Çfarë nuk shkon me protestën e sotme të Tiranës me atë të Athinës nesër?!
Nga Herion Mesi
Në Tiranë sapo u mbyll një protestë e thirrur nga shoqëria civile, e cila “shmangu” përfaqësimin e njerëzve të politikës në sheshin para Kryeministrisë. Në moton të mos i falim Greqisë asnjë centimetër të territorit shqiptar, tubuesit demonstruan me zë e me figurë kundërtinë e tyre ndaj negociatave të fshehta që po zhvillohen kohët e fundit mes Tiranës Zyrtare dhe Athinës në lidhje me zgjidhjen e çështjeve të mbartura historike që datojnë rreth 70 vite më parë, ku përmes ligjit të famshëm grek të Luftës marrëdhënia mes dy vendeve ka qenë gjithmonë e tensionuar.
Përtej arsyeve juridike dhe politike të të dyja palëve ajo që duhet theksuar është mënyra se si e përjetojnë dy popujt një ngjarje kombëtare.
Në të njëjtin vend ku sot ishin disa dhjetëra njerëz, një javë më parë ai ishte i tejmbushur me disa mijëra militantë të partive opozitare kundër një kauze për të cilën duhej protestuar të paktën 5 muaj më parë. E pavarësisht kësaj shtrirjeje në kohë, kampi politik opozitar ia doli të mbushë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Por sot, kur kauza është e nxhetë dhe diskutimet Bushati-Kotzias janë kthyer në mollë debatesh dhe sherresh në ekranet televizive, ajo që ra në sy ishte indiferenca e shqiptarëve ndaj asaj që po gatuajnë lozhat qeveritare, ndofta në kurriz të tyre.
E në valën e këtyre bisedimeve, sot shqiptarët nuk e panë të arsyeshme që t’i bëjnë qoftë sadopak presion qeverisë së tyre për t’u treguar më e kujdesshme në marrëveshjen që pritet të nënshkruhet së shpejti në Tiranë mes kryeministrave Tsipras dhe Rama.
Shoqëria civile ndofta edhe për mungesë përvoje protestoi edhe me flamujt e SHBA-së, që nuk kanë lidhje me argumentin e protestës.
Historia e shqiptarëve përcaktohet prej faktorësh krejt të ndryshëm. Ajo është plot raste të veçanta dhe me aksidente që kanë ndodhur e që mund të mos kishin ndodhur. Mirëpo, duke lënë mënjanë këto rastësi e këto rrethana aksidentale, ka ligje të mëdha e të përhershme që e udhëheqin ecjen e përgjithshme të secilit popull. Ligjet më të përgjithshme, më të përhershme e më të paepura burojnë prej konstitucionit mendor të tij, popullit. Jeta e një populli, institucionet e tij, besimet dhe arti i tij nuk janë veçse indi i dukshëm i shpirtit të tij të padukshëm.
E ky shpirt i padukshëm pritet të shpërfaqet nesër në sheshin e Athinës, ku ndryshe nga shqiptarët, populli grek do të protestojë për një çështje që në thelb nuk është problem i tij, për emrin e ri të Maqedonisë, ku “konflikti” greko-maqedonas nuk ka të bëjë me emrin e ri që do të vendosë Shkupi Zyrtar, por me disa nene të Kushtetutës së Shkupit, që për grekët cilësohen si irredentiste.
Qindra mijëra grekë protestuan të dielën e dy javëve më parë në qytetin verior të Selanikut – qyteti më i madh në rajonin e Maqedonisë e Greqisë – kundër përdorimit të fjalës “Maqedoni” në çdo zgjidhje mes Athinës dhe Shkupit mbi emrin e ish Republikës Jugosllave.
Greqia thotë se emri “Maqedonia” nënkupton një pretendim territorial mbi rajonin e vet verior me të njëjtin emër. Të dy vendet ranë dakord këtë muaj për të ripërtërirë përpjekjet për të zgjidhur e ngërçin e vjetër 25 vjeçar, i cili ka bllokuar përpjekjet e ish-Republikës Jugosllave për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s dhe Bashkimin Evropian.
Dëshmitarët të dielën thanë se rreth 300,000 njerëz u mblodhën, shumë prej të cilëve kishin ardhur nga rajonet anembanë vendit. Ishte një nga protestat më të mëdha në Greqi vitet e fundit.
Protestuesit valvitën flamuj grekë, mbanin pankarta me mbishkrimin “Ka vetëm një Maqedoni dhe është Greke!”, ndërsa u mblodhën rreth statujës së Aleksandrit të Madh në qendër të qytetit dhe përgjatë shëtitores bregdetare dhe në port.
Dy javë pas tubimit madhështor të Selanikut, tani është radha e Athinës të thotë: “Maqedonia është një dhe është greke”, porosisin organizatorët e protestës së caktuar për të dielën, në video-spotin zyrtar të publikuar në rrjetet sociale.
