Çfarë mungon në letrën e Mirelës për Ndrenikën…

Nga Artur Zheji

Në të vërtetë Mirela Kumbaro është ndoshta një nga ministret më të mira të Kulturës, që kemi pasur, të paktën është e mirësjellshme dhe është tip i mprehtë.

Porse edhe Mirela, si pjesë e patundshme e qeverisë tashmë, ashtu si edhe kushëriri i saj i afërt, ish-ministër kulture dhe tash ministër përsëri, janë pjesë e qeverisë Rama. Dhe do apo s’do Mirela, ajo di, i duhet dhe nuk shmanget së foluri si politikane, me dje dhe sot, me ata dhe ne…

E kam takuar një herë kryeministrin e saj, asokohe Edi për mua, në orën 5.30 të mëngjesit në “Gare de Lyon”, në Paris, vija në mënyrë rokamboleske me një tren nga Nisa për ta takuar. Ishte hera ime e parë në Paris dhe nëpër gjumin e parizienëve dhe nëpër rrugët e zbrazura, Edi më rrëfeu së pari ca teatro, duke filluar nga “Théâtre des Champs-Élysées”, në mos gaboj dhe më pas bëmë një marshim të gjatë me këmbë.

Rama e njeh mirë Teatrin dhe dikur e donte shumë magjinë e tij, por sot magjia e pushtetit, ndoshta me të drejtë ka përparësi, sepse ai tashmë e luan vetë teatrin e vet, ku dhe ka rolin kryesor dhe nuk e tërheq më që ta shohë si spektator. Mirëpo, as ai dhe me sa duket, as edhe Mirela, nuk jetojnë për teatrin si bëjnë aktorët dhe në këtë rast edhe Bert Ndrenika, mbytur nga ankthi se Rama ndoshta i është kthyer idesë së vjetër, të vitit 2001, për ta shembur këtë që është, në këmbim të një kulle të madhe, që do të strehojë në barkun e saj, diku midis zorrëve dhe plëncit, edhe Teatrin Kombëtar.

Në debatin e ndershëm të artistëve për të ardhmen e Teatrit Kombëtar, Bert Ndrenika, një figurë e adhurueshme e skenës dhe filmit shqiptar, është vendosur në vijën e parë. “Para shumë viteve të kësaj demokracie, Teatri është vjedhur pjesërisht. Ajo Torre Drini, që është ngritur atje, ka ardhur deri në rrëzë të skenës, siç e dini. Ajo duhet të mbante distancë 10 metra, a 7 metra a 12 metra. Pra kur të ndërtohet i ashtuquajturi Teatër, ne duhet të tërhiqemi, sepse do t’i lëmë vend asaj, një vjedhje kjo. Ose dyqanet që janë mbrapa, ato “Gjergji” kanë qenë pronë e teatrit. Gjatë këtyre viteve ata janë privatizuar.

Dhe tani kërkohet që këta privatë të bëjnë një kullë, apo kulla dhe në këto kulla pastaj, aneks të jetë edhe Teatri. Pra vazhdon një vjedhje sheshit, e hapur” – thotë Ndrenika si zëdhënës i këtij ankthi të ndershëm. Në letrën e gjatë të Mirelës, të cilën e lexova me durim, shkak stërgjatja dhe bishtnimet e maskuara keq, ka, për fat të keq shumë shtirje, shumë korrektesë formale dhe aspak dashuri apo një premtim serioz.

Sepse me sa duket vendimi është marrë. Më saktë vendimin e ka marrë Edi, kryeshefi, për të nxjerrë kunjin e vet të vjetër të idesë së tij, që 17 vjet më parë nuk e lanë ta bëjë.

Dhe ai ka një të drejtë politike, votat e atyre që shkojnë në Teatër, nuk janë asnjëherë vota të sigurta, sepse Teatri nuk prodhon ushtarë politikë, por mendje të lira e pra varianti një Kullë me një teatruc në plëncin e vet, e paska prerë biletën e vet kryeministrore. Mirela është autorizuar të bëjë thjesht rolin e ndërmjetëses për marrëdhëniet me publikun dhe kaq.

Bën mirë Mirela që e kryen keq këtë gjë, sepse na dha një informacion të vyer: “Është e detyruar të mos thotë të vërtetën, pra që vendimi është marrë dhe ajo tradhton në stil, sikletin e saj për detyrën që ka marrë si zjarrfikëse e aktorëve të revoltuar. Por njëkohësisht ky është edhe një test: Aktorët në revoltë a do të luajnë aty rolin e tyre më të mirë?

Bert Ndrenika po shkëlqen edhe aty, të tjerë nuk duken akoma… /360grade.al/

 

SHKARKO APP