Cilët janë? Profilet e dy studentëve në protestën që gjunjëzoi qeverinë
Një student i Shkencave Politike, që i financon studimet në Tiranë me punën si hekurlidhës në Kaçanik të Kosovës dhe shoku i tij nga Jugu, që e përballon jetesën e kushtueshme si student me punën sezonale në turizëm bashkohen në protestën kundër kostove të kripura të arsimit të lartë në Shqipëri.
Nga Gjergj Erebara*
Gjatë verës së kaluar, pasi mbylli vitin akademik si student i Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës, Edison Lika, 20 vjeç, udhëtoi nga Shqipëria për në Kaçanik të Kosovës, ku kompania amerikane Bechtel po ndërton për llogari të Qeverisë së Kosovës një autostradë me vlerë qindramilionë euro që lidh Prishtinën me kufirin maqedonas.
Sipas Likës, Bechtel kishte punësuar një nënkontraktor, i cili kishte punësuar një nënkontraktor të dytë dhe te ky i fundit, studenti i Shkencave Politike gjeti punë si hekurlidhës.
“Punonim nga mëngjesi deri në orën 6 të mbrëmjes dhe kishim një të dielë pushim në çdo dy javë,” tregoi Lika për BIRN, ndërsa disa qindra studentë po protestonin para Ministrisë së Arsimit në Tiranë tëenjten, në ditën e tretë rradhazi.
Paratë e fituara si hekurlidhës në Kaçanik i nevojiteshin Edisonit për të paguar tarifën e studimit, aktualisht 40 mijë lekë në vit, si dhe kostot e tjera të lidhura me arsimin. Pasi të mbarojë studimet e nivelit të parë, atij do t’i duhet të paguajë rreth 80 mijë lekë në vit për studime master.
Familja e Likës ka pak mundësi ekonomike për shkak se i ati ka qenë minator në Kalimash dhe ka dalë në pension të parakohshëm një vit para se Lika të lindte- kur industria minerare shqiptare falimentoi dhe u mbyll.
“Punoj në fundjavë shitës në një dyqan dhe fitoj 2 mijë lekë për dy ditë,” shtoi ai.
Shoku i tij, një student nga bregu i Jugut i cili kërkoi të mos citohej me emër për shkak se i ati punon në administratë publike dhe ka frikë se mund t’i pushohet nga puna tha se gjatë verës punonte në turizëm dhe arrinte të siguronte 80 mijë lekë në dy muaj punë për t’i mundësuar vetes jetesën e kushtueshme në Tiranë.
“Unë kam punuar që kur isha 13 vjeç. Nuk kam bërë asnjë ditë pushim gjatë sezonit që atëherë,” tha ai.
Kostoja e arsimit të lartë është rritur shumëfish gjatë viteve të fundit në Shqipëri si pjesë e përpjekjeve të qeverisë dhe universiteteve për të komercializuar arsimin e lartë. Krahasimisht me rritjen e kostos së arsimit dhe të jetesës, shqiptarët kanë parë pak ose aspak rritje pagash për më shumë se një dekadë.
Studentët kanë protestuar herë pas here përgjatë katër viteve të fundit kundër tarifave më të larta universitare, kundër një reforme të qeverisë që synon të japë para për studime akademike edhe për universitetet private, (një pjesë e ligjit të reformës në arsimin e lartë që nuk është zbatuar ende), si dhe për rritjen e cilësisë së arsimit.
Dy studente goditën me vezë kryeministrin Edi Rama më 2 nëntor 2015 ndërsa një studente hodhi bojë mbi ministren e Arsimit Lindida Nikolla më 17 nëntor 2016.
Të dy studentët me të cilët foli BIRN të Enjten thanë se ishin angazhuar në Lëvizjen për Universitetin që në vitin e parë të studimit dhe e shihnin këtë lëvizje si shpresa e vetme kundër prirjes për komercializim të mëtejshëm të universiteteve.
Protesta e fundit nisi kur studentëve të fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës, iu kërkua të paguajnë paradhënie tarifat vjetore të shkollimit brenda dhjetorit të këtij viti. Studentët dolën në protestë duke kërkuar së paku ndarjen e pagesës në dy këste dhe shtyrjen e afatit të pagesës për më vonë.
“Të paktën të kemi kohë që të mbledhin lekët,” tha njëri prej tyre. Studentët e Arkitekturës bojkotuan mësimin ditën e martë, por shpejt atyre iu bashkuan studentë nga fakultete të tjera.
Protesta u zgjerua më tej të enjten kur studentë në Korçë, Elbasan, Vlorë e Shkodër dolën gjithashtu në protesta.
Kërkesa e studentëve të arkitekturës u zgjerua me kërkesën për anulimin e një vendimi qeverie të majit të këtij viti, i cili i ngarkon studentët me tarifë shtesë në rast se përsërisin provimet, pavarësisht nëse janë ngelës apo duan përmirësim note, si dhe me kërkesën për ulje të tarifave aktuale të shkollimit.
Kryeministri Edi Rama, ndërsa u tall ditën e parë me studentët duke i quajtur ata ngelës, duket se ndryshoi mendim ditën e enjte, kur me urgjencë dhe jashtë rradhe, vendosi shfuqizimin e vendimit që kishte marrë duke anuluar tarifat shtesë.
Tarifat shtesë parashikonin pagesën e afro 670 lekëve për kredit për studetët e nivelit të parë dhe rreth 750 lekë për studentët e nivelit të dytë. Çdo lëndë ka 3 deri në gjashtë kredite.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla deklaroi pas vendimit: “Faleminderit studentëve që shërbyen si nxitës për të rritur komunikimin. Qeveria do të heqë dorë nga tarifimi i provimeve të bartura”.
Studentët që protestuan me thirrje dhe pankarta mbi gjashtë orë paraditen e së enjtes, duket se nuk u mjaftuan me anulimin e vendimit. Ata premtuan se do të vijojnë protestat.
Aktivistja Liri Kuçi nga Lëvizja për Universitetin deklaroi para studentëve në fund të protestës së të enjtes: “Ngelësit e vërtetë janë ata. Ata sepse janë pak dhe janë bërë të pasur në kurrizin tonë e të prindërve tanë që nëpërkëmben çdo ditë nga pronarët për 200 mijë lekë rrogë. Janë ata sepse duan të na vjedhin me koncesione, tarifa, taksa, dhe po shpikin lloj-lloj formash për të na zhvatur akoma më shumë duke e bërë edhe më të vështirë shkollimin tonë”.
Studentët protestues njoftuan se do të mblidhen sërish nesër para Ministrisë së Arsimit.
“Rritja e tarifave në arsim nuk ka sjellë ndonjë përmirësim në cilësinë e arsimit,” mendon studenti nga bregu i Jugut.
“Në bibliotekën e shkollës nuk gjenden librat që ne na rekomandohen për të lexuar në studimet tona. Librat e shkollës janë të përkthyer keq dhe shpesh janë të pakuptueshëm. Vetëm studentët që dinë të lexojnë në ndonjë gjuhë të huaj kanë mundësi të kuptojnë,” shtoi ai.
Pyetur se çfarë i bindi të bëhen aktivistë, studentët thanë: “Lëvizja për Universitetin është e vetmja pengesë për rritjen e mëtejshme të tarifave.”
*****
*Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë