Çfarë tregoi seanca pyetje-përgjigje, me Profesor Kabon?
Nga ROLAND QAFOKU
Alush Dragoshi ishte kryeprokuror i Shqipërisë, nga viti 1992 deri në vitin 1997. Prokurori i antimafies italiane, Giovani Falcone, u vra më 23 maj 1992, me 500 kg tritol dhe pas 57 ditësh, u ekzekutua edhe Paolo Borselino, prokurori që hetoi vrasjen e Falcone-s. Antonio di Pietro ishte gjykatësi italian që inicioi dhe drejtoi operacionin “Duart e pastra”, që goditi në zemër, korrupsionin e zyrtarëve në nivele shumë të larta në Itali.
Arben Rakipi është kryeprokurori shqiptar që u shkarkua në vitin 2002, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese e cilësoi të paligjshëm dhe vendosi rikthimin në punë, por ky vendim nuk u zbatua. Prokurori që arrestoi guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, quhet Ramadan Troci. Kleanthi Koçi ishte kryetar i Dhomës Kombëtare të avokatisë, që u ekzekutua në një atentat në vitin 1999.
Besoj se një qytetar me nivel mesatar intelektual dhe jo një jurist që pretendon të jetë në organet e drejtësisë, do t’i kishte dhënë me lehtësi përgjigje pyetjeve të bëra nga profesor Përparim Kabo, gjatë seancës për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Por opinioni shqiptar u shokua nga përgjigjet e një pjesë të konkurrentëve që treguan, jo vetëm mungesë njohurish, por edhe mungesë inteligjence gjithashtu. Përgjigje të tipit “nuk e di”, “nuk e mbaj mend” apo edhe ngatërresa, nuk ishin aspak të denja për një konkurrim kaq serioz.
Ndërsa nuk janë të paktë ata gazetarë që kanë shkruar e shkruar në këto tri dekada, për këto çështje. Papritur, opinioni u shokua që për ta nuk dihej asgjë, nga disa juristë dhe pedagogë që mbajnë pozicione të rëndësishme në institucionet aktuale të drejtësisë. Sa bojë, sa letër, sa energji është harxhuar, nëpër gazeta shqiptare, për historitë e kryeprokurorëve, Alush Dragoshi e Arben Rakipi? E deri te prokurori i thjeshtë, Ramadan Troci. Sa e sa të tilla janë harxhuar për juristin e njohur, Kleanthi Koçi, që u bë themeluesi i Dhomës së Avokatisë Shqiptare dhe avokati që mbrojti në gjyq Ramiz Alinë dhe, pas tij, në vitin 1997, Leka Zogun për procesin e kryengritjes me armë të 3 korrikut, për të cilin u kërkua dënim me vdekje, por falë mbrojtjes së tij, gjykata e shpalli të pafajshëm.
Por për çfarë u janë dashur, një pjese të juristëve, këto histori që, në fakt, janë pjesë e historisë së drejtësisë shqiptare dhe asaj të huaj?
Përse në radhët e drejtësisë ka kaq guximtarë, që arrijnë të konkurrojnë deri në institucionet e reja të reformës në drejtësi, edhe pse niveli është si shenjë e keqe qameti?
Besoj se ka një arsye të madhe: Si në çdo fushë tjetër, edhe në drejtësi, nuk ka hierarki të përcaktuar dhe të qartë vlerash. Paaftësia, korrupsioni, abuzimi, lidhja e një pjese juristësh me krimin, deri me organizata kriminale, kanë bërë që hierarkia e zotësisë është se kush vjedh më shumë, kush është më i pasur dhe kush është më marifetçiu. Të tjerat nuk kanë fare rëndësi.
Më kujtohet se, shumë vite më parë, teksa intervistoja në zyrën e tij një anëtar të Gjykatës së Lartë, si i pari shqiptar dhe i vetmi ndoshta që kishte takuar dhe biseduar me Giovanni Falcone-n, kolegu i tij i tha: Po ç’merresh me gazetarët? Ç’na duhen gazetarët neve? Ata vetëm ngatërrojnë punë. Unë për vete nuk lexoj kurrë gazeta. As e blej e as e dëgjoj Bashkimin në mëngjes. Ti jo vetëm e bën, por jep edhe intervista.
U shokova nga fjalët e një anëtari Gjykatës së Lartë, se si dhe për çfarë e gjykonte kolegun e vet. Ndjehej shumë i sigurt për atë që thoshte. Ndjehej i lumtur që nuk e njihte fare Givanni Falcone-n dhe kolegu i dukej si UFO që merrej me një prokuror në Itali. Merret me mend se ku e gjente frymëzimin ky gjykatës, kur nuk donte t’ia dinte për emblemën e luftës ndaj mafies.
Unë nuk e di ku ndodhet ai sot. Mund të jetë edhe pjesë e procesit të reformës në drejtësi. Mund të jetë edhe pjesë e komisioneve të përzgjedhura. Por ai kurrë nuk mund të jetë në mendjen time si njeri i drejtë, që do të shpëtojë drejtësinë shqiptare nga paaftësia, korrupsioni dhe lidhja me krimin. Për të nuk mund të ketë kurrë model, as Giovani Falcone e as Paolo Borselino që sakrifikuan deri jetën, për t’i dhënë shpresë popullit italian, i mundur nga mafia. Si idealist që ishin, si Falcone dhe Borselino, njiheshin si njerëz tepër të formuar dhe me shumë kulturë. Kishin shije artistike deri për piktura e teknologji. Kishin shije për artin e deri për kinemanë.
Në punën e tyre, jo vetëm që jepnin intervista, por edhe konferenca për shtyp, pas operacioneve dhe zbulimeve që bënin për mafien. Madje, arritën të shkruanin edhe libra për studentët, për kazuset e tyre gjatë proceseve që kishin. Prandaj, pyetjet naive të profesor Kabos, nxorën blof një pjesë të konkurrentëve, duke treguar se ku jemi dhe çfarë presim nga reforma në drejtësi. Ky është prototipi i një juristi që nuk informohet dhe nuk formohet. Ai vetëm guxon të konkurrojë kudo, për të qenë kudo, pavarësisht se çfarë përfaqëson.
Një guxim dhe ambicie shumë herë më e madhe, se ajo që vlen. Prandaj, përpara se ta quajmë të suksesshme ose jo reformën në drejtësi, më parë duhet të vendosim hierarkinë e vlerave. Vetëm kështu do të arrijmë të dallojmë profesionistin nga i paafti. Modelin e mirë nga të keqin. Juristin intelektual dhe me integritet, nga ai që mendon më tepër si të bëjë sa më shumë lekë.
Dhe në fund, të dashur juristë, kujdes! Ky test nuk do të thotë se, papritur, ju mund të hapni google dhe të mësoni, shpejt e shpejt, aty përgjigjet e pyetjeve të profesor Kabos. Google dhe interneti të bëjnë të mençur për momentin, por kurrë nuk të bën më të mençur se sa je!
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”