Dakord të mbyllen shkollat, po me nxënësit dhe prindërit çfarë do të ndodhë?
Nga Herion Mesi
Pasi u tallën dhe luajtën me jetët e mësuesve, nxënësve dhe familjarëve të tyre, që ishin dhe janë pre e infektimeve të shfrenuara nga koronavirusi (të paktën edhe këtë javë), qeveria me moton cinike “Shëndeti juaj i pari”, na kërkon mbyllje të shkollës nga 1 dhjetori!
Dhe mirë bën që e kërkon një gjë të tillë që duhej bërë që në shtator, por Qeveria nuk mund të flasë “në të thatë”, por duhet të na thotë:
Si është situata e infektimeve në institucionet arsimore?
Sa mësues janë infektuar dhe sa prej tyre janë ende pozitivë?
Sa nxënës janë infektuar dhe sa prej tyre janë ende pozitivë?
Sa familjarë të mësuesve dhe të nxënësve janë infektuar si pasojë e cinizmit qeveritar që refuzoi ta bënte një gjë të tillë më herët në këto dy muaj?
Qeveria duhet të flasë mirë nëse kërkon mirëkuptim qytetar dhe më e pakta në këtë situatë kaotike është që të shpallë karantinën, të paktën të pjesshme.
Pasi nuk kanë kuptim udhëtimet me urbanë, lokalet e hapura deri në orën 10 të mbrëmjes, apo xhirot frymëzuese te parku i Liqenit.
Nuk e di si është skenari qeveritar për këtë çështje, por fëmijët që do rrinë në shtëpi duhet të kenë të paktën njërin prej prindërve, energji elektrike, aparate, internet, në mënyrë që të garantohet mësimi për çdo fëmijë të këtij vendi. Ndaj pyetja që mbetet është: Po Qeveria a i ka paraprirë këtij skenari?
Pasi në një vlerësim modest të situatës së re që krijohet, duhet që Qeveria të marrë përsipër kompensimin e gjithë bizneseve që preken nga mbyllja e shkollave, nga mbyllja e lokaleve dhe restoranteve, si dhe duhet të mendojë edhe për kompensimin e prindërve që mund të humbasin punën, pasi do jenë të detyruar të rrinë të mbyllur me fëmijët e tyre. Fundja, Qeveria duhet të negociojë me pronarët ku këta prindër janë të punësuar.
Kështu që Qeveria kur të flasë për mbyllje shkollash, bën mirë të rishikojë Buxhetin 2021 që miratoi pa asnjë diskutim deputeti në Kuvend dhe të hapë thesin për qytetarët e saj.
Nga ana tjetër, Qeveria dhe pushteti lokal duhet të kuptojnë se institucionet arsimore nuk mund të ekzistojnë më si para 1 viti, domethënë të blejnë ngrohësa dhe çezma të reja, si dhe të vendosin boliera që të ngrohin ujin për fëmijët që duan të lajnë të paktën duart, meqë e kanë sugjerim të përditshëm të Nalgjatësisë së tij Kryeministër prej muajsh tashmë.