Cipras mund të fitojë, por Athina është e zhgënjyer
Huffingtonpost
“Duket sikur në Greqi nuk ka zgjedhje. Ndoshta votimet iu interesojnë vetëm juve të huajve”. Kështu shprehet Stelios Eliniadhis, kandidati i listës së Syriza-s, që pavarësisht se sondazhet tanimë e bëjnë të sigurtë fitoren e Aleksis Cipras, në prag të zgjedhjeve nuk ushqen iluzione të kota.
“Gjatë 2 viteve të fundit, sistemi poliktik është shembur dhe njerëzit e kanë humbur dëshirën, për të marrë pjesë aktivisht në jetën politike”- thotë ai.është edhe kjo një arsye më tepër që Eliniadhisi, 60-vjeç, producent radiofonik dhe rregjizor, ish-anëtar i Partisë Komuniste Revolucionare Greke, ka hapur një qendër kulturore në një nga lagjet e goditur më ashpër nga kriza ekonomike, Viktoria.
Këtu, kur dikur banonte borgjezia athinase, tanimë kanë mbetur vetëm dyqanet e mbyllura dhe rrugët e zhytura në terr, që gjallojnë disi nga prezenca e pak emigrantëve që kanë rezistuar ende duke mos u larguar:kush ka mundur është rrikthyer në vendin e vet të origjinës.
Qendra, e vetme në llojin e vet në qytet, mban një emër imagjinar:”Punëtorët e mendimit dhe artit, rrugët e miqësisë dhe kulturës. Selia, është vite dritë larg estetikës që bartnin dikur degët e seksioneve të partive apo pallatet e zëna nga anarkistët.
Eliniadhis ka zgjedhur muret e bardha, karrige me një dizajn modern dhe një arredim modest, për të organizuar forume mbi kinemanë, kurse muzike, teatro eksperimentalë dhe t’i ofrojë lagjes një bibliotekë falas.
Pasi na qers me nga një kafe amerikane në barin që ndodhet në brendësi të qendrës, kandidati i Syriza-s thotë se qëllimii gjithë kësaj, është të “riparojë” një defekt të dukshëm të partisë, e pasur në militantë dhe aktivistë, por ende pak e ndjekur nga njerëzit e zakonshëm.
“Kemi kaluar shumë shpejt nga 4 përqind në thuajse 40 përqind të mbështetjes nga njerëzit, struktura jonë nuk është ende e fortë sa duhet, dhe nëse duam që të ruajm këtë mbështetje duhet të ftojmë njerëzit të marrin pjesë. Në të kundërt, do të mbetet thjesht një votë revolte”- thotë ai.
Pra nuk mjaftojnë mjekët e vetë-organizuar vullnetarisht dhe solidariteti i partisë, në lidhje me ata që kanë humbur çdo gjë. Eliniadhis është kthjelltësisht i vetëdijshëm se Cipras mund të bëhet lehtësisht kryeministër dhe të trazojë gjysmën e Evropës, por ai duhet ta luajë ndeshjen e tij më të rëndësishme në shtëpi.
Një mungesë e dukshme entuziazmi ndihet tek grekët për ditën e zgjedhjeve, për të cilën përkundrazi e tërë bota po i kushton një vëmendje të jashtëzakonshme. Asnjë poster zgjedhor nuk nderet në muret e qytetit, përveç atij të komunistëve të KKE-së, që i druhen një rrjedhjeje masive të votave në favor të Cipras.Dhe po përgjatë rrugëve, athinasit e kaluan ditën e djeshme si çdo të shtunë tjetër, pezull mes mosinteresimit dhe apatisë.
“Unë nuk e di ende se për cilin do të votoj dhe mbase nuk do të shkoj fare në qendrën e votimit”-thotë Vasiliosi, në hyrje të dyqanit të tij të veglave hidraulike, përgjatë rrugës Akarnon që kalon në skajet e Viktorias dhe lagjes popullore të Agjios Panteleimonasit.
Sokrati, është një barist i ri në një lokal, ku disa vite më parë diskutohej nxehtësisht për politikën.”Cipras ? është thjesht një bla bla bla…”-komenton ai.
Tashmë nëpër tavolina, klientët e moshuar luajnë me letra, pijnë cigare njëra pas tjetrës, ndërsa kanë shumë pak dëshirë për të folur për zgjedhjet parlamentare.
“Syriza do të ketë votën time, edhe pse nuk më bind”-thotë njëri prej tyre, ndërsa shfleton një të përditshme sportive.”Ndërsa unë këtij të riut nuk i besoj, preferoj më mirë socialistët e PASOK-ut”-ia kthen një tjetër aty ngjitur. Pak më tej, pronari Nikos thotë se do të votojë Ciprasin për një arsye që tingëllon jo pak e habitshme:”Unë dua ta shkatërroj Syriza-n!”-thotë ai.”Koalicioni i majtë është i përbërë nga shumë grupe të vogla, që do të luftojnë për të qëndruar së bashku”-shton ai. “Edhe nëse ata do të marrin më shumë se 150 deputetë, do të shihni shumë shpejt se që pas ligjit të parë do të jenë 148, pastaj 140 ….. Dhe qesh duke shtuar:”Më besoni, do të riktheheni për disa muaj këtu për zgjedhjet e reja parlamentare”.
Rreziku i një fragmentimi të Syriza-s, shfaqet edhe tek fjalët e kandidatit të saj Eliniadhis. “Është e vërtetë, për herë të parë ia dolëm të bënim bashkë shumë njerëz të së majtës ekstreme greke: maoistë, trockistë, marksistë dhe shumë të tjerë. Rezultati është një front i madh, që dëshiron të jetë një shembull për të gjithë të majtën evropiane, duke përfshirë edhe atë italiane”-thotë ai.
Por frika se programi dhe ambiciet e Ciprasit, nuk mund t’i rezistojnë testit të qeverisjes, gjallon edhe në mesin e atyre që e mbështesin pa asnjë rezervë liderin e Syriza-s. I pyetur nëse ekziston një makthi i humbjes së shpejtë të kësaj mbështetje të madhe, duke u rrikthyer sërish në nivelin e para 6 viteve, 4 përqind, Eliniadhis me një buzëqeshje ironike thotë: “Më vjen keq, por unë nuk jam një profet!”.
A.G./www.bota.al