Çfarë ndodh kur bën jetimin që të qajë…

“Dhe mbi të gjitha këto, dilemat e trilemat, hamendësimet dhe ballafaqimet, bastet e parashikimet, servilët dhe kritikët, mesdhetarët dhe ballkanasit për ekuacionin me vetëm dy të panjohura: prishet apo ndreqet koalicioni qeverisës! Sepse është supersticion. Eshtë dhe standart politik, moral dhe kulturor; është dhe norma elementare e sjelljes së shoqërisë shqiptare që ne rehatinë orientale të kafeneve, vetëm pret e pret nga pushteti”…

Nga Lorenc Vangjeli

Nuk është supersticion. Nuk është vetëm mëshirë. Nuk është vetëm standard moral, kulturor apo fetar. Është gjithashtu një normë elementare e sjelljes njerëzore që kërkon më shumë drejtësi e madje edhe mëshirë ndaj kujt është më i dobët dhe për kë ka më shumë nevojë. “Mos vidh bukën e jetimit dhe mos e bëj jetimit të qajë!”, është këshilla që paralajmëron se në të kundërt, hakun e hakmarrjen në mos nga njerëzia, e gjen nga Perëndia. Në demokraci edhe hakun, edhe peshën e krimit dhe kundërmonedhën e ndëshkimit, e jep ligji. Dhe në rastin kur jetimët kanë qarë si në Shkodër a gjetkë, nevojë për drejtësi është ulëritëse. Të bësh të fortin dhe arrogantin me këtë shtresë sociale apo më keq akoma, të torturosh, të përdhunosh e drogosh fëmijë apo adoleshentë jetimë, është padyshim kulmi i degjenerimit moral të kujt e bën dhe pragu i nevojës së domosdoshme për ndëshkim penal dhe reflektim social për gjithënd që është i përfshirë si aktor në këtë tmerr dhe si spektator në këtë film horror.

Avokati i Popullit Igli Totozani, me denoncimin e tij befasues, hapi një kapitull të trishtë që në thelb dëshmon disa standarte të fshehtë që ka shoqëria shqiptare. Standartet herë – herë tërësisht reale dhe jo ato të hipokrizisë që dëshmohen me hipokrizi kur ka kamera të ndezura dhe dritë projektorësh. Ky kapitull është një alarm që dëshmon se çfarë nuk shkon në të vërtetë në shoqërinë shqiptare që po përqafon me ngulm kultin e të fortit, që mrekullohet gjithmonë nga pushteti, që adhuron gjithmonë në aksin vertikal nga poshtë – lart, që konsideron të zotin edhe atë që vjedh bukën e jetimit dhe që quan mjeshtëri dhe rrahjen e tij. Një shoqëri që i jep gjithmonë të drejtë të fortit dhe që përbuz të ndryshmin; një shoqëri me individë që janë të mësuar të sillen me blegërimë përpara atij që është një gram më lart në hierarki dhe që peshon me tonelata arrogance mbi atë që është një gram më poshtë; një shoqëri që të mirën dhe bamirësinë e konsideron si një detaj që ekziston vetëm në rastin nëse e merr vesh fqinji që është bërë e mira apo bamirësia.Ndodh që ngjarje të tilla të tmerrshme veprojnë si pasqyra që dëshmojnë mbi gjithçka për deformimet, të cilat ditë mbas dite, kanë ndryshuar dhe përçudnuar portretin e një shoqërie të tërë. Ky është momenti që shoqëria duhet të reflektojë, pjesa tjetër që ka të bëjë më gjykata apo struktura shtetërore, është pjesë e detajeve që do të ndihmonin të mos përsëriten makabritete të tilla. Duke kuptuar së paku se shoqëria shqiptare është në krizë. Dhe që politika është e dënuar dhe e ndëshkuar që të ndikojë krizën dhe të jetë mjeti i vetëm që ose e thellon, ose e kuron krizën. Sipas parimit, që çfarë nuk shërohet, thjesht riciklohet. Në formë të ndryshme, për të njëjtin thelb.

Nëse dikush vjen në Shqipëri për herë të parë dhe i venë në dispozicion titujt e shtypit për një javë, me siguri do të nemitej. Dhe do ta kishte shumë të vështirë për t’u orientuar në një labirint të jashtëzakonshëm ngjarjesh e ndodhish, përplasjesh dhe tensionesh, skandalesh që provokojnë furtuna dhe furtuna në gota që shiten për skandale. Ndoshta askurrë më parë nuk ka qenë kaq e ndarë dhe kaq e polarizuar shoqëria shqiptare në pjesën përfaqëuese të saj, politikën. Kurrë më parë nuk ka patur kaq tension të pandryshueshëm, kaq armiqësi larg çdo kompromisi dhe këtë lloj vrazhdësie e arrogance në gjuhën e komunikimit të përditshëm. Për të qëmtuar vetëm disa nga to duke nisur me përplasjet mes institucioneve, që nuk është gjë e re në Tiranë. Nuk ka rrjedhur shumë ujë nga koha që për kryeministrin Presidenti i Republikës ishte horr bulevardi, por është sërish koha që për kryeministrin, Presidenti i Republikës është vetëm kryetar komplementar i një partie. Në kohë reale kundërpërgjigja është e të njëjtit kalibër: sjellje ordinere e kryeministrit. Po i njëjti lloj dialogu vazhdon prej ditësh të tëra tashmë edhe mes Presidentit dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës, ministrit të brendshëm dhe gjithë maxhorancës. Një dialog në distancë ku Nishani ngjan vërtet sikur flet nga podiumi i PD­së, si dikur kur ishte deputet i kësaj partie dhe të dytët, sikur janë në opozitën e djeshme, kur si gjithë opozitat kanë vetëm fjalët kundër, por jo respektin për institucionin.Të enjten pati një vërtetim të hidhur faktit se armiqësia më e thellë është ajo që lind mes ish­miqve. Historia që bashkoi dhe ndau Ramën e Blushin kulmoi me situatën e nderë në Parlament. Blushi që pretendon se është kërcënuar dhe Ramën që nuk e komenton përveçse me batutën shumëkuptimëshe: se merret me origjinalin dhe jo me kopjen.Historia e përgjimeve dhe dyshimet për përgjim janë një tjetër kapitull i të njëjtës histori. Njëlloj si përplasja e fortë për trafikun e drogës në jug apo skandalin seksual në veri të vendit.

Dhe mbi të gjitha këto, dilemat e trilemat, hamendësimet dhe ballafaqimet, bastet e parashikimet, servilët dhe kritikët, mesdhetarët dhe ballkanasit për ekuacionin me vetëm dy të panjohura: prishet apo ndreqet koalicioni qeverisës! Sepse është supersticion. Eshtë dhe standart politik, moral dhe kulturor; është dhe norma elementare e sjelljes së shoqërisë shqiptare që ne rehatinë orientale të kafeneve, vetëm pret e pret nga pushteti. Dhe që në mes të kësaj rehatie me nargjile në gojë e sy gjysëm të mbyllur nga dembelizmi e përgjumja, një individ çfarë do merr pushtet, konsideron normë normale edhe vjedhjen e bukës së jetimit! Madje edhe më keq akoma. Si në Shkodër: edhe e rreh me bukë në gojë. Pa pasur frikë nga njerëzia dhe me shpresë se nuk ekziston as Perëndia, as mallkimi dhe as ndëshkimi i saj.

(Javanews.al)

SHKARKO APP