Ç’po ndodh në Shqipëri dhe një mesazh për provincialët otomano-shqiptarë

Nga: Ralf Gjoni

Është pothuajse e pamundur të qëndrosh indiferent ndaj një situate të tillë ndezëse në Shqipëri, ndërkohë që mjafton të heqësh syzet e errëta provinciale për të kuptuar qartazi se çfarë po ndodh në këtë pjesëz të botës dhe ku po shkon ky vend.

Janë hedhur shumë bombola tymnaje kohët e fundit në këtë katundin tonë provincial. Jo nga ato bombolat që hidhen tek bulevardi, por nga ai tymi që shkakton inflacion të vërtetash e të pavërtetash që synojnë mjegullën permanente përmes kazanit, fuçisë apo edhe çisternës mediatike në funksion të thashethemnajës politike që komandon opinionin publik neo-otoman shqiptar.

Të gjithë në Shqipëri komentojnë, dhe me kompetencë idioteske eksperti. Shumica e këtyre gjithologëve e komentojnë gjeopolitikën rajonale sikur të ishte bukë e djathë. Por, shumëpak e kupton Perëndimin.

Një nga këto tymnajat e rrezikshme që po hidhet shpesh lart e poshtë, lidhet me faktin që bota perëndimore ka probleme, ka një mijë e një halle, është në rikonfigurim e sipër dhe për rrjedhojë, nuk e ia ka idenë se ç’po ndodh në Ballkan.

Sipas kësaj teorie që po qarkullon, përfaqësuesit e tyre diplomatikë në vende periferike si Shqipëria, Maqedonia apo Kosova, janë ose të paaftë, ose tepër të preokupuar me aferat e tyre personale korruptive, ndaj dhe dezinformojnë Washingtonin, Berlinin, Parisin, Londrën apo Brukselin.

Ndaj, varja ‘atyre’ se anijen mund t’a drejtojmë vetë, drejt e në det të hapur dhe rregullat e lojës mund t’i shpikim e t’i ndryshojmë si të duam, rrugës, me terezi. We don’t shave it!

Bombolat e kësaj natyre po hidhen shpesh së fundmi, dhe me një marrëzi prej budallai që ka mbyllur sytë dhe është gati të hidhet në humnerë si fitimtar. Ndërkohë që një masë gjithnjë në rritje e motorrit dhe konsumatorit të llumit mediatik po e gëlltit dhe ka filluar t’a besojë e t’a shpërndajë këtë racionale të sëmurë mendimi, pa asnjë lloj kuptueshmërie se kush i luan e kush i akordon telat perëndimorë.

Në fakt kjo luftë e hapur ndaj Perëndimit synon delegjitimimin e disa prej projekteve më të rëndësishme që janë tentuar në Shqipërinë e këtyre 30 viteve të fundit – krijimi e forcimi i institucioneve demokratike, ekonomia konkurrente e tregut të lirë, pluralizmi politik bazuar mbi parti thellësisht polifonike përbrenda, forcimi i të drejtave të njeriut, pronësia, rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian, anëtarësimi në NATO dhe së fundmi krijimi i një sistemi drejtësie funksional e të besueshëm, jashtë kontrollit të kasapëve vendas që e kanë masakruar këtë sistem prej tre dekadash.

Në thelb, këto janë themelet e çdo demokracie dhe ekonomie të suksesshme perëndimore, shtyllat mbajtëse të një sistemi politik e shoqëror që kjo fara inferiore e injorante otomane këtu në Ballkan, nuk e kap dot. Ose, ndoshta e kupton dhe e lufton me çdo mjet që ka në dorë, duke mobilizuar një rezistencë politiko-shoqërore kundër krijimit të një sistemi ekonomiko-shtetëror ‘quasi’ perëndimor me mekanizma funksionalë e jashtë sferës së kontrollit politik vendas.

