Charlie që na ka munguar dhe para 7 janarit

Nga Mero Baze

Masakra mbi Charlie Hedbo ka nxitur disa debate njëherësh në botë dhe Shqipëri. Më i frikshmi është identifikimi i fesë islame me terrorizmin, më i pështiri është gjyqi ndaj tepërimit me lirinë e shtypit, dhe më i qarti është trajtimi i terrorizmit islamik si një fashizëm i ri që kërcënon botën dhe që do të njëjtën përgjigje që i është dhënë fashizmit në vitet ‘40.

Në Shqipëri, përveç kulturës së kujës kolektive, ka pak shkëndija të një debati të mirëfilltë së paku për një nga debatet kryesore, që është dhe më nervangritësi në botë, atë të tepërimit me lirinë e shtypit. Është e vërtetë se Charlie ishte në një betejë të angazhuar kundër fashizmit islamik, që vjen si një ideologji e re e kobshme në fillim të këtij shekulli. Ata ishin në pararojë të kësaj beteje. Ata që duan ta relativizojnë punën e tyre, përpiqen të kapen tek feja islame dhe tendenca kundër saj. Kjo është shumë larg të vërtetës. Raporti mes fesë islame dhe terrorizmit islam që po bëhet fashizmi i ri i kësaj epoke, është një raport spekulativ dhe për ata që i njehësojnë, dhe për ata që mbrohen. Terroristët islamikë, kur mbrohen, mbrohen si besimtarë, kurse kur sulmojnë, sulmojnë si vrasës. Tani ata duhet ta ndajnë çfarë janë, se nëse sulmojnë si vrasës, do të trajtohen si myslimanë vrasës pa asnjë mëdyshje. Edhe ata besimtarë myslimanë që duan të mso i ngatërrojë njeri me këta vrasës, duhet të dalin para të krishterëve dhe ateistëve t’i dënojnë ata, pasi ata mes të tjerash, po vrasin dhe në emër të tyre. Nuk mund të vazhdojë pa fund kjo loja që në sulm të jesh vrasës, e në mbrojtje besimtar, dhe as të vazhdojë pa fund debati nëse janë të gjithë myslimanët terroristë, apo të gjithë terroristët janë myslimanë.

Për këtë arsye, Charlie jo vetëm që nuk meriton kritika, por meriton të vihet në piedestal të medies që parandjeu dhe i doli përballë fashizmit të ri të kësaj epoke në botë, duke ofruar dhe dëshmorët e saj. Ata nuk e kanë tepëruar aspak me myslimanët besimtarë, pasi nuk u vranë nga besimtarët, por nga kriminelët.

E projektuar në Shqipëri, kjo situatë nuk është shqetësuse për raportet mes medies dhe feve, pasi ato në përgjithësi janë tolerante. Biles, Komuniteti Mysliman në Shqipëri është më tolerant se ai ortodoks apo katolik, të cilët vuajnë nga disa manira margjinalizimi. Por, edhe në Shqipëri ka dy realitete të botës islame. Nga një anë janë besimtarët, dhe nga ana tjetër janë idhtarët e terrorizmit islamik, që po bëjnë betejë me komunitein mysiman dhe shoqërinë shqiptare për të na u imponuar. Janë ata trushpëlarët që marrin fëmijët e ikin në Siri, që kërcënojnë në rrjetet sociale dhe dhe që po përpiqen së bashku me aleatë të tyre në Kosovë dhe Maqedoni, të prodhojnë “çallmat e zeza” të islamit shqiptar, të një vendi që e vetmja pasuri që i ka mbetur, është bashkëjetesa fetare.

Por, nëse ka një arsye madhore përse shtypi shqiptar nuk është i kërcënuar, është se ai nuk është një shtyp si Charlie, dhe se nuk ka bërë asnjë betejë kundër këtij rreziku apo rreziqeve të tjera totalitare në shoqëri. Boll të shikoje sot presidentin në një pritje me gazetarë dhe fjalën e tij mediokre, për të kuptuar se çfarë monstrash ka lejuar shtypi shqiptar të na qeverisin. Boll të shikoje festën e vitit të ri të gazetarëve me kryeministrin, ku nuk bënte punë as liria për t’u tallur me të, por të gjithë mërziteshin pse i tallte ai.

Prej 7 janarit, bota nuk do të jetë më njësoj dhe gazetaria po ashtu, por shtypit shqiptar i ka munguar Charlie dhe para 7 janarit.  Mos të bëjmë kot sot sikur jemi të gjithë me Charlie. Nuk është aq e lehtë të jesh me të. Sidomos nuk është aq e lehtë për ata gazetarë që nuk kanë bërë kurrë asnjë betejë në jetë, por janë vetëm në lista protokolli për pritje e takime me zyrtarë. Charlie nuk ka nevojë ta ngushëllojmë pas 7 janarit dhe as ti themi se jemi me të. Kështu si jemi ne, është më mirë të mos jemi me të. Ajo është gazeta tipike misionare, me qëndrim të qartë, të fortë dhe të pamëshirshëm ndaj diçkaje të keqe. Ne jemi media që kemi heshtur kur vidheshin vota, kur vidhej, kur vriteshin protestues nga qeveria, kur i biri i kryeministrit hidhte 26 njerëz ne erë për milionat e tij, dhe vazhdojmë të heshtim për bandat dhe krimin në ekonomi dhe politikë. As për të ngjashmit e vrasësve të Charlie që kemi mes nesh, nuk flasim. I kemi mes nesh mjekroshat që po marrin zvarrë identitetin e një kombi evropian siç jemi ne, dhe heshtim. Heshtim dhe pastaj pa pikë turpi themi “Unë jam Charlie”. Shkon për t’u dukur solidarë, por jo të nëjtë me ata. Ata u kthyen në armikun numër 1 të fashizmit dhe ideologjisë së vetme vrastare në botë. Dhe kishin vetëm disa lapsa në duar dhe ide në kokë. Ato që ne i kemi vetëm në xhep.

SHKARKO APP