Çmimi për një marrëveshje të panevojshme
Nga Agim Nesho –
Procesi i negociatave SerbiKosovë, i ndërmjetësuar nga Brukseli, lëvizi së fundmi drejt një drejtimi të ri, provokativ dhe me pasoja për paqen dhe stabilitetin ballkanik. Të dy negociatorët kryesorë, përkatësisht Presidenti i Serbisë Vuçiç dhe së fundmi edhe Presidenti i Kosovës Thaçi, kanë hedhur në tavolinë skenarin e përbashkët të “korrigjimit të kufijve” për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme. Opsioni i përbashkët mbështetet në dy argumente të ndryshme.
Pala Serbe që të shmangë pengesën për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndërsa presidenti kosovar që ky opsion do të sigurojë njohjen e Kosovës nga Serbia, si rezultat i së cilës do të sigurohet anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Të dy presidentët kanë deklaruar që marrëveshja do të jetë e dhimbshme, por në interes të paqes dhe prosperitetit të brezave të rinj.
Dalja e këtij skenari të ri me pasoja destabilizuese për rajonin, por edhe më gjerë, guximi për të prekur tema tabu që tejkalon veprimin e dy udhëheqësve ballkanikë, ngre pyetje të shumta dhe rihap një kapitull që për perëndimin quhej i përfunduar. Kush dhe përse kërkon të hapë çështjen e Kosovës, çfarë përfitohet nga precedenti i ndryshimit apo korrigjimit të kufijve, çfarë përfitojnë palët në proces, a po kërkohet një rindarje e Ballkanit në linja të pastra etnike, a përfitojnë nga ky proces fuqitë e tjera rajonale që po kërkojnë rritjen e zonave të tyre të influencës në Ballkan, si Rusia, Turqia dhe Kina?
Këto dhe shumë pyetje të tjera dolën në pah menjëherë nga ata që, për mëse tetë vjet e kishin të vështirë të ndryshonin një presje në zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe nervozoheshin kur i jepnin dorën njëri-tjetrit. Për serbët dhe Presidentin Vuçiç, sigurisht që kjo marrëveshje përbën një fitore, sepse rihap një kapitull të mbyllur historik. “Ai shtyn dhe fiton nga asgjëja”,- thotë Ivan Vojvoda dhe shtyn axhendën e tij për ta bërë Serbinë një fuqi ballkanike.
Ringre shkëmbimin e territoreve për të fituar edhe atëherë kur Serbia duhet të pranojë realitetet e reja dhe të reflektojë ndaj të shkuarës. Çdo negociatë e re e vë në një status më të favorshëm Serbinë, e cila po bëhet gjithmonë e më shumë një lojtar atraktiv për komunitetin ndërkombëtar. Duke gjetur liderin shqiptar të Kosovës, që bëhet protagonist në shkeljen e temave tabu dhe potencialisht provokon me hapjen e ‘kutisë së Pandorës’, ai përgatitet për çdo skenar të ri që do t’i mundësojë zgjerimin dhe fuqizimin e Serbisë së Madhe.
Veriu i Kosovës është shkaku, pasojat janë në Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Palët negociuese pretendojnë shkëmbimin e territoreve apo korrigjimin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, që mund të kenë qenë opsione të hedhura krahas bisedimeve, por e vërteta qëndron që asnjëherë nuk janë pranuar nga komuniteti ndërkombëtar si zgjidhje. Asnjëherë nuk janë parë kufijtë midis dy vendeve nga fuqitë e mëdha, garantuese të procesit, si një qëllim për përcaktimin e shteteve të reja, përfshirë edhe Republikën e Kosovës.
Prioritet i tyre ka qenë paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në rajon. Ky ishte edhe mesazhi i Grupit të kontaktit, që në janar 2006 përcaktoi parimet për zgjidhjen e çështjes dhe statusit të Kosovës nga fuqitë botërore: jo ndarje të Kosovës, jo bashkim me një shtet tjetër apo pjesë të tij. Këto parime iu paraqitën Këshillit të Sigurimit dhe çuan në përgatitjen e planit Ahtisaari, baza e të cilit është edhe rendi kushtetues në Kosovë. Për t’u bërë sa më i pranueshëm nga të dy palët, u gjet multietniciteti si faktor kompromisi për palën serbe.
Garantimi i të drejtave të minoritetit mbi një bazë të avantazhuar kushtetuese: më pak se 4 %, por me 20 vende të garantuara në Parlamentin me 120 anëtarë, bashkëqeverisje, pjesëmarrje e detyrueshme në institucionet kryesore të vendit dhe veto për çështje të rëndësishme si ushtria etj. Në gjithë këtë skemë të qartë, lind pyetja pse Serbia kërkon diçka më tepër si shkëmbimi i kufijve për të njohur një realitet të pakthyeshëm?
A mendon Serbia dhe Presidenti Vuçiç që liderët shqiptarë mund të parapëlqejnë precedentë të tillë për qëllimet e tyre nacionaliste dhe pushtet personal? Duke respektuar rregullat e lojës, marrëveshja e ndërmjetësuar nga Brukseli kërkon që Serbia të njohë Kosovën si kusht të hyrjes së saj në Bashkimin Europian. Ky është detyrimi i Serbisë, e cila kërkon të bëhet pjesë e një familjeje evropiane, në bazë të së cilës qëndrojnë vlerat dhe parimet e shoqërisë së lirë, demokratike dhe multietnike.
Ata kërkojnë zgjidhje të reja për arsye të frymës nacionaliste që mbizotëron në vend dhe projekteve për të qenë elementë dominues në Ballkan. Në qoftë se zgjidhjen e problemit e shikojnë me skema të fuqisë dhe ndarjes së territorit si në shekullin e XIX, ky është problemi i tyre dhe sfida për të qenë pjesë e një shoqërie moderne europiane. Kjo përbën edhe enigmën më të madhe në këtë skemë.
Opozita në Kosovë akuzon Presidentin që qëllimet e tij justifikohen me fuqizimin e pushtetit personal, shumica e klasës politike në Kosovë e Shqipëri si veprim të papranueshëm dhe në dëm të interesave të vendit. Më skeptikët besojnë se nuk mund të bëhej një gjë e tillë pa një mesazh të qartë të Perëndimit. Për më tepër, edhe njerëzit që e shtyjnë idenë e marrëveshjes shprehen duke avancuar më tej me justifikimin e ndryshimit të rendit botëror dhe karakterin transsaksional të Presidentit të SHBA-ve për të arritur marrëveshje.
Koha provoi që Gjermania dhe Britania e Madhe dolën menjëherë kundër, ndërsa në deklaratën e saj SHBA-ja thekson se nuk mund të negociojnë jashtë një kornize të përcaktuar. Çështja është e thjeshtë. Presidenti i SHBAve është një lider i fortë që negocion në pozicion force në funksion të korrigjimeve të nevojshme për interes të “Amerikës e Para”. Ai nuk ka pse të negociojë për një proces që është i mbyllur dhe perëndimi ka gjetur zgjidhjen.
Ai mund t’i kthehet rinegocimit në qoftë se liderët aventurierë të Ballkanit mund të provokojnë një situatë destabilizuese dhe luftënxitëse për të akomoduar interesat personale apo të fuqive rajonale. Duke qenë se Kina deri tani ka ambicie të dominimit ekonomik, Rusia dhe Turqia janë shprehur hapur për zonat e tyre të influencës në Ballkan. Rusia për të penguar integrimin euro-atlantik në funksion të strategjisë së saj anti-NATO dhe një Ballkan i hapur për interesat e të gjithëve dhe Turqia për realizimin e strategjisë së saj për perandorinë neo-otomane.
Perandori pa vende vasale nuk ka, siç nuk ka neootomanizëm pa Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ngjarjet e fundit në Kosovë të rrëmbimit të pesë shtetasve turq, duke nëpërkëmbur sovranitetin e Republikës së Kosovës, ndërtimi i xhamive dhe aeroporteve në vendet e Ballkanit, si dhe influenca politike në rritje në vendimmarrje (si votat në OKB p.sh) tregon se Turqia është një faktor për t’u marrë parasysh. Një aspekt i rëndësishëm në këtë diskutim është edhe protagonizmi i liderëve ballkanikë.
Duket se marrëveshjen VuçiçThaçi e ka përkrahur që në fillim dhe Kryeministri Rama. Këtë e ka evidentuar ish-Kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, ishnegociatori për Kosovën A. Rohan dhe vetë Presidenti Thaçi në intervistën e tij në “Top Channel” ku deklaroi që qeveria shqiptare është dakord. Rama, idenë e bashkimit kombëtar e ka përdorur gjithmonë si presion ndaj BE-së, por edhe për t’i dhënë vetes një dimension si lider i shqiptarëve. Vuçiç me zgjuarsi e ka përdorur aventurizmin e amatorizmin e Kryeministrit Rama për të realizuar qëndrimet e tij. Ajo që duhet provuar është naiviteti i liderëve shqiptarë apo influenca dhe presionet e mundshme të afendikonjve neo-otomanë.