CIA torturoi të burgosur në Shqipëri, liderët botërorë kërkojnë ndëshkime

Obama kërkon falje për torturat e CIA-s, OKB i kërkon ndëshkim të fajtorëve

Senati akuza CIA-s, praktika brutale me të dyshuarit për terrorizëm

Në listën e vendeve europiane që kanë ndihmuar CIA-n në aktivitetin e saj ka qenë edhe Shqipëria. Madje vendi ynë është në hartën e vendeve në të cilët Agjencia Amerikane e Inteligjencës ka ngritur edhe burgje të fshehta.

Megjithatë, në raportin e publikuar një ditë më parë mbi teknikat e torturave të përdorura për të marrë informacione nga të dyshuarit për terrorizëm, nuk përmendet nëse ndonjë prej këtyre seancave ka ndodhur apo jo në Shqipëri.

Në total, nga 54 shtete bashkëpunëtore me CIA-n, janë 21 vende europiane, ndër to 17 anëtare në Bashkimin Europian.

Listës nuk mund t’i mungonin aleatët e mëdhenj të SHBA-së, Britania e Gjermania, ndërsa në të radhiten edhe Spanja, Portugalia, Belgjika, Danimarka, Greqia, Kroacia, Qipro dhe Bosnje-Hercegovina.

Komisioni i Senatit amerikan ka bërë të ditur se CIA kishte keqtrajtuar të burgosur që i dyshonte për terrorizëm dhe nuk i kishte dhënë informacionin e plotë kongresit dhe publikut lidhur me efektivitetin e këtyre metodave për të nxjerrë të dhëna nga të dyshuarit.

Ndër metodat e përdorura ishin lënia pa gjumë e të burgosurve dhe zhytja në vaska me ujë. Vendi më i afërt me ne në të cilin është dokumentuar kapja e një të dyshuari është Maqedonia, ku në vitin 2004 është ndaluar një shtetas gjerman me origjinë nga Afganistani, i cili më pas është dërguar në bazën e CIA-s për t’u gjykuar.

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha në një intervistë se publikimi i raportit ishte i rëndësishëm pikërisht për të vërtetuar para publikut pse ai i kishte shfuqizuar këto teknika me të ardhur në pushtet në vitin 2009.

Por pavarësisht kësaj, raporti është pasuar nga kritika të shumta. Kina i ka bërë thirrje SHBA-së që të rregullojë mënyrën e të vepruarit dhe të respektojë rregullat dhe konventat ndërkombëtare.

Përmes një postimi në Twitter, edhe lideri suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, e ka akuzuar qeverinë amerikane si simbol të tiranisë kundër njerëzimit, ndërsa presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, i ka quajtur çnjerëzore veprimet e CIA-s.

Ndërkohë që shoqata Human Rigths Watch ka kërkuar që zyrtarët e CIA-s që i kanë autorizuar këto tortura të ndiqen penalisht.

E vetmja mbështetje ndërkombëtare ndaj taktikave të CIA-s ka ardhur nga udhëheqësja e të djathtës ekstreme në Francë, Marin Lë Pen, e cila tha në një intervistë televizive se tortura ishte e justifikuar kur bëhej fjalë për të dyshuar për terrorizëm.

Megjithatë, pas valës së kritikave ndaj saj, përmes një postimi në rrjetet sociale ajo tha se ishte keqinterpretuar.

SHKARKO APP