Dashuri dhe plumba

Dosje të vjetra dhe të reja krimesh, të cilat drejtësia i konsideron si vrasje për motive të dobta. Në të vërtetë janë histori që i bashkon seksi, tradhëtitë, xhelozia dhe dashuri të refuzuara.

Nga Lorenc Vangjeli, JAVA

Janë histori të frikshme. Janë histori të cilat në dosjet e policisë mbyllen në dosje me mbishkrimin: vrasje për motive të dobëta. Janë histori që mbërrijnë në gjykatë dhe që përgjithësi, mbyllen me dënime që variojnë nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm. Përgjithësisht burra të marrosur nga dashuria e refuzuar, nga dashuria e humbur apo obsesione të marra që vrasin partneret e tyre të vërteta apo të supozuara. Por dhe gra që kryejnë vrasje të modelit nazist. Histori të llojit Guns N’ Roses që nuk afrojnë alternativë tjetër në mes përveç vdekjes nga arma dhe luleve të pasionit. Mes tyre me shkëlqimin e fortë të marrëzisë ka dhe histori të ndërlikuara dashurie me protagoniste femra që vrasin. Madje më shumë se një herë.

E përbashkëta e këtyre dramave njerëzore që veç përfundimit të dhunshëm të nje jete, kanë si pasojë dhe shkatërrimet e shumë jetëve të tjera të lidhura me to, është se ato përgjithësisht kanë protagonistë me nivel të ulët arsimor e banues në zonat rurale. Të cilët gjejnë tek seksi, sidomos tek seksi i ndaluar, gjithë tjetër çfarë jua ka mohuar jeta.

Revista Java ka listuar një numër krimesh të rënda të krimit për dashuri të ndaluara. Një klasifikim ngjarjesh tmerri që mund të lindin kudo dhe që mund të kenë këdo për protagonist. Nga fqinji i heshtur që nuk konsumon alkool e deri tek i moshuari që ngjall keqardhje e mëshirë në moshë të shtyrë, por që jeton pasione seksi në fshehtësi të frikshme.

Vret për hakmarrje

Ka ndodhur në Vidohovë, fshat në rrethinat e Korçës, në dhjetor 2005. Liliana Mulliri, 40 vjeç, për t’u hakmarrë për tradhëtitë e supozuara të të dashurit të saj, i vret nipin. Fëmija vetëm 8 vjeç vritet me armë të ftohta dhe i hedh kufomën në pusin e shtëpisë. Hetime të komplikuara bëjnë të mundur që të zbardhet ky krim i frikshëm, por që nuk do të ishte i fundit. Ai do t’i hapte rrugën vrasjes së tre fëmijëve të Mullirit pesë vite më pas, në emër të hakmarrjes për krimin që ajo kishte bërë.

Një masakër e vërtetë ndodhi dhe në janarin e vitit të kaluar në fshatin Gjonomadh të Korçës. Një histori e ndaluar dashurie shkaktoi katër viktima, dy çifte bashkëshortësh u ekzekutuan pa mëshirë nga një 40 vjeçar, i quajtur Bashkim Latollari. Ai kishte pasur një lidhje të fshehtë me njërën nga viktimat. Daniela Meçollari, e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, nuk kishte pranuar kërkesën e tij për t’u divorcuar nga i shoqi dhe kaq mjaftoi që ajo të dënohej me vdekje nga i dashuri i saj. Latollari shkon në shtëpinë e saj në mbrëmje dhe qëllon nga dritarja çiftin Belimon dhe Daniela Meçollari që ishin shtrirë për të fjetur. Më pas, ai shkopn në shtëpinë fqinje të viktimave dhe vret çiftin tjetër Rexhep dhe Valentina Metellari. Faji i tyre? Rexhepi ishte daja i Belimonit dhe sipas agresorit, kishte ndikuar për keq në historinë e tij të dashurisë.

