Ç’qëllim ka fushata pas fushate e Edi Ramës?

Kryeministri Rama është angazhuar në një tur post fushate për të vazhduar bashkëbisedimet me njerëzit dhe për të mbajtur ngrehur temat që trajtoi deri në 25 qershor. Sot ai u bënte thirrje banorëve të Vaqarrit të mos kishin frikë që t’i denonconin punonjësit e shtetit që u kërkonin ryshfet, nga frika se kështu  mund t’i quanin spiunë. “Kur ju vjedhin shtëpinë ju deononconi në polici, por nuk e bëni këtë kur ju vjedh administrat” u tha Rama.

E parë nga ky kënvdështrim ai po ritrajton temën e madhe të fushatës për një administratë më të ndershme, më efiçente dhe më zhveshur nga mendësia e “tepsisë”.

Disa herë është thënë se Rama vetë është një nga arkitektët e “tepsisë”, se ai edhe partive të vogla, edhe deputetëve të vet, e sidomos deputetëve që i rrëmbente kundërshtarëve, u ka shpërndarë drejtori rajonale si copa tepsie.

Por, pavarësisht kësaj për temën që ai ka kapur nuk mund ti vihet faj. Administrata e shtetit shqiptar është një rrangallë që duhet tundur nga themelet.

Por pyetja është si bëhet kjo? Si luftohet me idenë se shteti është një masë e madhe që duhet zhvatur? A mund të arrihet të luftohet kjo mendësi duke i ftuar qytetarët të denoncojnë? A mund të reduktohet ajo duke hequr LSI-stët, çamët dhe rilindasit lokalë si idhtarët të tepsisë.

Jo, kaq është e pamjaftueshme. Prandaj kryeministri i ngjan një mjeku që ka zbuluar patologjinë, por nuk ka në dorë rrugën e mjekimit.

Kush e mban mend katharsisin e Nanos kujton se ai përfundoi kur bashkëshortja e tij vendoste drejtorët e derejtorive me para. Kush i mban mend “duart e pastar të Berishës” nuk e ka të vështirë të kuptojë se ato u bënë pis kur i biri doli i përfshirë me Delijorgjin në Gërdec.

E njëjtë është fabula edhe për Ramën.

Ai nuk mund të arijë kurrë të ngrejë një administratë të ndershme, për sa kohë që gjithkush e shef se ai këmbëngul të importojë plehra pasi ka thënë se nëse e bën këtë i shërben mafjes, pasi gjithkush e shef se ai u mund nga biznesmenët e kumarit, pasi gjithkush e shef se ai po e betonizon Tiranën në favor të 5-6 oligarkëve, pasi gjithëkush e shef se ai po i ndan koncesionet po për ta.

Pra në thelb, askush nuk mund të mendojë se mund të krijohet ndonjëherë një punonjës shteti model dhe i vyrtytshëm kur shembulli që i vjen nga maja e piramidës është krejt e kundërta.

Në këtë kuptim edhe fushata post fushatë e Ramës duket më kot sikur vë gishtin në plagë. Ajo është në thelb një fushatë mashtruese. Ajo ka stërzmadhuar problemet e vogla duke i shtruar si çështje për zgjidhje, ndërkohë që ka mbytur me heshtje, problemet reale të qeverisjes. (Lapsi.al)

SHKARKO APP