Perëndimi, i ndërgjegjshëm se ka dështuar në kultivimin e këtyre bazave esenciale demokratike në Shqipëri apo në rrethinat tona gjatë këtyre tre dekadave, ka vendosur prej disa vitesh të ndryshojë rregullat e lojës në Ballkan dhe të fillojë krijimin e ‘sistemit’.

Duhet kuptuar gjithashtu në këtë kontekst se vende si Rusia, Kina, Turqia apo Irani kanë kohë që po investojnë përgjatë hapësirës evropiane, dhe sidomos në Evropën juglindore, kundër krijimit të këtij sistemi, duke forcuar pozitat e bajraktarëve dhe kukullave të tyre. Por bajraktarët nuk kanë vend në Perëndim.

Është e vërtetë që bota perëndimore ka një milion halle, Ballkani është periferik, Shqipëria bisht kavalli dhe se disa prej përfaqësuesve diplomatikë anembanë rajonit tonë, duken si specie burokratike të paafta që ndjekin interesin e tyre karrierist personal. Është gjithashtu e vërtetë se Brukseli vuan prej kohësh nga vegjetimi i këtyre specieve burokratike, të cilët e kanë dëmtuar projektin evropian.

Por ata janë shumë të vegjël për të impaktuar funksionalitetin e sistemit perëndimor i cili operon mbi themele të forta vlerash dhe grupesh të forta interesi, përfaqësuesit e të cilëve determinojnë aleancat e rrymat globale si dhe kontrollojnë aparatin tretës e jashtëqitës të sistemit. Me këtë strukturë hierarkike nuk e ‘kruan’ dot as Trump, as May, as Macron e as Merkel, të cilët në fakt shërbejnë politikisht për të garantuar vazhdimësinë e sistemit.

Ndaj tyre, Shqipëria dhe mini-bajraktarët e saj episodikë duken si shkarpa të shtrembëruara që prishin harmoninë e një turre me trungje të fortë druri. Ndaj dhe shkarpat janë të parat që digjen kur ndizet zjarri.

Duhet të jesh naiv të besosh se kjo që po ndodh në Shqipëri apo edhe në Maqedoni e Kosovë gjatë viteve, muajve apo edhe gjatë ditëve të fundit, lidhet me manovra personale lojtarësh të vegjël politikë.

Krejt e kundërta! Askush – qoftë në pushtet, opozitë apo në rrugë – nuk do mund t’a ndalë furinë e furtunës shtetformuese e ndëshkuese që po vjen nga Perëndimi dhe as ri-konsolidimin e kufijve të NATOs kundrejt klubit autokratik lindor. Jo se atyre u digjet zemra për ne, por sepse kështu po ndahet bota.

Aleancat globale po ridefinohen dhe radhët e tyre po konsolidohen. Shqiptarët nuk kanë zgjidhje tjetër, përveçse të shtrëngojnë radhët e të përgatiten për rendin e ri botëror, ku ndryshe nga 1945 e për fatin tonë sot e tutje, shqip-folësit duket qartazi se janë pjesë integrale e kampit perëndimor demokratik. Por jo më, sipas qejfit tonë dhe pa shpërfilljen e deridjeshme ndaj kërkesave perëndimore.

Në praktikë, kjo përqasje dikton avancimin e reformës në drejtësi, refuzimin kategorik e të panegociueshëm të çdo inciative destabilizuese e anti-demokratike në vend nga kancelaritë perëndimore, ndëshkimin eventual të shumë aseteve kriminale e korruptive, konsolidimin e rajonit brenda NATOs e avancimin të gjithëve drejt integrimit evropian, çfarëdo forme pastë Bashkimi Evropian pas disa viteve.

Mos u hiqni kot si të shurdhër e si të verbër. Mos e kruani kot me ‘Xha Samin’. Kush ka sy, le të shohë! Kush ka veshë, le të dëgjojë! Kush ka tru, le të mendojë! Iku koha e bajraktarëve…

SHKARKO APP