Cikli periodik i rrënimit
Nga Artan Fuga
– Nga viti 1912 deri aty nga 1915 dihet se flamuri i ngritur në Vlorë ra disa herê në baltë dhe u ringrit. Ismail beu dha dorëheqjen, Princ Vidi nuk bêri hajër, etj.
– Në 1924, nja dhjetë vite më pas, shteti shqiptar u lëkund sepse ndodhi ai që u quajt "revolucion i qershorit" ku nuk dihet se kush luajti me serbët e kush me rusët, apo serbët dhe rusët luajtën me shtetarët shqiptarë. Muret u rrëzuan.
– Nja dhjetë vjet më pas, aty nga 1935, kryengritja e Fierit tregoi se përballë detit, brenda shtetit, lëviste llava e vullkanit që rrëzonte muret e Kalasë që ishin ngritur qysh nga Kongresi i Lushnjës në 1920 dhe pak më pas. Le të vinin kolonelë të huaj për ta vendosur në vijë xhandarmërinë. Nuk ka xhandar që i mban muret ngritur kur ato lëkunden.
– Pastaj Lufta botërore, dhe dhjetë vjet më pas, 1944, shteti ringrihet në formën jo të një protektorati, jo të një lidhjeje me kurorën perandorake qesharake të xhuxhit përballë, as monarki jolegjitime kushtetuese, por si diktaturë. Mirëpo as këtyre ritmi i rrëzimit të kalasë nuk iu ndahet.
– 1956 – 1960 : ndarja me sovjetikët, eliminime të pushtetarëve vendas, dhe kalim drejt një stalinizmi ideologjik, politik dhe ekonomik shëmbullor. Duket se politika e ka forcën shkatërruese të mureve në dorën e vet dhe e kontrollon me forcën e shtëpisë me gjethe, që sot festojmë si muze dhuratë nga bashkimi. Por, jo. Ku ka pushtet që përballet dot me forcat misterioze të hisrorisë!
– 1972 – 1976, pra nja dhjetë e dymbëdhjetë vjet më pas prishja me kinezët dhe terrori tani përfshin edhe elitat pushtetare komuniste, gjeneralë, ministra, ideologë, nëpunës, artistë, vetë burokracinë shtetrore, dhe shkrimtari nuk e kupton se çfarë po ndodh. Njeri i këndon shkëputjes nga sovjetikët pikërisht kur te ata po ndodhte një liberalizim, dhe tjetri i bën komedinë nëpunësit të shkretë zylambak, që në fakt me rënien e tij personifikonte rënien e shtetit në duart e kontrolleve puntore dhe fshatare si falanga fashiste.
– 1981 : E po qoftë me kaq, thamë, lëkundjet mbaruan. Tani nuk na mbetet veçse të shkruajmë libra se si nga dashuria, kalohet në fejesë dhe pastaj gradualisht në martesë, me autor babin e babait. Cfarë fejese mo? Një fejesë e gabuar dhe kryeministri vret veten. Shteti është përsëri përtokë. Titista, imperialista, puçista, etj., përmenden, por pak rëndësi ka. Muret e kalasë kanë rënë.
– 1991 – 1992 : Shteti ka rënë në formën staliniste dhe po ringrihet nga një revolucion që si për çudi u krye pa shkelur asnjë ligj. Reformim ligjor, por vendi kaloi natyrsisht nëpër llava vullkanesh përpak djegëse. E mo, mirë, po ja erdhi demokracia dhe historia mbaroi shpalli ai babai i sociologjisë duke cituar një pervers tjetër. Por, demokracia, si monarkia, si totalitarizmi, si protektorati, si perandoria ku ne ishim pjesë, nuk e shmangte dot jo misterin e rënies ciklike të mureve të kalasë.
1997 : Shqipëria përpak sa nuk shqyhet në dysh midis kryengritësve që kërkonin paratë tona dhe pushtetit që kishte shkarë nga binarët. Aq sa pati nga ata që tremben nga lëkundja e mureve dhe i duan ditën muret kur duken të fortë, e ikin natën kur muret dridhen me oshëtimë që thanë : Ta ndajmë Shqipërinë, në dy kantone, Veri dhe Jug, Veriu të iki ku të dojë, të bashkohet me Kosovën, Jugu të bashkohet si autonomi me Greqinë…
2008 – 20012 : E mo, pas dhjetë vjet qetësie, pati nga ata të fundit të historisë që deklaruan : Uf, do të mërzitemi tani, demokracia u poq dhe nuk ka më ngjarje madhore! Prit, o prit, tha me vete urithi i historisë, ja sa të gërryej edhe pak themelet dhe muret do të të dridhen, lëkunden e bien në tokë përsëri. Gërdeci na plasi bombën në dorë si një lloj vetëvrasjeje. Pastaj të vrarë në bulevard në përballje politike në sheshe. Askush nuk kuptoi se përse, me çfarë qëllimi, me çfarë nënkuptimi? Të gjitha palët politike nisën të fajësojnë njera tjetrën, dhe loja midis vrasësit dhe viktimës u bë metafora e politikës shqiptare që normalisht duhet të ishte ajo midis shumicës dhe opozitës.
Politikën e kemi bërë si terminologji duke zëvendësuar termat politikë, që asnjëherë nuk kemi ditur ta bëjmë, me terma zëvëndësues :
Baballarë (të kombit) – fëmijë (nështetas)
At (diktator) – nipër (pionierë)
Vrasës – viktima
Hajduti – polici
– 2015 arrin. Politika është pa identitet. Shteti i politizuar dhe që mbahet nga ekuilibrat e brishtë politikë. Kur ato prishen, ikni me vrap se ju zënë muret e kalasë brenda. Zgjedhjet jo demokratike. Mega-afera financiare na trembin. Rinia e tëra ose në Gjermani ose duke bërë tifozllik te arena e Elbasanit për ta dërmuar Serbinë me topa … në rrjetë. Pije dhe sport : ja se çfarë do populli romak! E mbi këtë tortë të prishur, qershia e pastër : kërkohet një qytetar i virgjër, të marrësh kuponin qerrata se përndryshe të ndryj brenda në qeli…
Muret po lëkunden, politika ndodhet siç thamë në fillim në krizë.