Organizatorët u bëjnë thirrje qytetarëve në mënyrë masive të dalin në sheshin qendror athinas para parlamentit grek.
“Greke dhe grekë, maqedonas dhe maqedonase, të gjithë në Athinë të dielën, më 4 shkurt, të gjithë në sheshin Sintagma në mesditë. Atje, para Parlamentit, do ta shprehim dëshirën tonë. Jo për termin Maqedoni në emër të fqinjëve, jo për nenet irredentiste në Kushtetutën e Shkupit”,- bëjnë thirrje organizatorët përmes video-spotit.
Pritjet janë se protesta e së dielës mund të jetë shumë më masive se ajo në Selanik, kryeqendra e Rajonit të Maqedonisë në Greqi, e mbajtur më 21 janar, ku sipas kumtesës zyrtare të Policisë greke, atëherë në rrugët e qytetit grek dolën 90 mijë qytetarë, gjë që shkaktoi reagime si nga mediat ashtu edhe nga organizatorët se autoritetet zyrtare kanë kumtuar numër dukshëm më të vogël se ai i saktë. Kjo pasi nga përllogaritjet e medieve në shesh ishin mbi 400 mijë protestues
Organizatorët presin që të dielën në Athinë do të mblidhen mbi një milion e gjysëm qytetarë. Deri tani, protestën publikisht e përkrahën: kisha ortodokse greke, partia më e madhe e opozitës Demokracia e Re, ajo Grekë të pavarur dhe Lidhja e centristëve, por edhe Lidhja e komunave të Greqisë.
Mbi një milion e gjysëm pritet të jenë nesër në shesh. Që nga mbrëmja e sotme janë vënë në dispozicion autobuza nga e gjithë Greqia për të gjithë ata që duan ti bashkohen këtij tubimi mbarëkombëtar, çdo 5 minuta do ketë autobuza nga Selaniku në drejtim të Athinë. Nga Agrionio do jenë rreth 20 autobuza. Çmimi i biletës për nesër nga Selaniku është nën koston e zakonshme, dhe do marrë pjesë dhe një përfaqësuesi i Mitropolitit. Në solidarizim me protestën e nesërme të Athinës, qytetarët e Selanikut kanë varur një flamur 150 metra katrorë në faqen e një pallati katërkatësh në qendër dhe llogaritet të shiten mbi 10 mijë flamuj. Fjalimi i çeljes zyrtare të protestës do të mbahet në orën 2 dhe do zgjasë deri në 3. Janë këto disa detaje nga organizimi i manifestimit të nesërm.
Por pse atëherë protestojnë fort grekët, për një kauzë që në thelb nuk ka të bëjë me ta, e ndërsa në Shqipëri askujt nuk ia ndjen se çfarë po vendoset për fatin e tyre?
Kjo pasi shqiptarët po humbasin dita-ditës iniciativën e tyre, energjinë, vullnetin dhe aftësinë për të vepruar. Përmbushja e nevojave materiale, gjithmonë në rritje, priret të bëhet ideali i tyre i vetëm. Shqiptari i sotëm endet sipas dëshirës së rastit, ashtu si ajo anija që ka humbur busullën e bredh kuturu sipas trillit të valëve. Në pamje të jashtme duket sikur shqiptarët e dëshirojnë me zjarr lirinë; në të vërtetë e shtyjnë atë gjithmonë e më larg vetes dhe i kërkojnë shtetit që të farkëtojë zinxhirin për ta. Shteti, po bëhet hyjnia drejt të cilit po kthehen të gjitha partitë. Atij po i kërkohet një rregullim i punëve dhe një mbrojtje gjithnjë e më e rëndë, duke i veshur edhe aktet më të vogla të jetës me formalitetet më bizantine dhe më tiranike.
Rinia shqiptare po heq dorë përherë e më tepër nga karrierat që kërkojnë gjykim, iniciativë, energji, përpjekje vetjake apo vullnet. Atë e tmerrojnë edhe përgjegjësitë më të vogla, qoftë kjo dhe një pjesëmarrje në protestë. Asaj i mjafton horizonti i ngushtë i funksioneve të paguara nga shteti. Energjia dhe veprimi janë zëvendësuar ndër burrat e shtetit me diskutime vetjake, tmerrësisht të zbrazëta; te shqiptarët e thjeshtë ato janë zëvendësuar me entuziazmin apo zemërimin e një dite. Kudo lulëzon një egoizëm i pafre. Shqiptari i sotëm ka përfunduar në të mospasjen e preokupimeve të tjera veç vetes, pasi po humb çdo zotërim mbi vetveten, dhe kush nuk di të zotërojë veten, shpejt do të jetë i shtrënguar të dominohet prej të tjerëve.