Çfarë nuk thonë për Tom Doshin mediat pranë Edi Ramës

 

Gjithkush është përpjekur të kuptojë dje arsyet e shpërthimit të deputetit Tom Doshi në akuza të forta kundër kryeministrit Rama. Doshi ka qenë për shumë kohë krahu i djathtë i Ramës. Ai u akuzua nga opozita edhe si një prej organizatorëve kryesorë të dhunës në protestën e 21 janarit. Por marrëdhënia mes tyre tani ka ndryshuar.

 

Tom Doshi tha se këtej e tutje nuk do të ketë më paqe mes tij dhe Ramës, pasi kryeministri nuk ka mbajtur premtimet që i ka bërë elektoratit të Shkodrës. Rama u ka bërë të ditur disa deputetëve se kritikat e Doshit janë për arsye tërësisht personale. Dhe motivin e kësaj krisje asnjëri prej tyre nuk e thotë.

 

Gazeta Shqiptarja.com e botuesit Carlo Bollino, i afërt me qeverinë, shkruan se arsyeja e përplasjes ka të bëjë me përzgjedhjen e emrit të kandidatit për Bashkinë e Shkodrës. Duke iu referuar disa kolegëve të Doshit, kjo e përditshme “zbulon” se Rama ka refuzuar kandidatin që mbështetet nga deputeti i Shkodrës. Kjo mund të jetë një nga arsyet, por jo krejt e vërteta.

 

Deputeti Tom Doshi ka kohë që ka dhënë sinjale pakënaqësie ndaj qeverisë. Në korrik të vitit të shkuar ai akuzoi hapur ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë disktutimit të pr/ligjit për Policinë e Shtetit, në Komisionin e Ligjeve. Doshi tha se sot arrestohen njerëz sipas dëshirës së ministrit. “Kalon një me makinë në bulevard, kalon dhe ministri aty xhiro dhe thotë ndaloje atë makinën atje dhe merre dhe shoqëroje. Ka pas raste kur më kanë marr në telefon dhe po të doni u them dhe personin, është pronari i Mektrin, i cili ka dal dhe në gjyq se i është tek ministrit prej xhelozisë së tij se ka pas makinë të re dhe e ka fut dhe e ka mbajt 24 orë në polici”, shprehej ai më 24 korrik.

Shqiptarja.com e ka botuar edhe vetë deklaratën e atëhershme të Doshit. Një muaj më pas, po kjo gazetë, lidhte në një shkrim të sajin operacionin e antikanabis të policisë në Dukagjin me deputetin e Shkodrës. Për “sherret” mes tij dhe ministrit Tahirit kjo gazetë ka shkruar disa herë, duke publikuar reagimet e Doshit për disa shkrime të RD-së, që e lidhnin me të edhe operacionin e policisë kundër lojërave të fatit.

 

Ndonëse në dijeni të këtyre “problemeve” të Doshit me një prej ministrave më të besuar të Ramës, gazeta e Bollinos i anashkalon ato sot kur rreket të gjejë motivin e vërtetë të pakënaqësive të deputetit të Shkodrës me qeverinë. Para se të shpërthente në kritika kundër Ramës, Doshi kërkoi hapur të martën në mbledhjen e grupit parlamentar të PS ndryshime të disa ministrave. Akuzat ndaj Ramës vijnë pasi kërkesat e tij jo vetëm që nuk u morën në konsideratë, por Rama thirri disa deputetë në kryeministri për t’u folur mbi “motivet e mërzitjes” së Doshit me të.

 

Tom Doshi nuk ka patur pakënaqësi vetëm me ministrin Tahiri, përplasjet me të cilën thuhet se kanë ndodhur edhe në publik në një nga restorantet me të njohura të Tiranës. Deputeti i Shkodrës, me të cilin Rama bëri fushatë të fortë përpara zgjedhjeve të 23 qershorit, ka patur pakënqësi edhe me ministrat Bushati e Nikolla, gjë që prej kohësh dihej brenda grupit të PS. Këto mosmarrëveshje janë mbajtur në heshtje me idenë se do të kaloheshin pa u marrë vesh dhe gjërat do të ktheheshin si më parë. Por mesa duket, Tom Doshit i janë bllokuar shumë kanale komunikimi në qeveri derisa dhe kjo mund të jetë një tjetër arsye e shpërthimit të tij.

Mund të ketë edhe shumë të tjera, që lidhen me këcënime që thuhet se kanë shkuar indirekt në adresë të tij, për biznese dhe interesa që janë cënuar, për favorizim të disave dhe bllokim të disa të tjerëve. Pra versionet janë të shumta dhe ato as nuk fillojnë e as nuk mbarojnë tek emri që do të kandidojë për Bashkinë e Shkodrës. Lapsi.al

SHKARKO APP