Cipras fitoi për të njëjtat arsye që fitoi Edi Rama*
Nga Enkel Demi
Kutitë u mbyllën, Syriza e Cipras ka stërfituar, madje ka shumë gjasa serioze që ky i fundit të qeverisë pa nevojën e një koalicioni. Në Shqipëri pashë këto ditë komentatorë të gëzuar, politikanë të së majtës që do mundohen ta imitojnë. Kjo më sjell ndër mend fitoren e Obamës, e cila mbolli në vendin tonë të vogël farën e “Yes we can”.
Syriza është ekstrem i majtë, janë njerëzit me grusht përpjetë në tëmtha, të cilët si këngë të fitores kanë "Bella ciao", janë njerëzit që urrejnë kapitalin dhe dashurojnë praninë e shtetit kudo. Cipras premton pa iu dridhur qerpiku gjëra të vështira për t’u mbajtur, fjala vjen ajo puna e pagës minimale apo shëndetësia falas. Samaras ngjante shumë këto ditë me Berishën e dy viteve më parë që ankohej për premtimet e Ramës para zgjedhjeve të qershorit. Gjithsesi Cipras do të fitojë për të njëjtat arsye që fitoi Rama në Shqipëri. Njerëzit janë lodhur nga autoritarizmi i kastës, arrogancës së pushtetarëve, në këtë rast veçanërisht i pushtetit europian. Njerëzit janë të lodhur nga burokratët. Këta të fundit nuk kanë ndjenja, nuk pyesin për vendet e punës, kreditë e marra, të pastrehët, emigrantët. Burokratët e Brukselit kanë gjetur ca klonë në Athinë dhe loja u bë e tmerrshme, raskapitëse.
Ndaj, Cipras fiton, sepse njerëzit duan të ndryshojnë, të gjejnë një rrugë shpëtimi, të marrin frymë. Por, zgjedhja e tyre nuk është më e mira, është akoma dhe më e keqe, i ngjan të mbyturit që kapet prej shkumës së dallgëve. Për fat të keq, Samaras ka të drejtë, por nuk ta mbush më mendjen. Politika po pjell kudo mutacionin e saj që del jashtë sistemit. Ka çudira, Cipras fitoi në Greqi, ndërsa Salvini po rritet në Itali, Lë Pen në Francë. Kjo e fundit në një debat debat televiziv ballë D’Alemës, nuk e fsheh që bën tifo për Syriza. Një fashiste e ekstremit, anti emigrant mbështet një të majtë ekstreme pro emigrant. Çudi apo jo? Salvini i pëlqen të dy. Një lloj lëmshi që vështirë është ta ftillosh, por faji është tek burokratët që e shohin botën pas desktop-it, te këta tipat që kanë një guxim të mrekullueshëm për të dhënë këshilla, hartuar reforma, masa shtrënguese. Ata janë mamitë e mutacionit që ka pësuar sistemi.
Cipras ka me rrejt. Nuk do e mbajë fjalën. Nuk do shumë mend kjo gjë për t’u kuptuar, ndaj ithtarët e tij në Shqipëri do e lënë pas shumë shpejt këtë model, hero të ri, sepse devijimi nuk të çon kurrë në fund të tunelit. Terrin duhet me e ça mes për mes, si thotë një fjalë e vjetër e Shqipërisë së mesme: “Duhet me i hy detit n’kom”.