Charlie Hebdo, 10 milion euro fitime me numrin e fundit

Gazeta satirike javore franceze “Charlie Hebdo” me numrin e fundit që ka në faqen e parë karikaturën e Profetit Muhamed, ka regjistruar një rekord shitjesh që kapin vlerën e 8 milionë eurove. Këto shitje, të kombinuara me abonimet, donacionet dhe asistenca nga publiku, i kanë sjellë revistës satirike plot 10 milionë euro.

Të mërkurën nëpër kioska u shpërndanë 5 milionë kopje në 16 gjuhë të ndryshme, secila me një çmim prej 3 euro. Gazeta ka fituar 8 milion euro nga shitja dhe fitimet këtë herë kanë qenë shumë më të mëdha pasi shtypja dhe distributorët i kryen shërbimet falas në shenjë solidariteti.

Në dhjetor revista ishte duke luftuar për mbijetesë dhe i kishte bërë thirrje publikut për donacione, pasi kishte një tirazh javor prej rreth 28.000 kopje.

Më shumë se 40 për qind e të ardhurave të revistës vijnë nga abonimet, të cilatë u rritën në mënyrë drastike nga 7000 deri 120.000, tha një prej gazetarëve të "Charlie Hebdo", Patrick Pelo.

Të gjitha të ardhurat nga shitjet e numrit të kësaj jave do të shkojnë direkt për familjet e viktimave të gazetës “Charlie Hebdo”

SHKARKO APP