: të kufizojë qëllimisht të ardhurat e naftës që hyjnë në ekonomi.
Fillimisht, qeveria ka vendosur të marrë të gjitha fitimet e krijuara nga kompanitë shtetërore të naftës dhe t’i riinvestojë ato në kërkimet dhe prodhimet e më shumë nafte.
Në vitin 1995, të ardhurat janë rritur përtej atyre që vendi mund të absorbonte. Norvegjia ka krijuar një fond të veçantë për të mbajtur fitimet e naftës jashtë ekonomisë, duke i cilësuar ato si pasuri për brezat e ardhshëm të norvegjezëve.
Qeveria i ka ndaluar vetes të përdorë më shumë se 4 për qind të parave për infrastrukturën aktuale dhe projektet e tjera publike./REL