Çmimi i energjisë për familjarët nuk u rrit dhe situata u bë edhe më e çuditshme
Nga Gjergj Erebara, BIRN
Heqja e sistemit dytarifor në energjinë elektrike që i shitet konsumatorëve familjarë duketse i ka çorientuar disi shqiptarët. Çmimi prej 9.5 lekësh (pa TVSH) i vendosur nga Enti Rregullator i Energjisë të premten më 26 dhjetor është 24 për qind më i lartë se sa çmimi i mëparshëm i fashës së konsumit deri në 300 kWh prej 7.7 lekësh dhe gati 30 më i lirë se sa çmimi i mëparshëm i konsumit mbi 300 kWh, çmim që qe vendosur që nga viti 2008 në masën 13.5 lekë për kWh.
Çmimi i vendosur nga ERE është dukshëm më i ulët se sa ai i kërkuar nga OSHEE prej 11.08 lekësh, apo nga çmimi i përfolur gjerësisht në qarqet politike prej 10.6 lekësh, pra mesatarja e thjeshtë mes dy çmimeve të zbatuara deri tani. Por çmimi i ri është shumë pranë mesatares së ponderuar të dy fashave sipas konsumit. Në këtë pikëpamje, çmimi nuk është rritur, por situata është bërë paksa e pakuptueshme.
Nga pikëpamja e konsumatorit, familjet që konsumonin më pak se 300 kWh në muaj dhe që presupozohet se janë familjet e varfra, do të marrin një rritje të faturës prej 648 lekësh, ose 24 për qind më shtrenjtë. Por në të njëjtën kohë qeveria ka premtuar dhe ka vënë buxhetin e vitit të ardhshëm 16 milionë dollarë me synimin për të kompensuar rreth 200 mijë familje të konsideruara si të varfra. Me një mesatare prej 650 lekësh për familje, duket se kompensimi, nëse zbatohet, mbulon me bujari të gjithë shtrenjtimin e faturës. Në rast se kompensimi do të kryhet siç është premtuar, familjet e varfra nuk pritet të goditen nga ky ndryshim çmimi.
Ndërkohë, OSHEE nuk pritet të ketë ndonjë përfitim financiar të konsiderueshëm nga ky ndryshim. Gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri familjet patën një konsum të faturuar prej 2.27 miliardë kWh, nga të cilat, mësohet se 1.62 miliardë ose 71 për qind e tyre u faturuan me tarifën e parë prej 7.7 lekësh për kWh. Rreth 27 për qind ose 620 milionë kWh u faturuan me tarifën e dytë 13.5 lekë. Diferenca është faturuar si “Hapësira të përbashkëta”. Çmimi mesatar i ponderuar në bazë të këtyre të dhënave rezulton 9.3 lekë, shumë pak më i ulët se sa çmimi i vendosur aktualisht prej 9.5 lekësh. Në total, në rast se struktura e konsumit sipas familjeve nuk ndryshon, çmimi i ri i energjisë pritet t’i japë OSHEE rreth 5 milionë dollarë në vit më shumë. Ballafaqimi i këtij përfitimi me koston e qeverisë për subvencionimin e familjeve të varfra prej 16 milionë dollarësh sugjeron se qeveria ka mbuluar me gati tri herë tarifën e shtuar me kompensim.
Natyrisht, përveç familjeve, OSHEE i shet energji elektrike edhe subjekteve të tjera, pra subjekteve të biznesit. Tarifat për këto subjekte u rritën mesatarisht me 20 për qind. Kur tarifat rriten, nuk ka shumë rëndësi se kujt i rriten sepse në fund, rëndojnë që të gjitha mbi konsumatorët.
Por mund të ketë rritje kostosh
Përpos kësaj, vendimi i ERE për rikthimin e sistemit tarifor unik për konsumatorin familjar të energjisë elektrike për herë të parë që nga viti 2001, mund të ketë disa pasoja të pakëndshme në sistem. Pasoja e parë është që për familjet e shtresës së mesme, të cilat më herët kishin arsye të forta për të tentuar kufizimin e nivelit të konsumit të energjisë elektrike përmes metodave të ndryshme, nga përdorimi i pajisjeve eficente te përdorimi sa më i kufizuar i kondicionerit, me tarifën e re do të kenë shumë më pak incentiva për të vepruar në këtë mënyrë.
Por ndërsa rritja e konsumit mund të japë para shtesë për OSHEE-në, ai ka gjasa do të sjellë edhe kosto shtesë. Shqipëria mbulon aktualisht 70 për qind të konsumit të energjisë elektrike me prodhimin e hidrocentraleve dhe pjesën tjetër me importe. Në rast se konsumi familjar do të rritet si pasojë e mungesës së çmimit diskurajues për konsumin e lartë, atëherë bashkë me të ardhurat e OSHEE, do të rriten edhe importet. Vetëm seenergjia e importit kushton aktualisht mbi 7 lekë për kWh në “doganë” dhe për këtë, çmimi prej 9.5 lekësh nuk mjafton.
Qeveria dhe OSHEE kanë argumentuar gjatë javëve të fundit se sistemi dytarifor i faturimit ka sjellë shumë spekulime përgjatë viteve nga ana e konsumatorëve, por nuk ka publikuar deri tani ndonjë studim për të treguar se në çfarë përmasash dhe çfarë pasojash kanë shkaktuar këto manipulime. Gjithashtu nuk dihet nëse qeveria, OSHEE apo ERE kanë kryer ndonjë studim se çfarë mund të ndodhë me konsumin dhe koston e energjisë elektrike nga sistemi i ri i faturimit.