Çfarë përmban video-regjistrimi 37 minutësh që ka Tom Doshi?

Që prej ditës së enjte, deputeti socialist Tom Doshi foli për fakte dhe prova që nëse do t’i publikonte do të tronditeshin themelet e mazhorancës dhe qeverisë “Rama”. Edhe sot që u mor vendimi për përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Doshi ka folur sërish për këto prova. Konkretisht, bëhet fjalë për një video-regjistrim, ku Doshi pretendon se flitet për vrasjen e tij.

“Po deklaroj edhe njëherë me përgjegjësinë e ligjvënësit se kam paraqitur fakte të pamohueshme për krimin ndaj meje dhe kolegut tim. Le të pyesin Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për deklaratën që ka bërë personi i paguar në zyrën e tyre. Le të informohen ambasadat tek ministri për këtë fakt. Jam i gatshëm gjithashtu që t’i vë në dispozicion të ambasadave që nesër një video prej 37 minutash ku rrefehet me detaje historia e ndekjes time prej disa muajsh nga kriminelët e paguar nga Ilir Meta. Le ta verifikojnë autenticitetin e videos dhe faktet tronditëse që pohohen aty. Do kërkoja me zemër në dorë që ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian të sjellin hetues profesionistë të gjykojnë së bashku me Prokurorinë Shqiptare këto akuza. Unë kam interes të zbardhet e vërteta. Kam interes të mos ketë kriminel në Parlament. Njëherë Ilir Meta i shpëtoi drejtësisë me akuzën e korrupsionit. Shpresoj këtë herë drejtësia të bëj detyrën, dhe garancia që kjo punë do funksionojë është që hetues profesionistë amerikanë dhe europianë të jenë pjesë e grupit të hetimit”, -thotë Doshi.

Për ekzistencën e një video-regjistrimi të personit i cili ka marrë porosinë për vrasjen e Tom Doshit dhe Mëhill Fufit, foli sot edhe gazetari investigativ, Artan Hoxha. Sipas tij është bërë një takim në zyrën e Ministrit të Brendshëm dhe deputetit Doshi dhe personit që pretendon se ka marrë porosinë për vrasjen. Por nuk thuhet ende se kush është personi që ka është porositur të vrasë Tom Doshin? A është ai një personazh i njohur i botës së krimit, për të cilin opozita ka akuzuar ministrin Tahiri se ka lidhje? Më tej, Hoxha tha se për të gjitha këto takime ekziston e regjistruar edhe dëshmia e një personi tjetër. Sipas Artan Hoxhës, për vrasjen e Tom Doshit dhe Mëhill Fufit do të paguheshin 600 mijë euro. Personi që do të kryente vrasjen, kishte marrë parapagim 80 mijë euro.

Po kështu sot deputeti Tom Doshi është shprehur se vrasësi i tij ka shkuar në zyrën e Saimir Tahirit dhe Artan Didit, por prej 5 muajsh nuk është marrë asnjë masë për këtë ngjarje. Duke iu përgjigjur reagimit të SHBA dhe BE për mbështetje të dekriminalizimit të Parlamentit, Doshi u shpreh se dekriminalizmi duhet të fillojë nga Ilir Meta. Deputeti i Shkodrës ka kërkuar hetues të huaj për këtë çështje. A do të publikohet video që Doshi pretendon se disponon? Po Prokuroria e Përgjithshme, çfarë qëndrimi do të mbajë pas gjithë këtyre zhvillimeve të sotme?

SHKARKO APP