Krimi i pamendueshëm është e përbashkëta e tre vrasjeve të njëpasnjëshme të ndodhura në kohë dhe vende të ndryshme, nga personazhe të ndryshëm, por njëlloj të marrosur. Autorët, nga më të çuditshmit e mundshëm, si personazhe fantazie.

Ishte 84 vjeç dhe kishte reputacionin e një burri fisnik tek fqinjët e tij. Pensionist dhe i vetmuar, Gaqo Dumka nga Korça, nuk kishte lënë dyshime se kishte më shumë se ndarjen e strehës mbi kokë me 42 vjeçaren Liliana Arapi. Deri në ditën që Liliana u zhduk dhe nuk gjendej më. Dumka, edhe pse i dyshuar, ishte i përjashtuar me logjikë nga autorësia e krimit, ndonëse një gjë e tillë nuk ndodhi për shumë kohë. Hetimi zbuloi se ai kishte pasur një lidhje intime me gruan e zhdukur dhe kur ajo kishte vendosur ta ndërpriste atë, e vrau në mënyrë të përbindshme. I preu madje dhe kokën dhe trupin e fshehu në zonën e grumbullimit të mbeturinave, disa kilometra në periferi të Korçës. Me gjakftohtësi ai ju thotë hetuesve se e ekzekutoi meqë ajo i prishte paratë e pensionit me të dashur të tjerë.

Po në të njëjtën moshë të thyer ishte dhe Shaban Norja, i cili në tetor 2012 vrau në mënyrë makabre 17 vjeçaren Aishe Vata. Mbas vrasjes, vajzës i ishte ndarë koka nga trupi. Hetimet rindërtuan një histori dramatike në kufinjtë e të pabesueshmes. Vajza që kishte pasur një histori të gjatë lidhjeje intime me të moshuarin nuk pranoi të abortonte fëmijën që kishte me të moshuarin dhe për këtë shkak humb jetën nga i dashuri i saj, që pretendon se një akt të tillë e kishin kryer në mirëkuptim. Ky përbindësh u arrestua dhe u dënua me 25 vjet heqje lirie.

Një nga historitë më të bujshme të të shkuarës së afërt dhe po në tetor të vitit 2012 ka ndodhur në periferi të Tiranës. Nazime Visha, një tjetër e mitur, pa mbushur 18 vjeç, qëllon me armë zjarri Fiqiri Muçën, një burrë i martuar 45 vjeçar dhe me pesë fëmijë. Një histori shumë e paqartë që nis me dhunim të së miturës për vite me rradhë, një ndarje meqë ajo do të niste një jetë të re dhe më pas vrasja e burrit që pretendonte të drejta mbi Nazimen. Emri i saj u bë simbol i problemeve të thella të drejtësisë shqiptare dhe moralit të shoqërisë, meqë më shumë se vrasëse, siç vendosi gjykata, Nazime Visha ishte një viktimë e qartë e dhunës seksuale dhe psikologjike.

Pak lekë në xhep, mjetet e punës së hidraulikut, një dhomë moteli në periferi të Pogradecit me të dashurën dhe dyshimin se ajo e tradhëtonte dhe gjithçka shndërrohet në një skenë krimi horror. Halim Hykollari, 60 vjeç, i martuar, vret mbasi kishte bërë dashuri për herë të fundit 35 vjeçaren Mirela Spahiu. Vdekja që i shkaktoi viktimës ishte e egër. Me një çekiç të rëndë i kishte marë jetën dhe pastaj nuk ishte ndalur, por kishte vazhduar ta godasë derisa e kishte shfytyruar krejtësisht.

Kishte pasur një lidhje të gjatë me një grua të martuar, por ajo kishte dhe një lidhje tjetër. Kaq mjaftoi që gruaja dhe dy të dashurit e saj të vdisnin në të njëjtën ditë nga të shtënat e të njëjtit automatik. Viktor Rovani, 57 vjeç, ndoqi me automatik në dorë nëpër natë në periferi të Pogdories, një fshat i thellë malor ndërmjet Korçës e Pogradecit, të dashurën e tij Elsa Çoçka, 40 vjeç dhe rivalin e tij në dashuri Floridon Bollguri. I gjen në makinën e tij dhe i qëllon të dy. Telefoni me policinë dhe lajmërimi i asaj çfarë kishte ndodhur, ishte gjëja e parafundit që ai bëri në jetën e tij sepse akti i fundit ishte t’i drejtonte automatikun vetes duke u vetëvrarë. Xhelozia kishte shkaktuar tre viktima dhe një kërcënim nga burri i gruas së vrarë: autori me mbylli jetën, edhe pse gruaja më tradhëtonte, unë do të hakmerrem.

Elsina Hidersha, e njohur me emrin e artit Emmy, 21 vjeç, mund të kishte pasur një të nesërme mjaft të mirë. E re, e pashme, këngëtare ajo pati një vdekje të dhunshme nga njeriu që pretendonte se kishte një raport intim me të. I dashuri i saj Aziz Kelmendi, 44 vjeç e vret me makinën e tij ndërsa ajo ishte në përpjekje për të hipur në të. Emmy u tërhoqë zvarrë për disa dhjetra metra dhe u përplas në asfalt. Humbi jetën në spital në shkurt 2011.

Dritan Demiraj, emigrant në Itali, në prillin e vitit të shkuar arrestohet në Rimini, Itali i dyshuar për një vrasje të trefishtë; të dashurën e tij, njeriun që besonte se kishte krijuar lidhje me të dhe një të afërm tjetër të tij.

Po për xhelozi, një 24 vjeçare, emigrante në Greqi, Anastasi Sotiri, vrau në mars 2005 të dashurin e saj grek Jorgos Juanidis. Vetëm pak kohë mbas ndarjes së tyre dhe mbasi Sotiri kishte mësuar lidhjen e re që kishte krijuar ish-partneri i saj, ajo vendosi ta ekzekutojë. E bëri një gjë të tillë me tre të shtëna pistolete që i shkaktuan atij vdekjen e menjëhershme.

Policia shqiptare nuk ka shumë të dhëna për këto krime që kanë ndodhur jashtë kufinjve, por zyrtarisht thuhet se ato janë gjithashtu të konsiderueshme.

Sërish në Korçë dhe sërish dy vajza si protagoniste. Ornela Cepollari, studente anglishteje në fakultetin e gjuhëve të huaja në Korçë, e përjeton shumë keq tradhëtinë e supozuar të të dashurit të saj. E ardhur nga Pogradeci ajo jetonte në konvikt dhe pikërisht aty, tek shoqja e saj e dhomës ajo vë gishtin e akuzës për dramën e saj të dashurisë. Dhe mbi të, Suela Sinën, bashkëmoshatare dhe shoqe e saj, ajo qëllon me pistoletë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në janar të vitit 2005.

Në Fushë Krujë, në 16 qershor 2003, në mesditë, qyteti i vogël u trondit nga një vrasje që ndodhi në sy të shumë dëshmitarëve. Mimoza Shota qëllon me pistoletë në tregun e qytetit të dashurin e saj. Për Shkëlqim Shimën, 27 vjeç, nuk kishte shumë për të bërë; ai humb jetën nga hemoragjia e shumtë, kurse Shota arrestohet më pas. Motivi që ajo pohoi gjatë hetimeve dhe që edhe u provua në gjykatë ishte shtatzania e saj dhe kërcënimi i viktimës me të cilin ajo ishte në lidhje dashurie, për të abortuar.

Histori të tilla janë të shumta. Shpesh ato duket sikur prodhohen në një çast, mbyllen në një çast, por dhembja e tmerri që ato shkaktojnë, vazhdojnë gjatë, shumë gjatë. Shpesh, viktima mbeten dhe të afërmit e tyre të gjallë që vuajnë njëlloj dhe ngushëllohen me shprehjen e vjetër sa dhe vetë bota: jeta vazhdon.

SHKARKO APP